English

Hoxhaj merr garanci nga Frattini për rrugën drejt integrimit

E mërkurë, 7 shtator 2011, NOA- Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj gjatë vizitës së tij në Itali u takua me homologun Franko Frattini. Ministri Hoxhaj që në fillim të takimit falenderoi Frattinin për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë ë Kosovës në forcimin e shtetit dhe në perspektivën evropiane. Nga ana e Hoxhaj në një konferencë për mediat e mbajtur menjëherë pas takimit ka theksuar se, marrëveshjet që priten të nënshkruhen së shpejti ndërmjet Kosovës dhe të Italisë janë ato për heqjen e taksave të dyfishta, për riatdhesim, për transport, në fushën e sigurisë, për transferim, ekstradim të personave dhe marrëveshjen për promovimin e investimeve.

Në vijim ministri Hoxhaj ka ftuar të gjithë biznesmenët italianë që të investojnë në Republikën e Kosovës. Nga ana e tij Frattini është shprehur se, “Shumë shpejt bashkë me MPJ-në e Republikës së Kosovës do të organizojmë në dy qytete shumë të mëdha në Itali një prezantim të shtetit të Kosovës, të mundësive për investime etj. Unë po ashtu do të kërkoj nga ministrat kolegë në Itali që të përshpejtojnë procedurat, në mënyrë që sa më parë të nënshkruajmë disa marrëveshje shumë të rëndësishme për vendet tona”, ka shtuar Frattini. Duke folur për perspektivën evropiane të Ballkanit, dy ministrat janë pajtuar që Republika e Kosovës nuk guxon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave. Ministri italian Franko Frattini ka siguruar Ministrin Hoxhaj se ai dhe Italia do të jenë avokatë shumë të fuqishëm në BE për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. “Ne do të angazhohemi maksimalisht që edhe Republika e Kosovës të gëzojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, ka garantuar Frattini. Lidhur me dialogun me Serbinë, Frattini ka theksuat se marrëveshjet që janë arritur në dialogun teknik mes Kosovës dhe të Serbisë duhet të implementohen. Ministri italian Frattini ka thënë se dy shtetet duhet të implementojnë këto marrëveshje. Sakaq në një takim të gjatë, dy ministrat kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral në fushën e ekonomisë, arsimit, sigurisë dhe kulturës. a.y/NOA

Në foto: Ministri Hoxhaj dhe Ministri Frattini gjatë takimit

KOMENTE