English

SHBA arrin marrëveshjen për borxhin, Obama: Evituam katastrofën në ekonomi

Uashington, 1 gusht 2011, NOA - Pak para skadimit të afatit për arritjen e një marrëveshjeje, republikanët dhe demokratët kanë rënë dakord për votimin në kongres të një plani masash, i cili parashikon ngritjen e kufirit të borxhit dhe shkurtimin e shpenzimeve qeveritare.

Siç deklaroi menjëherë pas marrëveshjes Presidenti amerikan Barak Obama, ky plan do t’i japë mundësi Shteteve të Bashkuara të mos kenë vështirësi në kryerjen e pagesave, duke shmangur në këtë mënyrë edhe pasojat negative për ekonominë amerikane dhe atë globale.

“Dua të bëj të ditur se krerët e të dyja palëve ranë dakord për një strategji, e cila do të synojë uljen e defiçitit dhe kryerjen pa vështirësi të pagesave. Nëse nuk do ishte arritur në këtë zgjidhje atëherë do të kishim pasoja katastrofike për ekonominë tonë”, deklaroi presidenti Obama.

Marrëveshja parashikon shkurtimin e shpenzimeve në masën e 1 trilionë dollarëve në 10 vitet e ardhshme, ngritjen e një komisioni, i cili do t’i propozojë brenda muajit nëntor të tjera masa për uljen e defiçitit si dhe ngritjen e kufirit të borxhit në masën 2.4 trilionë dollarë.

Demokratët duket se kanë dalë të kënaqur nga kjo marrëveshje, pasi kanë evituar një rinegociim me republikanët vitin e ardhshëm kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale.

“Duhet të jemi të sigurt që shkurtimet e shpenzimeve nuk duhet të bëhen menjëherë, pasi kjo mund të rrezikojë ekonominë tonë. Edhe pse një pjesë e republikanëve nuk bien dakord me këtë, besoj se është e drejtë të kërkojmë nga amerikanët e pasur dhe ndërmarrjet e mëdha të paguajnë atë që u takon”, tha presidenti amerikan.

Republikanët kanë rënë dakord me planin e propozuar nga demokratët, pasi në tekstin e marrëveshjes nuk parashikohet rritje taksash.

E përditshmja Financial Times thotë se me futjen në zbatim të planit të ri, shpenzimet qeveritare do të arrijnë nivelet e presidencës Ajzenhauer, në vitet ‘50.

Marrëveshja për borxhin amerikan parashikon:

1. shkurtim shpenzimesh në 1 trilionë $

2. ngritje e kufirit të borxhit me 2.4 trilionë $

3. komision për uljen e deficitit

mit/NOA

KOMENTE