English

Fundi i WikiLeaks, si fillimi i një epoke

Të gjithë do të mësojnë nga dështimet e z. Assange. Njerëzit do të kenë më shumë rrugë për të ‘rrjedhur’ sekrete dhe do të mendojnë më gjatë para se t’ia besojnë dikujt-posaçërisht mediumeve që mëtojnë se janë të besueshme dhe me njohuri teknologjike Nga The Economist Nëse hapësira kibernetike do të kishte ajër, ai do të ishte i trashë dhe armiqësor. Falë një serie ‘rrjedhjesh’, komplikuar nga ego sekret-nxjerrëse e luftarake, një thesar i plotë prej 251 mijë kabllogramesh diplomatike, vjedhur ambasadave amerikane, janë publikuar online. Rezultati mund të jetë fatal për WikiLeaks e po ashtu shpalosës gabimesh të trasha e sikletosëse të qeverive. Një kabllogram akuzon trupat amerikane se kanë ekzekutuar një familje irakiane, përfshirë pesë fëmijë të vegjël në vitin 2006. (Qeveria irakiane ka rihapur një investigim mbi këtë rast) Një tjetër merret me sigurinë e planeve afatgjata nukleare të Kinës. Në një të tretë, një ministër bullgar pranon se i ka ngatërruar mjedisorët rreth legjislacionit për produktet bujqësore të modifikuara gjenetikisht.

Kabllograme të publikuara më parë paraqisnin edhe opinione të pashtrembëruara. Por seria e re përfshin emrat e njerëzve që kanë komunikuar me zyrtarët amerikanë. Në vende si Kina kjo mund të sjellë pasoja të tmerrshme. Edhe avokatët më të fortë të ‘qeverisë së hapur’ nuk do ta mbronin publikimin (edhe kjo në kabllo) të numrave të telefonave privatë të udhëheqësve të huaj, si për shembull Mbretëresha e Holandës (një shënim shton se ajo flet mirë anglisht). WikiLeaks më parë kishte bashkëpunuar me partnerë në media, të cilët i edituan detajet sensitive, megjithëse raportet me to tani nuk janë si më parë.

Shkaku ishte një fiasko e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, i cili i dha gazetarit të The Guardian David Leigh disa kopje të dosjes kryesore që përmbante të gjitha kabllogramet e riprodhuara online, të gjitha të kodifikuara me të njëjtin fjalëkalim (në fakt një frazë). Leigh më vonë e publikoi frazën në një libër (ai thotë se mendoi se nuk ishte më e vlefshme). Njerëzit-ndoshta duke përfshirë mbështetës të dikurshëm të tëhuajësuar me Asangen-filluan të japin detaje derikur sekreti nuk ishte më i tillë. WikiLeaks tani i është bashkuar sajteve të tjera, duke i publikuar kabllogramet të plota.

Menaxhimi i dosjeve nga ana e z. Assange lë për të dëshiruar, por budallallëku i z. Leigh duket edhe më i madh: duke ditur se të dhënat dixhitale kopjohen me lehtësi, ruajtja e fjalëkalimeve është më e rëndësishme se ruajtja e dosjeve. James Ball, një ish-aleat që tani punon për The Guardian, thotë se z. Assange kishte ndërmend të publikonte shumicën e kabllogrameve, të paredaktuara, gjithsesi, pasi i kishte dhënë medias pjesën më bombastike.

Sidoqoftë, dëmi është bërë. Diplomatët tani mund të jenë më të kujdesshëm kur shkruajnë kabllograme, por puna e tyre nuk ka ardhur deri aty sa të ndalet. ‘Rrjedhjet’ e kabllove dëshmojnë “se nuk na kanë gënjyer”, thotë një diplomat. Linja që zyrtarët amerikanë mbanin me aleatët e tyre ishin kryesisht të njëjta me ato që ato u treguan shefave të tyre, thotë ajo. Carne Ross, një ish-emisar britanik që tani është shef i Independent Diplomat, një firmë konsulence, thotë se rreziku i rrjedhjeve mund të inkurajojë më shumë integritet nga ana e zyrtarëve. Një politikan i lartë europian e anashkalon këtë me termin “gjepura”.

Ngushëllimi i vetëm për diplomatët e sikletosur dhe ndërmjetësit e tyre të frikësuar është se një tjetër rrjedhje e kësaj shkalle ka pak gjasa të ndodhë. Amerika i ka shtrënguar rregullat që dikur u jepnin 2.5 milionë njerëzve-përfshirë ‘rrjedhësin’ e dyshuar Bradley Manning- akses te çdo gjë e klasifikuar “sekret”. Shumica e qeverive të vendeve të tjera të pasura ishin ndërkohë më të kujdesshme se Amerika; tani ato janë edhe më shumë të tilla.

Por rekordet dixhitale janë në thelb të ekspozuara. WikiLeaks është vetëm një tjetër shembull prominent i sulmit mbi sigurinë e qeverive. Një operacion i koduar GhostNet, sipas gjasave i filluar në Kinë, vodhi informacione nga më shumë se 100 vende. Secili prej këtyre informacioneve mund të ‘rrjedhë’. Vetë WikiLeaks duket se është në telashe. Daniel Domscheit-Berg, një prej protagonistëve të WikiLeaks, është larguar për të hapur ‘ofiçinën’ e vet të quajtur OpenLeaks. Mungesa e tij e përkohshme i gjymtoi mundësitë e WikiLeaks për të pranuar ‘hyrje’ të reja. Ka patur probleme me fondet (mund të blesh veshje të Ku Klux Klanit me karta krediti, por për muaj me radhë kompanitë e kreditit nuk lejonin donacione për Wikileaks). Z. Assange, i përndjekur nga informacione për sjellje të keqe, po lufton kundër ekstradimit nga AngliaSuedi, ku akuzohet për ngacmim seksual. Megjithëse WikiLeaks mund të jetë një dallgë e madhe, ndryshime më të mëdha në publikimet online tani kanë më shumë rëndësi.

Trashëgimia e tij megjithatë do të mbetet. WikiLeaks nuk ishte e para që krijoi një postë elektronike të ‘letrave të kthyera’, por ishte e para që u përpoq të ndërthurte me një strukturë ligjore aq solide sa struktura e saj teknike, duke i bazuar serverat e saj në vende me ligje të forta privacie. Kopje të saj kanë mbirë ngado, megjithëse SafeHouse, një faqe postimesh e Wall Street Journal, u kritikua së tepërmi për paralajmërimet dhe kushtet e tij.

Megjithatë, kjo qasje mund të jetë më e ndershme. Përsëritja e WikiLeaks, me sa duket, është gjë e vështirë. OpenLeaks po përpiqet dhe ndryshe nga WikiLeaks planifikon që t’i lejojë ‘rrjedhësit’ të vendosin vetë se kush mund ta lexojë materialin e tyre; por afërsisht një vit pasi z. Domscheit-Berg filloi punë, ende nuk pranon ‘rrjedhje’. Dhe ai po bën armiqtë e tij. Një grup hakersash gjermanë ‘Chaos Computer Club’ e ka përjashtuar, pasi ai, me gjasë, u ka kërkuar anëtarëve të testojnë sistemin e tij. Në fakt, thonë raporte të medias gjermane, hakersat mendojnë se ai nuk ishte sjellë si duhet me z. Assange.

‘John Young of Cryptome’, faqja më e vjetër dhe më e mirë e ‘rrjedhjeve’, thotë se gabimi themelor i bërë nga WikiLeaks ishte premtimi për një nivel të pamundur sigurie. (Cryptome thotë shprehimisht se “kurrë nuk mëton se është i besueshëm, autentik apo i sigurt…”). Të gjithë do të mësojnë nga dështimet e z. Assange. Njerëzit do të kenë më shumë rrugë për të ‘rrjedhur’ sekrete dhe do të mendojnë më gjatë para se t’ia besojnë dikujt-posaçërisht mediumeve që mëtojnë se janë të besueshme dhe me njohuri teknologjike. Qeveritë dhe kompanitë do të jenë më të kujdesshme rreth asaj që hedhin online. Ç’hedh atje, nuk fshihet më.

KOMENTE