English

Vlorë, prangoset në plazh bosi i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Vlorë, 5 gusht 2011, NOA – Një bos i shumëkërkuar i trafikut të kokainës është prangosur dje në plazhin e Jonufrës në Vlorë ku po kalonte pushimet verore.

Ishte një aksion i nisur nga Policia e Bolonjës në bashkëpunim me forcat speciale të policisë së Vlorës që finalizoi pasditen e të enjtes arrestimin e të shumëkërkuarit nga Interpoli, 32-vjeçarit italian Guiseppe Simonelli, i njohur me nofkën “Paco” i lindur dhe banues në Tropea, Itali.

Policia e Vlorës bën me dije se dje rreth orës 15:00 përmes operacionit të përbashkët me policinë Italiane i koduar “DUE TORRI CONECTION” arritën të prangosin në plazhin e Jonufrës njërin prej bosëve të Trafikut Ndërkombëtar të Kokainës nga vendet e Amerikës Qendrore dhe të Jugut në drejtim të Italisë.

Simonelli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL pasi ai dyshohej se është anëtar i Organizatës Kriminale “Ndrageta”.

Sipas policisë 32-vjeçari italian do të trafikonte 1500 kg lëndë narkotike përkatësisht Kokainë nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore si Kolumbia, Ekuadori etj) drejt Italisë.

Guiseppe Simonelli ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 31.07.2011 dhe është mbajtur në vëzhgim nga efektivët e seksionit kundër narko-trafikut.

mit/NOA

KOMENTE