English

Minatorët e Bulqizës në rrezik për jetën, miniera mund të shembet

Bulqizë, 8 gusht 2011, NOA – Jeta e 13 minatorëve të Bulqizës është tejet e rrezikuar pas dy javësh grevë urie 1400 metra nën tokën e minierës.

Minatorët e ngujuar kanë shfaqur probleme të rënda të frymëmarrjes e në mushkëri për shkak të kushteve të rënda në minierë, lagështirës, mungesës së ajrit e dritës që i shtohen mungesës së ushqimit për plot 15 ditë grevë urie.

Edhe pse janë në gjendje të rëndë ata kundërshtojnë të dalin nga miniera deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Prej natës së shkuar minatorët janë trajtuar me serum, nga mjekët që ata i asistojnë në këto ditë greve.

Por, përveç gjendjes së rënduar shëndetësore 13 minatorët grevistë po përballen jo më vetëm me kushtet e vështira të lagështirës, mungesën e ajrit, por edhe me rrezikun potencial të shembjes së minierës.

Janë ekspertët e minierave që thonë se greva e mëtejshme aty është tejet me rrezik për jetën e minatorëve, për shkak se në minierë janë vërejtur shembje të ndryshme në armaturën e minierës.

Ekspertët i bëjnë thirrje autoriteteve të shtetit të ndërhyjnë për zgjidhjen e kësaj situate të rëndë.

Ndërkohë minatorët presin përgjigjen e kompanisë austriake ACR lidhur me kërkesat e tyre jetike të rritjes së pagave me 40 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë, largimin e drejtuesve aktualë të minierës, uljen e moshës së pensionit.

Kompania austriake që ka marrë me koncesion minierën e kromit në Bulqizë thotë se zgjidhjen e ngërçit mes minatorëve dhe drejtuesve të kompanisë e mbajnë peng drejtuesit e Konfederatës dhe Sindikatës së minatorëve, përkatësisht Kolë Nikolla dhe Tafë Koleci.

Sipas ACR-së këta të dy nuk punojnë për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve, por për interesat e tyre të ngushta.

Megjithatë thirrja për ndihmë dhe shpëtimi i jetëve të minatorëve shkon përtej interesave vetjakë si të kompanisë ACR dhe të Konferderatës së Sindikatave.

Minatorët thërresin për ndihmë shtetin, duke mos u ndalur nga kërkesat e tyre për të cilat u ngujuan në grevë, e për të cilat nisën protestën pa afat kundër kompanisë ACR, protestë që bashkë me atë ekstreme i ka kaluar të 40 ditët.

Në kushtet kur minatorët janë më këmbëngulës se kurrë për arritjen e kërkesave, dikasteri i Energjetikës që drejtohet nga ministri Nasip Naço përfaqsues i LSI-së në qeveri i bën thirrje palëve të ulen në tryezë dhe të zgjidhin situatën.

Ende nuk dihet nëse në orët në vijim do të ketë një takim mes kompanisë ACR dhe minatorëve.

Por, ai që është fakt është se kompania ka pranuar vetëm të nisë investimet në minierë për përmirësimin e kushteve të punës dhe nuk ka pranuar ende të rrisë pagat e minatorëve me 40 përqind, por vetëm 20 përqind.

mit/NOA

KOMENTE