Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ambasadorja gjermane: Duhen ujë dhe kanalizime, që të integroheni në BE
English

Ambasadorja gjermane: Duhen ujë dhe kanalizime, që të integroheni në BE

Ambasadorja e RF të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper pohon se furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, furnizimi me energji elektrike dhe aspekti i mirëqeverisjes janë nga ata sektorë që do të arrinin ta çonin Shqipërinë përpara në rrugën e vet drejt integrimit evropian. Në një intervistë për DW Holtkemper ndalet dhe në argumentet politike, teksa përshëndet hapat e bashkëpunimit pozitë-opozitë. Ajo kërkon të fillohet me realizmin e rekomandimeve të OSBE. Mesazhi kuptimplotë: Ora edhe për disa sekonda shkon 12 - bashkëpunoni për progresin

Zonja Ambasadore, ka shumë pritmëri në opinionin e brendshëm, por dhe nga faktori ndërkombëtar, që ky sezon parlamentar që sapo ka nisur, do të japë efekte pozitive në zgjidhjen e krizës politike në vend. Por nga seancat e deritanishme, dhe nga aktiviteti parlamentar në tërësi, duket se palët lëshojnë më shumë deklarata për nevojën e konsensusit në kryerjen e reformave, në një kohë që qëndrimet janë sërish të skajshme. Cili është opinioni juaj për këtë? Të dyja palët kanë deklaruar për opinionin publik, apo për delegacione të ndryshme se kanë dëshirën për të bashkëpunuar me njeri – tjetrin, dhe unë pikërisht këtyre deklaratave do të doja t'u përmbahem. Hapat e parë në lidhje me këtë kontekst kanë ndodhur tashmë. Ky është një fakt që dëshirojmë ta përshëndesim dhe i inkurajojmë të dyja palët që të ecin kundrejt njëri-tjetrit për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive, në radhë të parë në parlament, si dhe në kuadër të punës me komisionet parlamentare atje. Opozita është kthyer në parlament tashmë, dhe asaj i nevojitet hapësira e nevojshme e lëvizjes për të përmbushur misionin e saj, si një opozitë e një sistemi demokratik. Dhe kjo hapësirë i duhet krijuar. Të mërkurën në mbrëmje ju u përpoqët gjatë ceremonisë së kremtimit të 20-vjetorit të Fondacionit "Friedrich Ebert" në Shqipëri, që të kishte një shtrëngim simbolik duarsh mes kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës Rama. Por ata mbajtën fjalime, shtrënguan duart me përfaqësuesit e Fondacionit dhe të ftuarit në ceremoni, dhe as nuk arritën ta shikojnë njeri-tjetrin në sy. Është ky detaj shenjë se ulja në tryezë dhe kompromisi mazhorancë-opozitë për problemet më të rëndësishme të vendit është ende larg? Ne e përshëndesim veçanërisht faktin që kryeministri Sali Berisha dhe shefi i opozitës Edi Rama, për herë të parë pas një periudhe të gjatë kohe, u shfaqën publikisht së bashku dhe 20-vjetori i themelimit të Fondacioni “Friedrich Ebert” në Shqipëri ofroi një rast të përshtatshëm. Fondacioni “Friedrich Ebert”, ashtu si fondacione të tjera politike në Shqipëri, ka patur dhe ka si objektiv krijimin e një kulture demokratike pluraliste në vend. Kjo ka ndodhur si kur PD-ja ka qenë në qeverisje, ashtu dhe kur PS-ja ka qenë në të njëjtat pozita. Dua të theksoj se aktiviteti i parë i Fondacionit “Friedrich Ebert” në Shqipëri në qershor të vitit 1991, ishte një seminar mbi ekonominë sociale të tregut. Siç e shikoni kjo është një temë më shumë e natyrës konservatore, që mund ta mbulonte Bashkimi Kristiandemokrat në Gjermani. Kjo është shenjë e pavarësisë ideologjike të këtyre fondacioneve politike në aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe diapazonin e gjerë. Tani është në dorë të shqiptarëve që pas fjalëve të vijnë veprime konkrete dhe të vijohet me procesin e reformave dhe kjo ka rëndësi thelbësore për ecurinë e vendit. Më pas ajo që ka rëndësi është zbatimi i këtyre ligjeve që miratohen. Zonja Ambasadore, pas pak javësh Komisioni Evropian do të prezantojë Raportin e progresit për Shqipërinë dhe do të ketë një vlerësim për kërkesën që ka bërë Tirana zyrtare për marrjen statusit të vendit kandidat për në BE. Cila është pritmëria juaj nga 12 tetori? Raporti i ardhshëm i progresit nga Komisioni Europian për Shqipërinë do të publikohet pas më pak se një muaji. Për këtë arsye gjatë kësaj jave patëm vizita të rëndësishme në Shqipëri sikurse ishte ajo e dy ministrave të jashtëm të Italisë dhe Greqisë, apo dhe ajo e dy deputetëve gjermanë, njëri i mazhorancës dhe tjetri i opozitës në Bundestag. Ata kanë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë politik në Shqipëri dhe mesazhi ka qenë i qartë dhe konsistent: apelojmë si te qeveria, ashtu dhe te opozita për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive në të mirë të progresit. Ora tashmë është disa sekonda para 12-s. Ne nuk presim që ora të ndalojë këtu, ne nuk presim gjithashtu surpriza të cilat do të na vinin si të befta. Periudha e vëzhgimit të Shqipërisë nga ana e Komisionit Europian – e kemi përsëritur disa herë- është në përfundim dhe pjesa më e rëndësishme ka qenë deri përpara verës. Raporti përfundimtar i ekipit të vëzhguesve të ODIHR-it publikuar së fundi kishte jo vetëm vlerësime për zgjedhjet lokale të 8 majit, por dhe një paketë rekomandimesh e sugjerimesh. Sa rëndësi ka diskutimi i kësaj pakete për përmirësimin e standardeve zgjedhore në Shqipëri, si një kusht thelbësor për integrimin e vendit në BE? Është një tregues mjaft pozitiv fakti që të gjitha partitë, jo vetëm e kanë pranuar raportin e ODIHR-it, por dhe i kanë përshëndetur rekomandimet që ai ofron. Tani është e rëndësishme që të fillohet me realizmin e këtyre rekomandime, në mënyrë që ato që janë thënë të bëhen në kohë, para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ky proces mendoj duhet të përfshijë jo vetëm partitë që tashmë përfaqësohen në parlament, por dhe partitë e vogla, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në mënyrë që ai të jetë sa më inkluziv dhe gjithëpërfshirës sa të jetë e mundur. Këtu nuk duhet harruar që ky proces të bëhet me profesionalizmin e duhur. Në kuadër të marrëdhënieve mes dy vendeve, pritet që së shpejti përfaqësues të dy qeverive të diskutojnë mbi protokollin e bashkëpunimit për të ardhmen mes Gjermanisë e Shqipërisë. Cilat janë disa nga aspektet e këtij bashkëpunimi, si do të vijojnë prioritetet e mbështetjes gjermane për Shqipërinë? Në fillim të tetorit, ne do të kemi mundësinë që së bashku me partnerët tanë shqiptarë të zhvillojmë konsultime qeveritare mbi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona. Ky është një proces që sipas traditës ecën në dy faza. Fillimisht janë konsultimet qeveritare, dhe më pas vitin e ardhshëm, do të zhvillohen bisedimet për të përcaktuar qartë programin e bashkëpunimit dypalësh. Sigurisht që ne nuk presim zhvendosje të thekseve të bashkëpunimit tonë. Do të mbetemi të fokusuar tek të njëjtët aspekte kyçe: furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, furnizimi me energji elektrike dhe në aspektin e mirëqeverisjes. Këto janë nga ata sektorë që do të arrinin ta çonin Shqipërinë përpara në rrugën e vet drejt integrimit evropian. Por, ne vijojmë të mbetemi të hapur edhe për propozime të tjera nga ana e palës shqiptare, pasi ky është një proces dypalësh mes vendeve tona.

KOMENTE