English

Adoleshentët hyjnë natën dhe bastisin me dhunë një qendër interneti

Libohovë, 24 gusht 2011, NOA- Dy hajdut nga 17 vjeç gjatë mbrëmjes së djeshme kanë rënë në duart e policisë.

Mësohet se dy të rinjtë lindur dhe banues në Libohovë mbajnë inicialet L.Ç dhe V.B dhe shkak për ndalimin e tyre është bërë vjedhja e kryer në bashkëpunim.

Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se, dy të ndaluarit në bashkëpunim me njeri tjetrin pesë ditë më parë në të gdhirë, kanë vjedhur duke thyer një lokal njëherësh edhe qendër Interneti në Libohovë, ku kanë marrë dy Play Station me të gjithë aksesorët dhe disa disqe lojrash.

Për evidentimin dhe denoncimin e vjedhjes ka qenë pronari i qendrës së internetit, i cili teksa ka shkuar në mëngjes për të hapur punën e tij ka vënë re bastisjen e bërë.

Menjëherë pas marrjes së padisë uniformat blu nisën hetimet, ku morën dëshmi dhe mblodhën të dhëna deri në momentin e prangosjes së dy 17 vjeçarëve, të dyshuar si autor të vjedhjes.

Pas kësaj në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura si dhe nisën hetimet për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.

a.y/NOA

KOMENTE