English

Tragjedi ajrore, 43 të vdekur nga rënia e një avioni

Moskë, 7 Shtator 2011 NOA – Një tragjedi ajrore ka ndodhur në Rusi. Autoritetet druhen se të paktën 43 vetë kanë gjetur vdekjen si pasojë e rënies së një avioni. Agjencia shtetërore ruse RIA citon burime zyrtare në Rusi që thonë se një avion me 45 vetë në bord ka rënë në afërsi të lokalitetit Yaroslavl. Ministri rus për Emergjencat tha se dyshohet që 43 ndër 45 vetë që ishin në avion të kenë humbur jetën. Ai tha se dy vetë kanë arritur të mbijetojnë. Avioni i tipit Yak-42 era po udhëtonte nga Moska në drejtim të Minsk, në Bjellorusi kur ra fatalisht në Yaroslavl. Avioni ka marrë flakë në ajër pas ngritjes nga aeroporti, pak pasi kishte lënë tokën. Në avion gjendeshin dhe pjesëtarë të skuadrës së hockey të Yaroslavl, Lokomotiva, skuadër e cila bën pjesë në Continental Hockey League. Skuadra po udhëtonte në drejtim të Bjellorusisë për në ndeshje në Minsk. Agjencia Interfax citon kryeministrin rus Vladimir Putin të ketë kërkuar nga ministri i Transportit, të shkojë në vendngjarje. Tragjedia ndodhi pikërisht në Yaroslasl, ndërsa aty aktualisht po zhvillohet një forum ndërkombëtar politik i organizuar nga Rusia. Në Forum pritej dhe pjesëmarrja e presidentit rus, Dmitry Medvedev. e.t/NOA

KOMENTE