English

Pas humbjes së 29-vjeçarit, lufton me vdekjen i dyti i minierës

Librazhd, 11 shtator 2011, NOA Update - Një ngjarje e rëndë ndodhi në minierën e Katjelit në fshatin Katjel të Komunës Rrajcë, në Përrenjas ku një 29-vjeçar gjeti vdekjen, ndërsa shoku i tij 18-vjeçar u plagos në një galeri të minierës. Dy të rinjtë kishin hyrë në minierë për të vjedhur krom. Ngjarja e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit të sotëm në minierën e Katjelit, në Përrenjas. Sipas të dhënave të policisë së Librazhdit viktima quhet Dashamir Logjini, 29 vjeç, ndërsa personi tjetër i plagosur rëndë është Edison Myftari, 18 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në thellësitë e një galerie të mbyllur, 150 metra nën tokë, ku të rinjtë kanë rrëshqitur aksidentalisht çka shkaktoi vdekjen e 29 vjeçarit, Dashamir Logjini, dhe plagosjen e rëndë të shokut të tij Edison Myftari. Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se ndërsa të rinjtë nuk po ktheheshin në shtëpi as në orët e vona të natës familjarët e tyre janë alarmuar dhe janë nisur drejt minierës për të kontrolluar, ndërsa kanë njoftuar edhe policinë e Librazhdit. Ishte policia që zbuloi dy personat e mbetur në thellësi të minierës. Më pas Edison Myftari, është dërguar menjëherë në spitalin e Librazhdit e më pas në spitalin e Elbasanit, ku po lufton me vdekjen. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Sipas të dhënave minierat e Katjelit janë të rrezikshme, andaj ato kanë qenë të mbyllura nga ekspertët e minierave, dhe nuk lejohej shfrytëzimi i tyre. Por mësohet se në mënyrë të paligjshme hera herës ka patur persona të Katjelit dhe fshatrave rreth e qark kanë shkuar aty për të marrë mineral kromi për shitje. Kjo është bërë shumë herë problem nga policia, ndërsa janë ndaluar edhe persona të ndryshëm që hynin në minierat e bllokuara apo të mbyllura që përbënin rrezik për jetën. Sipas policisë viktima Dashamir Logjini kishte precedent penal nga policia e Librazhdit për hyrje të paligjshme dhe të përsëritur në minierat e braktisura të Katjelit. Policia thotë se dy shtetasit kanë hyrë deri në 100 metra në thellësi të minierës duke rënë më pas në një pus ku gjeti vdekjen e menjëhershme Dashamir Logjini, ndërsa u dëmtua rëndë Edison Myftari. Policia e Librazhdit i bën apel banorëve të mos ndërmarrin hyrje të tilla të paligjshme nëpër minierat e braktisura. Sipas saj ka disa miniera në këtë zonë, të cilat po shfrytëzohen në mënyrë të paligjshme si në Malin e Shebenikut, në Përrenjas, Qukës, Bushtricë, Skroskë, Katjel, Rrajcë, Pishkash etj, ku kanë humbur jetën shumë persona. Ndërkohë i bëhet thirrje shtetit të ndalojë në mënyrë kategorike shfrytëzimin pa kriter të minierave të braktisura apo të atyre të reja ku punohet me mjete primitive. mit/NOA

KOMENTE
  • Blediyes21:44 - 11 Shtator 2011
    po cfare thoni ju ore rreshkiti.....apo e gjeti policia trupat e tyre pse si mendoni ju se do thote policia qe i gjeti nje i aferm po behet cbehet gjithmon e shteti i merr meritat,,,jo mor njerez jo ato plasen dinamit aty,per te marr krom sepse skane njerezit me cfare te nxjerrin buken e gojes po keta qe shkruajne edhe ata qe dalin neper mikrofona vetem per te llomotitur jane e per karrige,,,,po cte besh mjere populli jone me keta gazetar e qeveritar//////////.