English

Ndërprerja e dritave, OST kërkon ndjesë: Faji ynë

E shtunë, 20 gusht 2011, NOA- Operatori i Sistemit të Transmetimit nëpërmjet një njoftimi për mediat kërkon ndjesë për ndërprerjen e energjisë elektrike të ndodhur në orën 13.20 të mesditës së sotme.

Në njoftimin e OST-së thuhet se, “Sot, më datë 20/08/2011, ora 13.20, nga veprimi mbrojtjes rele, doli nga puna linja Tiranë-Traktora- Fushë Krujë, linja 110-4/3 Elbasan-Ibë, 110-4/4 Elbasan-F.Krom-Cerrik etj, dhe si pasojë kanë mbetur pa tension për 9 minuta N/st Traktora, Fushë Krujë,F.Krom. Ndërsa në orën 13.29 u kyçën linjat Tiranë-Traktora-F.Krujë, Elbasan-Ibë dhe Elbasan-F.Krom dhe u mbajtën në rregull, duke normalizuar furnizimin e konsumatoreve me energji elektrike”.

Më tej sqarohet se nga verifikimet e bëra nga drejtuesit e OST si dhe nga bashkëveprimi me CEZ është konstatuar se një veprim i tillë është shkaktuar nga personeli i CEZ-it i cili pa urdhër ka kryer veprime operative për të cilat nuk është i autorizuar, ku theksohet se ka kyçur linjën 110 kv, Traktora-Ibë-Elbasan në Nënstacionin Traktora, pa urdhër.

Në përfundim OST bën të ditur se për këtë ngjarje i është tërhequr vërejtje personelit për ndërprerjen pa paralajmërim të energjisë elektrike duke garantuar qytetarët se në vijim veprime të tilla nuk do të ndodhin më.

a.y/NOA

KOMENTE