English

Topi te familja e gjyqtarit të vrarë: Ekzekutimi, akt kriminal i paprecedent

Vlorë, 11 shtator 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi ka vizituar gjatë mesditës së sotme familjen e gjyqtarit të ekzekutuar dy ditë më parë me eksploziv në qendër të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Kreu i Shtetit i shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj dhe nga anëtarë të tjerë të kabinetit kanë ngushëlluar personalisht familjen Konomi, e cila humbi njeriun e tyre të shtrenjtë. Gjatë vizitës së ngushëllimit në banesën e familjes Konomi, Presidenti Topi u shpreh: “Nuk gjej fjalë për t’ju shprehur ngushëllimet e mia, pasi tragjedia është jashtëzakonisht e rëndë. Duke dënuar ashpërsisht këtë akt kriminal e barbar të paprecedent, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj që ta përballoni me forcë këtë moment jashtëzakonisht të vështirë duke ju siguruar njëkohësisht se shteti shqiptar dhe të gjitha strukturat përkatëse të zbatimit të ligjit po punojnë intensivisht për zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë”. Ai e cilësoi ekzekutimin e gjyqtari vlonjate si një humbje të madhe, e cila ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe në mënyrë të veçantë, sistemin gjyqësor. a.y/NOA

Në foto: Gjyqtari i ekzekutuar, Skerdilajd Konomi

KOMENTE