English

Raporti i KE, mediat: Maqedonia hapa prapa

Shkup, 7 gusht 2011, NOA/INA - Raporti i progresit për Maqedoninë për vitin 2011 pritet të jetë me disa pika kritike për mungesën e reformave në drejtësi, administratë publike, luftën kundër korrupsionit dhe gjendjen e medieve, njofton agjencia e lajmeve INA, duke u thirrur në burime diplomatike në Bruksel.

Megjithë vlerësimeve negative dhe atyre pozitive, KE sërish do të mbajë të hapur rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA, zgjidhja për çështjen e kontestit të emrit mbetet thelbësore për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit në BE. Por, raporti pritet të përmbajë paralajmërime për Maqedoninë për të shmangur veprimet dhe deklaratat të cilat mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Në qendër të vëmendjes do të jenë liria e shprehjes dhe medieve, me ç`rast do të jepen vlerësime negative lidhur me mbylljen e medieve të pavarura dhe politizimin e skajshëm të tyre. Gjithashtu raporti nënvizon edhe mediat e ndara në vija etnike dhe politike.

Administrata publike konsiderohet një zonë problematike. Ekonomia e Maqedonisë është përmirësuar paksa në krahasim me vitin 2010. Megjithatë, komisioni vëren shumë të lartë norma e papunësisë në vend, veçanërisht tek të rinjtë. Në raportin e BE-së do të jepet vlerësim pozitiv lidhur me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe dialogun pozitiv ndërmjet palëve për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme në vend.

Mungesat në sundimin e ligjit vazhdojnë të kenë një influencë negative në klimën e biznesit. Në raport flitet edhe për drejtat e njeriut, të cilat përgjithsisht kanë marrë notë pozitive.

Dariush Bakura, ambasadori polak në Shkup, vendi i të cilit kryeson me BE-në kohë më parë deklaroi se zgjidhja e çështjes së emrit, që po zvarritet veç më njëzet vite, do të hap dyert e para të Maqedonisë për integrim në BE dhe NATO.

KE do të publikojë në datën 12 tetor raportet vjetore të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Raportet e Progresit janë një lloj matësi i përparimeve që KE i merr parasysh për vendet që aspirojnë integrimet evropiane.

a.q/NOA

KOMENTE