English

Konkursi, më shumë regjistrues maqedonas e turq në komunat shqiptare

Shkup, 13 shtator 2011, NOA - Kandidatët shqiptarë kërkojnë sqarime lidhur me përfshirjen e numrit më të madh të regjistruesve maqedonas dhe turq në disa komuna shqiptare. Kandidatët shqiptarë të interesuar për tu angazhuar si regjistrues rajonal në regjistrimin e popullsisë që do të mbahet nga 1-15 tetorMaqedoni kanë reaguar lidhur me ndarjen dhe rezervimin e vendeve për regjistrues në komunat me shumicë shqiptare. Reagimi i tyre i bërë pranë agjencisë së lajmeve INA ka të bëjë me konkursin e publikuar ku në disa komuna me shumicë dominuese shqiptare më shumë vende janë rezervuar për komunitetet joshqiptare. Sipas tabelës kjo ndodh me komunat: Dibër, Likovë, Haraçinë, Studeniçan, Saraj, Zajaz, Osllomej, Vrapçishte, Bogovinë, Tearcë, Zhelinë, etj. Kandidatët shqiptarë kërkojnë sqarime lidhur me përfshirjen e numrit më të madh të regjistruesve maqedonas dhe turq në disa komuna shqiptare. Raste evidente janë komuna e Likovës me mbi 99 përqind popullsi shqiptare, ku sipas konkursit pranohen 10 regjistrues rajonalë maqedonas, 40 regjistrues shqiptarë dhe 79 regjistrues serb. Pra në këtë komunë dominojnë regjistruesit serb. Në Zajaz konkursi parashikon 55 regjistrues maqedonas dhe 23 shqiptarë, në Osllomejë 44 maqedonas dhe 23 shqiptarë, në Dibër 43 maqedonas dhe 33 shqiptarë, në Vrapçishte 4 maqedonas, 41 shqiptarë dhe 73 turq, në Bogovinë 1 maqedonas, 35 shqiptarë dhe 67 turq, në Saraj 75 regjistrues maqedonas dhe 45 regjistrues shqiptarë, në Studeniçan 3 maqedonas, 28 shqiptarë dhe 38 turq dhe në Haraçinë 23 maqedonas e vetëm 14 shqiptarë, etj. Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Regjistrimit sot pritet të sqarojnë lidhur me këto shqetësime dhe reagime të disa kandidatëve për regjistrues. Partia shqiptare në pushtet BDI theksoi se në regjistrimin e popullsisë ka përfaqësim adekuat të shqiptarëve, që nënkupton se do të jenë të përfshirë mbi 15 mijë regjistrues shqiptarë në të gjitha nivelet e regjistrimit. Komisioni Shtetëror i Regjistrimit shpalli javën e kaluar konkursin për pranimin e regjistruesve dhe këto ditë pritet mbyllja e tij dhe pranimi i kandidatëve sipas këtyre kuotave. Nuk dihet nëse në kuadër të këtyre shifrave a bashkëngjiten kandidatët që kanë marrë pjesë në konkursin e parë të muajit shkurt – mars, që ishte shpallur për regjistrimin e popullsisë më 1 prill, por që u anulua për shkak të zgjedhjeve të parakohshme të qershorit të këtij viti. INA/NOA

KOMENTE