English

Turistët grekë mësyjnë jugun shqiptar: Jemi shumë të kënaqur

Himarë, 12 Gusht 2011 NOA – “Deti është i mrekullueshëm, hoteli me kushte shumë të mira dhe paguajmë vetëm 50 euro për një dhomë dyshe me ushqimin dhe gjithçka tjetër të përfshirë. Për fëmijët çmimi është 25 euro dhe gjithandej dëgjojmë të flitet greqisht”.

Kështu shprehet Aleksandra Kirici, një qytetare greke e cila sapo është kthyer në Athinë pas pushimeve dhjetëditore me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre në Himarë.

Ndërkohë, me mijëra shtetas grekë po shijojnë pushimet e tyre verore në bregdetin shqiptar në Adriatik dhe Jon.

Sarandë për shembull, mjaftojnë 100 euro në ditë që një çift të kalojë pushime të mrekullueshme dhe me të gjitha kushtet, shkruan e përditshmja “Proto Thema” në një reportazh vëzhgimor të realizuar këto ditë në Shqipëri.

“Të paktën 30 për qind e klientëve që kemi sivjet janë grekë”, thotë S.Ruci, menaxher i një hoteli të madh në Himarë. “Çdo vit po rritet numri i turistëve që na vijnë nga Greqia dhe këtë vit ca më shumë”, - shton ai.

Pushimet në plazhet shqiptare, për shumë grekë mund të sjellin në mend një udhëtim në të kaluarën pasi atje, shumë ndërtime i përkasin viteve të largëta ’80 të shekullit të shkuar.

Përpos kësaj, kushtet në hotelet shqiptare dhe çmimet e tyre, po i nxisin grekët që të mësyjnë plazhin shqiptar, sidomos atë të jugut. Ata që vijnë më shumë janë nga Athina dhe Greqia Veriore duke konsideruar se “shkojmë në Shqipëri me pushime se na shkon më lirë”.

Për më tepër, sivjet, disa hotele të mëdha në Sarandë dhe përreth saj, ofrojnë paketa të veçanta për turistët që vijnë nga Greqia. Një bashkëpunim efektiv ka nisur mes këtyre hoteleve dhe agjencive turistike që sjellin klientë nga Athina, Selaniku, Larisa dhe Korfuzi. Ata kanë në dispozicion sivjet, plot pesë mijë shtretër në hotele me kushte përgjithësisht të mira.

E nga ana tjetër, janë dhe shumë, me dhjetëra mijë, emigrantë shqiptarë të cilët jetojnë prej vitesh në Greqi, të cilët po ashtu mësyjnë bregdetin shqiptar në këto muaj vere.

r.b/NOA

KOMENTE