Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Dështimi, shkarkohet drejtori i CEZ
English

Dështimi, shkarkohet drejtori i CEZ

Në foto: Ish-Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i ÇEZ-it, Martin Roman

Largohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i ÇEZ, Martin Roman. Kryeministri i Çekisë: Rezultatet e blerjeve të kompanive të huaja, të pakuptueshme. Mediat e huaja: Pritet largimi nga Shqipëria, Rumania dhe Sllovakia. Kush ishte njeriu që korruptonte politikanët. Shqipëria, historia e një privatizimi politik Nga Thanas Mustaqi Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë çeke CEZ, Martin Roman, është larguar nga puna, pas akuzave për menaxhim në kundërshtim me vullnetin e qeverisë, punësim mercenarësh, investime të pakuptimta për blerje kompanish të huaja dhe përkeqësim të imazhit të kompanisë. Sipas medieve të huaja, tashmë pritet që kompania të fokusohet në investimet bërthamore dhe të tërhiqet nga “aventurat e dështuara” në Shqipëri, Rumani dhe Sllovaki. Largimi i Martin Romanit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të ÇEZ-it vjen vetëm disa ditë pasi qeveria çeke bëri publike planet e saj për të dyfishuar kapacitetin bërthamor të vendit, shkruan e përjavshmja "Investigim".

“Ka pasur një perceptim nga ana e qeverisë dhe publikut që menaxhimi i CEZ-it është i pavarur nga ajo që aksioneri dëshiron. Tani ka një mesazh të qartë se aksioneri është shefi”, - tha ambasadori i Sigurisë Energjitike në Ministrinë e Jashtme Çeke Vaclav Bartushka, i cili ka një rol udhëheqës këshillues në qeveri për projektin “Temelin”. Kryeministri i Republikës Çeke Petr Neças dhe drejtori i përgjithshëm i ÇEZ-it Martin Roman thanë se vendimi ishte reciprok dhe se do të ekzekutohej në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, por duhej të përshpejtuar për shkak se informacioni kishte rrjedhur në media dhe pasiguria në muajt që pasuan do të dëmtonin aksionet e kompanisë. Ndërkaq, në ditët e para pas largimit të Romanit, Neças u justifikua se kjo ka qenë hap kritik për strategjinë më të fundit të kompanisë, kur ka qenë në drejtimin e Romanit, dhe tha se priten më shumë ndryshime në krye të udhëheqjes së kompanisë. “Përfundon një epokë zhvillimi, që lidhet kryesisht me blerjet e kompanive të huaja jashtë vendit dhe fillon një tjetër, temë kryesore e së cilës do të jetë zgjerimi në sektorin e energjisë bërthamore”, tha Neças-i për “Bloomberg News”. Ai i deklaroi të përditshmes çeke “Mlada fronta Dnes” se Roman-i kishte punësuar në drejtorinë e përgjithshme njerëz që vepronin si “mercenarë”, duke u fokusuar vetëm në rezultate të menjëhershme financiare dhe jo në një strategji afatgjatë. “Unë i kam vlerësuar rezultatet e blerjeve të kompanive të huaja si të pakuptueshme”,- tha Neças-i në intervistë. Romani ishte në krye të ÇEZ-it në vitet e tij të arta, kur u bë kompania më e madhe e shërbimeve - dhe me të vërtetë kompania më e madhe në drejtim të kapitalizimit të tregut - në Evropën Qendrore nëpërmjet një listë të gjatë blerjesh, duke katërfishuar çmimin e aksioneve që nga emërimi i tij në shkurt të vitit 2004. Megjithatë, ato blerje iu kthyen në fantazma që e ndiqnin nga pas, pasi ra rejtingu i obligacioneve i kompanisë, sipas “Standard & Poor”, nga A- në BBB +, bazuar kryesisht në çka kish mbetur nga shtrirja shumë e madhe e kompanisë për të blerë kompani të huaja të cilat nuk japin mjaftueshëm në fitime. Kompania gjithashtu pati një përkeqësim të reputacionit të saj të përgjithshme, siç dëshmohet nga një hetim i Komisionit Evropian për praktikat antikonkurruese. Grupi ÇEZ është një konglomerat 96 kompanish, 72 prej të cilave në Republikën Çeke. Merret me prodhim, shpërndarje dhe tregti të energjisë elektrike. Operon në Shqipëri, Austri, Bosnjë-Herzegovinë, Bullgari, Gjermani, Hungari, Kosovë, Poloni, Rumani, Serbi, Sllovaki dhe Turqi. ÇEZ, a.s. listohet në bursat e Pragës, Varshavës dhe aksione të ÇEZ-it shiten gjithashtu në bursën e Frankfurtit. Ndërkaq, në Bullgari janë përhapur zëra për largim të mundshëm të ÇEZ-it nga ky vend, por edhe nga Shqipëria, Rumania, dhe Sllovakia, shkruante para tri ditësh gazeta e përditshme e Sofjes “Duma”.

HISTORIA Shqipëria, kronika e një “privatizimi” politik

Në vitin 2008, kompania çeke CEZ u zgjodh për të privatizuar shpërndarjen e energjisë elektrike për shqiptarët. Vendimi për të skualifikuar italianët e ENEL dhe për të preferuar pasardhësit e “Ushtarit Shvejk” nuk ishte thjesht ekonomik, por edhe gjeostrategjik. Vetë mënyra e skualifikimit të gjigandit italian ENEL ishte e dyshimtë. Sipas komisionit të vlerësimit të ofertave, ENEL nuk kishte një plan biznesi dhe kishte mangësi në dokumente. Çekët e CEZ ishin treguar më seriozë se italianët!!! Privatizimi Në 28 prill 2009 kryeministri Berisha mbërriti në Pragës për të dorëzuar aplikimin për statusin e kandidatit në BE. Edhe pse ishte këshilluar të mos e bënte një veprim të tillë nga udhëheqësit e vendeve të BE-së, sepse Shqipëria nuk kishte plotësuar shumë kushte, Berisha “ia la në dorë” aplikimin homologut çek Mirek Topolanek. Që në atë kohë mediat shqiptare shkruan se privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nuk ishte thjesht një procedurë e rastësishme, prapa të cilës fshihej një borxh moral që çekët i detyroheshin shqiptarëve. Qeveria shqiptare sapo i kishte dhënë një copë të majme të ekonomisë kombëtare gjigantit çek të energjetikës ÇEZ, duke u shitur OSSH-në me një çmim fare të ulët. Me një VKM të hartuar para privatizimit, qeveria rriti pronat e patundshme të OSSH-së dhe i hoqi borxhet, duke ia lënë atë buxhetit të shtetit. Çekët e CEZ, fitues të tenderit ndërkombëtar për blerjen e 76 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH), përfituan kështu ulje rreth 60 milionë euro nga çmimi i paracaktuar, ndërsa kishin ofruar vetëm 102 milionë euro për të. Problemet Një vit pas privatizimit të OSSH, Enti Rregullator i Energjisë bën raportin vjetor ku ishte e shkruar e zezë mbi të bardhë se “privatizimi i OSSH kishte rezultuar një dështim”. Sipas raportit të ERE-s për vitin 2009 mësohet se humbjet e energjisë elektrike në shpërndarje kanë nivele të papranueshme, çka reflektohet në nivelin e ulët të faturimeve të energjisë elektrike ndaj konsumit të përgjithshëm. Konkretisht, humbjet e përgjithshme në shpërndarje gjatë vitit 2009, sipas raportimit vjetor të OSSH-së janë në nivelin 33.98 për qind të energjisë së përgjithshme që hidhet në rrjetin e shpërndarjes, kurse niveli i arkëtimeve është raportuar me 76.4 për qind të energjisë elektrike të faturuar. “Koeficienti vjetor i efektivitetit për sistemin e shpërndarjes, i cili merr parasysh nivelin vjetor të humbjeve dhe të arkëtimeve rezulton me 50.4 për qind. Vërehet qarta se niveli i eficiencës në shpërndarje është shumë i ulët çka do të thotë se nga 100 kwh të futur në rrjetin elektrik të shpërndarjes, arkëtohet vlera e vetëm 49,6 kwh”, shpjegohet nga ERE në raport. Më tej institucioni rregullator i energjisë shpjegon se eficienca e ulët në konsumin e energjisë elektrike vjen si pasojë e një menaxhimi të dobët të sektorit të shpërndarjes nga OSSH. “Privatizimi i OSSH-së nuk ka reflektuar akoma ndonjë kthesë në mirëmenaxhim, përkundrazi niveli i arkëtimeve për vitin 2009 është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme në krahasim me një vit më parë”, thuhet në raport. Në sistemin e transmetimit humbjet e energjisë elektrike janë në vlerën e 211 Gwh dhe përbëjnë 3 për qind të energjisë së injektuar në sistemin e shpërndarjes. Ndërkaq Enti Rregullator i Energjisë ka evidentuar si zonat me arkëtim më të ulët qytetin e Kukësit, ku arkëtohet vetëm 9.5 për qind e energjisë së faturuar, pas tij është Shkodra ku niveli i arkëtimeve është 31.2 për qind dhe qyteti i Burrelit ku niveli i energjisë së faturuar është 39.6 për qind. Rritja e çmimeve Në raportin vjetor për vitin 2009, thuhet qartë se menaxhimi që shteti shqiptar i ka bërë shpërndarjes së energjisë elektrike ka qenë më i mirë se menaxhimi privat nga CEZ. Me gjithë problemet e vërejtura në menaxhimin e kompanisë dhe mungesën e arkëtimit në zonat veriore të vendit, kompania çeke vazhdon të kërkojë rritje të çmimit për konsumatorët e rregullt. Me fjalë të varfra, energjinë që nuk e paguajnë fare kuksianët, burrelsit apo shkodranët, duhet ta kompensojnë banorët e qyteteve të tjera të Shqipërisë, të cilët paguajnë rregullisht faturat. Pas rritjes së parë të çmimit, rreth një vit më parë, tashme CEZ kërkon një shtrenjtim tjetër të faturave të shqiptarëve, duke e justifikuar me nevojën e marrjes së një kredie për investime. Teksa qeveria shqiptare duket se i kërkon “llogari të rreptë” çekëve arrogantë dhe cinikë, këta të fundit duket se janë më se të sigurt për t’ua futur edhe një herë tjetër shqiptarëve. Berisha dhe Meta janë përkrah pasardhësve të personazheve të Shvejkut në Tiranë. Ndërkombëtarët

Në foto: Kryeministri i Republikës Çeke Petr Neças

Prestigjiozja britanike “The Ekonomist” ka vënë gishtin në plagë, teksa në një raportim të saj ka vënë në dukje lidhjet e forta që ekzistojnë ndërmjet kompanisë çeke CEZ dhe politikës së këtij vendi. Sipas medias ndërkombëtare, vetë çekët paguajnë për energjinë më shumë se europianët e tjerë, në raport me të ardhurat. Kjo është panorama e “kujdesit për klientët” që kompania çeke ka në vendin e vet. Jo vetëm kaq. Ata sigurojnë të ardhura të jashtëzakonshme, me të cilat paguhen ryshfete për politikanët apo paguhen faturat e fryra të udhëtimeve të tyre turistike. Njësoj si faturat e ish-zv/kryeministrit shqiptar, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij “private” në Pragë. Nga ana tjetër, drejtuesit e kompanisë janë akuzuar edhe për shantazh ndaj klientëve debitorë, ndaj të cilëve janë përdorur masa antiligjore. Duket se cinizmin dhe arrogancën, çekët e kanë “eksportuar” edhe jashtë vendit të tyre. Me argumentimin e mospagimit të detyrimit, tre muaj më parë lanë pa ujë mijëra qytetarë shqiptarë, duke i ndërprerë furnizimin me energji elektrike ujësjellësve të Durrësit, Vlorës e Fierit. Një veprim që, si shumë të tjerë të mëparshëm, nuk mund të jetë i rastit dhe nuk mund ta bëjë një firmë “private” që nuk ka rrënjë të thella në politikë. Logjika e CEZ është e thjeshtë, është logjika e atij që “ia do trapi” të tallet me shqiptarët...

KORRUPTIMI

Me faturat e kripura të CEZ-it, pushime luksi të politikanëve çekë

Në foto: Martin Roman, bosi i CEZ-it, menaxheri më i paguar në një firmë shtetërore çeke

Aktualne.cz, e përditshmja e parë çeke online më 3 gusht 2009 shkruante se media çeke kishte botuar kohët e fundit fotografi që tregonin Mirek Topolanekun në atë kohë kryeministër dhe familjen e tij në një jaht luksoz në shoqërinë e drejtuesit e biznesit çek dhe lobistëve. Fotoja u sigurua nga Karel Randák, ish-kreu i shërbimeve sekrete çeke. Topolanek akuzoi partinë socialdemokrate ČSSD, rivalen kryesore të partisë së tij, se kishte urdhëruar shërbimet e ish-spiunit për të diskredituar atë dhe partinë e tij demokratike qytetare ODS. Kjo shkaktoi një ortek deklaratash në media nga të dy palët kundërshtare. Kryetari i ČSSD Jirzhi Paroubek më në fund i bëri thirrje Topolanekut që të sillte dëshmi për akuzat e tij, gjë që kreu i ODS në mënyrë të përsëritur refuzoi të bëjë. I ndjekur fshehurazi, Topolaneku u fotografua, ndërsa po kalonte pushimet në Itali me familjen e tij, miqtë dhe një grup drejtuesish biznesi dhe lobistësh. Në mesin e atyre të fotografuar ishin Martin Roman, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv në gjigandin e energjisë CEZ dhe lobisti i kompanisë Vladimír Johanes.

Në foto, bosi i CEZ-it Martin Roman në jaht gjatë pushimeve në Itali

Disa ekspertë ishin të mendimit se udhëtimi i përbashkët i politikanëve dhe liderëve të biznesit mund të lidhej me ligjin e miratuar kohët e fundit në një skemë për shitjen e emetimeve të gazit Sipas legjislacionit, CEZ-i, ndotësi më i madh i ajrit në Republikën Çeke, do të fitojë dhjetëra miliarda koruna nga shitja e krediteve të karbonit të panevojshëm. CEZ-i ka hedhur poshtë çdo lidhje midis miratimit të ligjit dhe pushimeve të shefit të tij, Roman, me kryeministrin Topolanek.

Në foto: Topolanek në vilën e Berlusconit

Për shkak të qëndrimeve kontraversiale, deklaratave që kanë shkaktuar probleme të mëdha, skandaleve me pushimet për llogari të CEZ-it dhe fototove nudo në vilën e Berluskonit, të botuara në mediat ndërkombëtare dhe çeke, Topolaneku dha dorëheqjen si udhëheqës i Partisë Demokratike Qytetare në zgjedhjet legjislative çeke, në maj 2010. Zëvendëskryetari Petr Nečas mori postin e tij.

KOMENTE