English

Partitë shqiptare të ndara për regjistrimin e popullsisë

Shkup, 14 shtator 2011, NOA - Partitë shqiptareMaqedoni janë të ndara rreth regjistrimit të popullsisë që do të mbahet nga 1 tetori deri në 15 tetor të këtij viti. Ndërsa BDI ka dhënë mbështetje të fuqishme për këtë proces, duke u angazhuar për mbarëvajtjen dhe transparencën e tij, partitë opozitare PDSH dhe RDK kanë hedhur dyshime mbi mundësinë e manipulimit me shifrën e shqiptarëve, për shkak të mungesës së një numri të madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë përkohësisht jashtë vendit. “BDI-ja po e ndjek me kujdes të veçantë këtë proces, sepse mendon se regjistrimi i popullsisë është proces shumë i rëndësishëm ku duhet të përfshihen të gjithë qytetarët e RM-së”, ka deklaruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. BDI ditë më parë paralajmëroi se në procesin e numërimit të popullsisë do të jenë mbi 15 mijë regjistrues shqiptarë. Kjo parti bëri thirrje që qytetarët që janë jashtë vendit të regjistrohen përmes të afërmve të tyre që jetojnë në vendlindje dhe se në këtë drejtim kërkohet siç nënvizohet “seriozitet dhe syçeltësi për të përfshirë të gjithë në procesin e regjistrimit”. PDSH ka hequr dorë nga qëndrimi për të ftuar shqiptarë për bojkot të regjistrimit, mirëpo kjo parti paralajmëron se procesi nuk do të jetë i suksesshëm. “Për ne regjistrimi është një punë shumë serioze, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë këtë çështje nuk e marrin me seriozitet dhe në këtë rast veprojnë me servilizëm ndaj partnerit të tyre qeverisës. Regjistrimi duhet ta tregojë pasqyrën e vërtetë të popullsisë në shtet”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Metin Izeti. Ai shtoi se regjistrimi nuk do të jetë i suksesshëm pasi nuk do të përfshihen të gjithë shqiptarët. Kjo parti kërkoi që regjistrimi të shtyhet për verën e vitit të ardhshëm, kur një numër i diasporës qëndrojnë për pushime në vendlindje. Ajo paralajmëroi se do të parashtrojnë amendamente për Ligjin për Regjistrim. RDK vlerëson se regjistrimi i popullsisë për muajin e ardhshëm është një vendim politik i pamatur dhe që ngjall dyshime serioze në rezultatet që do të pasojnë nga ky proces. “Logjika e shëndoshë thotë se ju nuk mund të regjistroni qytetarët dhe pasurinë e tyre nëse personat në fjalë në kohën e regjistrimit nuk janë prezent në vendbanimet e tyre. Mendoj se me këtë pëlqim të dhënë, BDI përsërit gabimin e bërë me organizimin e zgjedhjeve në qershor dhe me mundësimin që VMRO i fitoi tre deputetë nga diaspora. Mendoj se propozimi i partisë tjetër opozitare PDSH është mjaft i arsyeshëm dhe racional që regjistrimi të shtyhet dhe të organizohet në kohën nuk emigrantët tanë do të jenë në vendlindje, sepse vetëm atëherë mund të kemi një pasqyrim real të popullsisë në bazë etnike dhe kulturore. Në të kundërtën ekziston dyshimi serioz që rezultati i regjistrimit të jetë paraprakisht i manipuluar në funksion të mosrrezikimit të përqindjes së popullit 20%, duke ulur pjesëmarrjen e shqiptarëve në raport me regjistrimin e para një dekadë, por jo ndër 20%”, theksoi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani. Edhe partitë e vogla shqiptare si BDSH, PPD, BDK dhe DR kohë më parë kishin shpalosur qëndrime kundër regjistrimit të popullsisë pa përfshirjen e diasporës shqiptare. INA/NOA

KOMENTE