English

Gjermani, kthehet Yvonne, lopa më e famshme në mbarë botën

Gjermani, 3 Shtator NOA - Është rikthyer.

Pas 98 ditësh që ka kaluar e fshehur në pyjet e Bavarisë, në një kohë që dhe kërkimet nga ana e policisë u mbyllën zyrtarisht, Yvonne, lopa më e famshme e Evropës,mbase dhe e gjithë botës, është rikthyer në tufë, me vetë vullnetin e saj, duke i lejuar një banori që ta kapte.

Kafsha ishte larguar nga rritësi i saj para tre muajsh, duke u fshehur në pyjet e Muehldorf, në Bavari.

Menjëherë, historia e lopës liridashëse ishte kthyer në një çështje për mediat në mbarë botën.

Interesi u rrit akoma më shumë në momentin që policia, duke e quajtur si rrezik publik, nuk kishte arritur dot ta kapte atë me çdo lloj mënyre.

Krahas forcave të rendit, në gjurmët e saj ishin hedhur dhe veterinerët së bashku me gjuetarët, të pajisur me helikopterë dhe matës nxehtësish, por rezultati ishte gjithmonë, asgjë.

Madje dhe kurthi për ta tërhequr me një dem të mbarështuar dhe dy shokë tufe dështoi.

Mbi të ishte lëshuar një urdhër i vërtetë kapje, e gjallë apo e ngordhur, gjë që kishte shkaktuar dhe nervozizëm mes animalistëve, që si rrjedhojë ishin hedhur në gjurmët e Yvonne.

Megjithatë gjithçka shkoi dëm, pasi sikur të mbinte nga asgjëja ditën e sotme lopa më famoze u shfaq e vetme në fshatin e Eigelsberg bei Ampfing, në një mënyrë të tillë sikur të ishte mërzitur nga vetmia.

r.b/NOA

KOMENTE