Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Karrierat e dhuruara dhe të fituara në PD-në e Sali Berishës
English

Karrierat e dhuruara dhe të fituara në PD-në e Sali Berishës

Nga Çlirim Peka

Mbledhja e shumëvonuar e Këshillit Kombëtar të PD-së ka zgjedhur kryesinë e re të kësaj partie. Kryesi, e cila ka hapur mjaft debate. Pa paragjykuar arsyet e këtij debati, le të shikojmë se çfarë po debatohet e po kontestohet nga kjo përzgjedhje dhe klasifikim i ri kryesisë së PD-së.

Termi, karrierë me meritë apo ndërprerje e karrierës përdoret sa herë që ka zgjedhje brenda strukturave të dy partive kryesore. Po kush janë protagonistët e radhës? I gjithë ky debat, në të vërtet nuk është ngritur pse hynë, si hynë, pse dolën e si dolën nga kryesia disa emra në PD. Arsyeja e vërtetë e këtij diskutimi ka të bëjë me shqetësimin e opozitës së Tiranës, se pse Lulzim Basha doli më i votuari në kryesinë e re të PD-së.

Nga kundërshtarët politikë dhe mediatik të Sali Berishës, zoti Basha po akuzohet se nuk ka karrierë me meritë, por e ka dhuratë nga Sali Berisha. Për ta pranuar apo hedhur poshtë këtë argument-akuzë, le të shtrojmë një pyetje: Cila nga figurat që ka bërë karrierë në PD nuk është mbështetur apo, siç po përdorin termin “dhuratë”, nuk ka marrë dhuratë nga Sali Berisha? Ndër këta të gjallët, asnjë.

Le t’i marrim me radhë protagonistët aktualë.

Bamir Topi, Presidenti në largim i Republikës. Pa asnjë shenjë në themelimin e PD-së në vitet ‘90, u bë deputet dhe ministër Bujqësie nga Sali Berisha në vitin ‘96. Se në konceptin e Presidentit të asaj kohe, ministri i Bujqësisë duhej të ishte domosdoshmërish agronom. Zoti Topi e plotësonte këtë kusht.

Në vitin ‘97, qeverinë e morën të majtët dhe zoti Topi nuk ishte më ministër. Pothuajse u harrua si individ politik, deri sa në vitin ‘99 konkurroi me Vili Minarollin për kryetar të PD-së së Tiranës, si adhurues i Genc Pollos. Humbi thellë përballë një kandidati politik modest.

Në vitin 2000 kandidoi përballë Besnik Mustafës (sot Mustafaj) për kandidat të PD-së për Bashkinë e Tiranës, dhe sërish humbi nga vota e tironsve të tij. Në vitin 2001, Fehmi Abdiu, me pëlqimin e Fatos Nanos i njohu mandatin e deputetit. Kjo, vetëm pasi zoti Topi i kërkoi Sali Berishës të mos i njihte zgjedhjet po qe se ai nuk bëhej vetë deputet. Referenca: “konf. shtypi e zotit Topi në PD, viti 2001”.

Në vitin 2005, kur nuhati se PD-ja do e kandidonte përballë Agron Dukës në Shijak, kërkoi publikisht të kandidonte përballë Fatos Nanos në Sarandë, duke e justifikuar në opinion shmangien që po i bënte përballjes me Agron Dukën. Të njëjtën gjë bëri në atë kohë edhe nënkryetari aktual i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili drejtonte një nismë antikorrupsion nën logon e “TIA”. Berisha, duke qenë se kishte etiketuar Agron Dukën si simbolin e korrupsionit, i kërkoi Spahiut të kandidonte përballë tij. Ky i fundit fiku celularin dhe u zhduk deri kur këtë përballje të frikshme për kohën, e mori përsipër Sokol Olldashi.

Në vitin 2003, PD-ja profilizoi Bamir Topin si kandidat përballë Edi Ramës, dhe filloi fushatën për të. Pak ditë para zyrtarizimit, Bamir Topi u tërhoq nga përballja me Edi Ramën. Në vitin 2005, Topi këmbënguli të ndërronte zonën elektorale në Tiranë, nga frika e përballjes në zonën e tij me Shpëtim Idrizin. Dhe, Sali Berisha i dha zonën më të sigurt në Tiranë, përballë Mimi Kodhelit.

Në vitin 2007, si shef i fushatës së Sokol Olldashit përballë Edi Ramës, humbi edhe zoti Topi. Po në këtë vit, sipas fakteve të kohës, Bamir Topi u zgjodh President i Republikës me trafikimin më të shëmtuar që një mazhorancë parlamentare ka arritur t’u bëjë votave të opozitës. Qeveria e Sali Berishës, thjesht i bleu ato vota për të bërë Bamir Topin President. Kjo kronologji e gjatë është për të treguar se ky njeri nuk ka fituar personalisht asnjë garë, ka arritur maksimumin e karrierës, Kryetar Shteti, si pasojë e dhuratave që i ka bërë Sali Berisha. Jozefina Topalli Në vitin 97’, PD-së në opozitë i takonte njeri prej nënkryetarëve të Kuvendit. Dhe mazhoranca socialiste kërkoi dy kandidatura, jo një, pasi kështu e parashikonte rregullorja. Demokratët futën dhe emrin e zonjës Topalli, në krah të kandidaturës kryesore që ishte Pjetër Arbnori. Socialistët, për të mos votuar Pjetër Arbnorin, zgjodhën zonjën Topalli. Një zonjë e re, nga një familje e persekutuar shkodrane, që atë vit ishte bërë deputete për herë të parë.

Më pas, edhe si pasojë e statutit të PD-së, Jozefina Topalli pati karrierë të sigurt. Nënkryetarja e Kuvendit ishte dhe nënkryetare partie. Ka konkurruar gjithmonë në Shkodër, ku fitorja e PD-së nuk vihet në dyshim. Në 2005, pas 8 viteve nënkryetare Kuvendi nga PD-ja, zgjidhet Kryetare Kuvendi, pasi mazhoranca kaloi djathtas. Në 2007 drejtoi fushatën lokale në Durrës, ku PD-ja humbi në mënyrë të papritur. Në vitin 2009 deklaroi se, në rast se PD-ja nuk merr 9 deputetë në Shkodër, do mbante përgjegjësi personale politike. PD fitoi vetëm 7 (shtatë) mandate, dhe me shumë kontestime. Më qartë, nuk ka fituar asnjë garë personale deri më sot. Ka qenë në të njëjtën gjatësi vale me të gjitha veprimet politike të Sali Berishës. Sokol Olldashi Nga një gazetar opozitar, zgjidhet kryetar i FRPD-së me mbështetjen e fortë të Sali Berishës. Në 2001, deputet nga lista proporcionale e PD-së si kryetar i FRPD-së. Në vitin 2005 ishte spikatja e pjesës së qëndrestarëve të PD-së. U përball me rivalin më të vështirë të kohës nga PS-ja, në Shijak me Agron Dukën. Ku Bamir Topi, Kreshnik Spahiu nga “TIA” në atë kohë, refuzuan përballjen me të. Ndryshe nga të gjitha parashikimet, Olldashi fitoi. Dhe, ishte më shumë një fitore personale se sa e PD-së.

Në 2007 kandidoi përballë Edi Ramës në Tiranë, dhe humbi me diferencë për një sërë arsyesh. PS-ja ishte në aleancë me LSI-në, qeveria e djathtë nuk kishte kryer akoma asnjë reformë të premtuar, Shqipëria ishte në krizë energjetike, Tirana në terr total. Perceptimi ishte se Lulzim Basha do garonte përballë Ramës, por skandali i improvizuar me “Albatros” e nxori nga kandidimi, dhe zoti Olldashi hyri në një garë që nuk ishte e tij. Lulzim Basha Një nga prurjet e KOP-it, në 2005, ku spikati në debatet televizive. Format politikani krejt ndryshe nga pjesa e qëndrestarëve të Sali Berishës. Koordinator i KOP-it. Sali Berisha e kandidon në një nga zonat më të majta në Tiranë, përballë Arben Ahmetajt. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, merr përsipër fushatën dhe përbaltjen kundër zotit Basha, pasi e nuhat si një individ që e shet shumë mirë imazhin. Në zonën elektorale ku kandidoi Basha në 2005, kishte postera të Lulzim Bashës dhe postera të kryebashkiakut Rama; të kandidatit socialist Arben Ahmetaj, jo. Zoti Basha fitoi me diferencë. Një fitore që e profilizoi si një kandidat të mundshëm përballë Edi Ramës.

Në 2009, ndryshe nga ç’prisnin socialistët, si drejtues i fushatës së PD-së në Elbasan, arriti të baraspeshojë këtë qark në mandate, kur në 2005 si viti që e solli PD-në në pushtet, Elbasani ishte një humnerë elektorale.

Në 2011 u pa qartë se do të ishte kandidat i PD-së për Tiranën. Zoti Basha gaboi politikisht dhe taktikisht, duke mos dhënë dorëheqjen si ministër i Brendshëm sapo u realizua lëvizja e lirë. Njëkohësisht, fillonte më herët fushatën për Tiranën. Dorëheqja e vonuar sa s’ju kthye në një fatalitet elektoral pas protestave të dhunshme të 21 janarit. Protesta këto, që Edi Rama kurrë nuk do t’i thërriste në atë formë, po mos të ishte rivali i tij i ardhshëm, ministër i Brendshëm në atë kohë. Zoti Basha hyri në garën, që asnjë nga PD-ja nuk e kishte fituar. Hyri në garë përballë Edi Ramës në Tiranë. Gara dhe vendi në të cilën zhvillohej kjo garë, prej më shumë se një dekade ishte ferri elektoral i demokrateve. Kësaj radhe, kundër kandidatit demokrat u investua fortë edhe Presidenti i Republikës, ish nënkryetari i PD. Nën drejtimin e tij, Lulzim Basha është sulmuar sistematikisht. Në strategjinë e Bamir Topit, sulmi ndaj Bashës ishte sulm ndaj Berishës. E gjithë zhurma për Durrës-Morinë dhe akuzat ndaj Lulzim Bashës kishin edhe bekimin e kryetarit të KLD-së, Bamir Topi. Paçka se ky i fundit shprehej në një intervistë se, ja kishte lënë baba amanet që të ndërtohej rruga Durrës – Morinë. Lulzim Basha bëri një fushatë krejt ndryshe. Benjamini i Sali Berishës, sipas opozitës, ishte politikani demokrat që i ngjante më pak se kushdo tjetër brenda PD-së, Sali Berishës. Madje, shumë më pak se të gjitha ato figura drejtuese që pas largimit nga PD-ja e kanë akuzuar Berishën për autoritarizëm.

Lulzim Basha fitoi. Fitoi në Tiranë, ku PD-ja nuk fitonte prej me shumë se një dekadë. Fitoi përballë kryetarit të opozitës. Fitoi duke pasur kundër tij Presidentin (jo vetëm me votë), pse jo, edhe ambiciozët për karrigen e Sali Berishës në PD.

A e ndihmoi Sali Berisha, Lulzim Bashën në karrierën brenda PD-së? Shumë. A e ndihmoi vetëm Lulzim Bashën? Jo. Të gjithë, karrierën brenda PD-së e kanë se donte Sali Berisha. Por, pothuajse asnjëri prej tyre nuk ka fituar gara dhe beteja politike personale. Se në këto gara nuk fitohet vetëm me ndihmën e Sali Berishës. Madje, në raste dhe lokalitete të ndryshme mund të kesh kosto prej identifikimit me të. Lulzim Basha fitoi edhe gara politike personale, ku identifikimi me Sali Berishën më shumë i dha kosto se sa e ndihmoi.

Lulzim Basha fitoi përballë Edi Ramës, kundër Bamir Topit, dhe duke pasur edhe koston që të jep identifikimi me Sali Berishën në Tiranë. Kjo mund të jetë një karrierë e ofruar në fillimet e zotit Basha në PD prej Sali Berishës, por është një karrierë e fituar pas garës së Tiranës. Karrierat që përmendëm më lart janë vetëm të dhuruara. Të paktë deri tani.

KOMENTE