Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Analist vs. gazetar
English

Analist vs. gazetar

Nga Endri Xhaf/Deri në vitin 1998 në Shqipëri kishte vetëm "gazetarë". Editorialistët ishin gazetarë, por edhe pronarët e gazetave e konsideronin veten gazetarë (si p.sh. emblematiku Nikollë Lesi). Kurse "analistët", siç i njohim ne sot, janë një produkt sa evolutiv aq edhe artificial i tregut mediatik, shfaqur aty nga fundi i viteve '90.

Në botë, analistët janë dy llojesh: analistë të shtypit dhe analistë shkencorë.

Analistët e shtypit janë reporterë me përvojë të gjatë në terren, që këtë përvojë disavjeçare e mbështesin edhe mbi një formim solid akademik, që shkon deri në gradën e Masterit; si të tillë, bashkë me reporterët, prezantuesit e lajmeve (anchor), redaktorët dhe editorialistët, ata janë një nënkategori e gazetarit. Në Francë për shembull, një nga specialistët më të mirë të marrëdhënieve franko-gjermane është gazetari Daniel Vernet, ish-korrespondent i "Le Monde" në Bon, autor i disa librave në vijim.

Analistët shkencorë, nga ana e tyre, janë universitarë në origjinë, të specializuar gjatë kërkimeve të tyre doktorale në një fushë të caktuar, - si p.sh. konfliktet tribale në Irak, - që punësohen në vijim në universitete, në qendra kërkimesh shkencore apo pranë dikastereve të ndryshme. Autorë librash, ata u ofrojnë ekspertizën e tyre televizioneve, sidomos gjatë konflikteve në zona të largëta të globit.

Janë edhe analistët financiarë, ata që tronditin botën me vlerësime për ekonomitë kombëtare të shteteve të caktuara, si p.sh. David T. Beers i agjencisë së vlerësimit “Standard & Poor's”, e cila në fillim të muajit retrogradoi notën e borxhit amerikan, duke shkaktuar një zallamahi në bursa. Por këta janë më të rezervuar sa u takon mediave.

Këto pra janë mënyrat "tradicionale" se si mund të bëhesh "analist", i cili në botën e mediave është një emërtim konvencional dhe jo profesional. Ndaj përgjithësisht analistët e shtypit janë thjesht "gazetarë", sipas emërtimit të zanatit. Sepse të jesh "gazetar" profesionist (këtu hyjnë edhe gazetarët freelance) në shumë vende perëndimore implikon marrjen e një karte profesionale të gazetarit, sipas disa kushteve strikte, e cila në vende të ndryshme jepet ose nga organizma të profesionit ose nga institucionet shtetërore.

Në Shqipëri, në vitet '90, të qenët gazetar ishte krenari dhe prestigj. Në profesion kishin punuar emra të tillë si Carlo Bollino, Reis Çiço, Zamira Koleci, Briseida Mema, Vladimir Prela, Benet Koleka, Fatos Baxhaku, Merita Dhimgjoka, Ben Blushi, Vjollca Vokshi, Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Andi Bushati, Edmond Laçi, Aleksandër Furxhi, Ilir Kadia, Lutfi Dervishi, Iris Luarasi, Sokol Balla, Arben Muka, Aleksandër Çipa, Armand Mero, Ilirjan Agolli etj., etj. Emrat e "rinj" të dalë në vitet '90 ishin përpjekur për të lënë pas atë lloj gazetarie-propagandë dhe patetike të kohës së komunizmit, duke vendosur pa dyshim disa standarde më perëndimore në raportimin e lajmit. Puna e shumë prej tyre ishte një betejë sa për mbijetesën e shtypit edhe për lirinë e shprehjes. Sepse, pavarësisht ndryshimit të sistemit, një autoritarizëm mbytës rrodhi në tërë hierarkinë e shtetit, në emër, paradoksalisht, të të njëjtave parime për të cilat kishin luftuar studentët në dhjetor '90.

Pra konflikti pushtet-shtyp në vitet '90 ishte përballja e një pushteti politik, i mësuar deri në atë kohë të ishte absolut, dhe një pushteti mediatik, deri atëherë i mohuar, në kërkim të identitetit dhe forcës së vet. Në këto kushte, kur shtypi donte të ishte një "qen roje" i qeverisë, - dhe këtë nga keqdashja e qëllimtë e ndan vetëm një fije floku, - pushteti kishte vënë pengesa, me argumentin se po mbronte interesat e shumicës. Mirëpo, realiteti shqiptar tregoi se më shumë se interesin publik, pushteti synoi të mbrojë interesat e veta, nëpërmjet famëkeqit "Ligj për Shtypin", të 11 tetorit 1993. Ligji ishte mjaft i ashpër dhe shërbeu si alibi për të dënuar gazetarë, shpesh me akuza qesharake.

Por më 1998 kjo "moshë e artë" e shtypit po perëndonte dhe pesha specifike e tij po humbte terren në disfavor të radio-televizioneve private.

Po ashtu, disa gazetarë realizuan një kapërcim në politikë (Vladimir Prela, Ben Blushi, Skënder Minxhozi etj.), si diplomatë, zëdhënës apo këshilltarë të politikanëve deri dje në opozitë. Këto zhvillime në tregun mediatik sollën prurje të reja, që nuk kanë reshtur qysh atëherë (e rihapur më 1992, dega e gazetarisë nxori tre brezat e parë të gazetarëve me diplomë pikërisht në vitet '96, '97 e '98).

Ky është edhe momenti i shfaqjes së "analistëve" shqiptarë. Mes tyre kishte disa ish-reporterë, - me disa vite përvojë profesionale dhe jetësore më shumë se gazetarët e rinj, që për t'u distancuar prej tyre u vetëquajtën "analistë", – por edhe individë që nuk kishin punuar as edhe një ditë të vetme në media. Me një dress code (kostum + kravatë) që i përshtatej staturës së re, ata dallonin nga gazetarët e rinj, ndonjë i veshur edhe keq, që të tërë bashkë, si turma uniforme, në dukje pa individualitet, zhvendoseshin nga një konferencë shtypi në tjetrën, mes pluhurit, vapës dhe shiut të qytetit. Ndaj shumëkush synonte t'i shpëtonte kësaj përkatësie, që nuk ishte më ajo e dikurshmja. Ishte kohë e keqe të ishe gazetar, në kohën e artë të "analistëve"!

Në televizionet e hapur rishtas, - në ndryshim nga mega-produksionet e sotme të disa kanaleve të fuqishëm privatë, të tipit entertainement, - strukturat programore favorizonin, për arsye të kostove të ulëta, emisionet politike të tipit talk show (një drejtues - disa karrige), ku në ato fillesa, por shpesh edhe sot, debati nuk dallon shumë nga bisedat e lira në kafe. Më së shumti analizat ishin (dhe mbeten) komente, të tipit "unë mendoj". Nevoja e përhershme e këtyre emisioneve për të ftuar dhe detyrimi i individëve të njëjtë për shkruar edhe në shtyp, si pena të kontraktuara për një numër të caktuar artikujsh, sollën me kohën, nga njëra anë konsumimin e tyre (të paevitueshëm) dhe nga ana tjetër "polivalencën".

E them me ironi "polivalencën", sepse askush nuk mund të jetë njëherësh "analist" politik dhe specialist i urbanistikës, njohës i të drejtës kushtetuese dhe i arkitekturës, politolog dhe specialist i trashëgimisë kulturore. Ka vërtet një postulat në profesion, që thotë se "gazetari është specialist i asgjëje dhe njëkohësisht specialist i të gjithave", por kjo nënkupton aftësinë e tij për të rrëmuar faktet dhe për t'i zbërthyer pastaj ato, mbështetur në përvojën dhe kulturën e tij të përgjithshme.

Ndërkohë që ky soj analistësh, duke mos qenë gazetarë, që lëndë të parë kanë pikërisht faktin, duke mos qenë as analistë shkencorë, të cilëve disiplina shkencore ua imponon shpluhurosjen e fakteve nga arkivat qindravjeçare, ky soj analistësh pra e shpërfill "faktin". Analiza, si zhanër gazetaresk, mësohet në shkollë. Dhe është një qasje e fakteve të vjetra e të reja me qëllim arritjen e një konkluzioni. Konkluzioni është vetjak dhe si i tillë, i diskutueshëm. Por faktet janë të përbotshme.

Ky soj analistësh janë sot një fenomen. Aspekti artificial i këtij fenomeni është ndikuar edhe nga një vështirësi specifike me të cilën përballen mediat në Shqipëri: mungesa ose vetëmënjanimi nga debati publik i analistëve shkencorë dhe/ose specialistëve të mirëfilltë të fushave të caktuara. Konkretisht, është mjaft e vështirë, në mos ndonjëherë e pamundur, të gjesh dikë që të sjellë në faqet e gazetës apo në valët e radio-televizionit ekspertizën sa u takon për shembull ndryshimeve kushtetuese, ligjit për pushtetin gjyqësor, apo zgjedhjeve presidenciale amerikane. Ata që mund ta bënin këtë, ose i ndruhen etiketimit politik, ose janë pasivë. Atëherë mediat kthehen pa shumë zgjedhje nga analistët e përhershëm polivalentë.

Mirëpo ka disa kohë që mes publikut ka filluar të qarkullojë me humor një frazë e thënë në zhargonin e kryeqytetit: "Je bo si analistët, flet shumë dhe s'thu asigjo". Koha, me sa duket, nuk po punon më për ta.

Për provë, figurat qendrore të TV Klan dhe TCH, pavarësisht nëse janë shefa, anchor apo drejtues emisionesh, vitet e fundit kanë rizbuluar kënaqësinë e të qenët "gazetar" aktiv. Në raste zgjedhjesh apo ngjarjesh të tjera të mëdha (p.sh. pavarësia e Kosovës), ata dalin rregullisht nga studiot, kapin mikrofonin dhe zbresin në terren. Ndonjë tjetër, si Minxhozi, që eksperienca e shkuar i jep tërë të drejtën ta konsiderojë veten analist të shtypit, në raste intervistash preferon strishën "kryeredaktor i revistës MAPO". Edhe Mustafa Nano, një rast sui generis, pasi u end ca kohë nëpër emërtime "analist", "editorialist", "kolumnist" etj., së fundi, pas disa emisionesh televizive dhe aktivitetit si blogues, duket se po preferon emërtimin "gazetari Mustafa Nano".

Ç'ndodh me ata që mbeten? Duke mos qenë ajka e inteligjencës shqiptare, shkrimet apo daljet e tyre televizive nuk kanë atë vlerë që kanë proporcionalisht tribunat e intelektualëve të spikatur në faqet e "The New York Times", "Le Monde" apo "Corriere della Sera". Një pjesë e tyre janë "bërë" analistë, sepse nuk mundën të bëhen dot gazetarë. Ndonjë tjetër beson vërtet te supremacia e sojit të tij. Një i tillë, burrë i mirë, por pak megaloman, e shprehu qartë këtë në një studio në TCH në zgjedhjet e fundit, kur tha se "analistët bëjnë atë që gazetarët s'e bëjnë dot". Një pyetje e thjeshtë për të: Briseida Mema (AFP), e cila mund të kryqëzohet në terren me të birin gjithashtu gazetar, apo Benet Koleka (Reuters), Ilirjan Agolli e Armand Mero (VOA), Arben Muka (Deutsche Welle) apo Fatos Baxhaku (Shqip), të tërë këta emra të spikatur, me një përvojë jetësore të pasur, që për një zgjedhje vetjake nuk kanë reshtur për asnjë sekondë së qeni gazetarë, a nuk janë këta të aftë ta analizojnë aktualitetin?

Përbuzja dhe supremacia e pretenduar ndaj gazetarëve është arma e fundit që u ka mbetur "analistëve polivalentë". Por, sikurse e shpjeguam edhe në fillim, gazetaria dhe analiza nuk janë të papajtueshme. Përkundrazi, analiza është zhanër gazetaresk, njësoj si edhe reportazhi! Kjo duhet ngulitur mirë! Analiza është shpërbërja e një të tëre në elementët e vet përbërës, për t'i përcaktuar ata elementë, për t'i klasifikuar e kuptuar. Analiza e vë aktualitetin në perspektivë dhe e ndihmon publikun për të kuptuar atë që është në lojë dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes. Sa prej të ashtuquajturave "analiza" e bëjnë këtë? Ndaj kur shkrimi nuk i nënshtrohet kësaj metode, më e ndershme është të dalë nën okelion "koment".

Përfundimisht, anomalia në tërë këtë, qëndron te nëpërkëmbja që "antivlerat" e tregut i bëjnë profesionistit bazë, atij që mbart emrin e zanatit. Që gazetaria të rifitojë prestigjin e dikurshëm, nuk është problem mosha e re, që vazhdon të jetë mbizotëruese në treg. Sepse edhe ata që sapo kanë mbaruar shkollën dhe i futen rishtas gazetarisë, të inkuadruar nga drejtues më me eksperiencë, mund të mësojnë më shpejt. Thuhet se në gazetari 80% e punës mësohet dy vitet e para dhe 20% pjesën tjetër të jetës. Por për të vënë në vend prestigjin e dikurshëm, gazetaria ka nevojë për zanatçinj të përkushtuar. Sepse, siç u thoshte një prej emrave të mësipërm kolegëve të tij të rinj në vitin 1998, "të qenët gazetar, është diçka që duhet merituar çdo ditë".

Gazeta "Shqip"

KOMENTE