English

Një javë në grevë urie, kundër gjykimeve të padrejta

Kumanovë, 25 Shtator 2011 NOA - Gjendje e rëndë shëndetësore tek të gjithë grevistët mbretëron në ditën e shtatë të kësaj proteste kundër gjykimeve të padrejta kundër shqiptarëve. Greva e urisë, foto të së cilës ju shihni përbri këtij raportimi, po vazhdon në zyrat e Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kumanovë, ku janë ngujuar të afërm të të dënuarve të Brodecit, Manastirit, Shkupit e Kumanovës, duke kërkuar drejtësi nga organet shtetërore. Më e rëndë raportohet gjendja e të burgosurve shqiptarë në burgjet e Shtipit, Prilepit dhe Idrizovës, për fatin e të cilëve nuk është duke u interesuar askush, përpos zëvendësavokates së Popullit në Shtip. Madje, disa media kanë shtrembëruar të vërtetën duke u shprehur se gjoja të burgosurit janë çuar në kryengritje për shkak të kushteve të vështira në burgje, kurse qëllimi i kësaj proteste me grevë urie është që të del në shesh drejtësia dhe asgjë tjetër. Kryetari i FNDNJ-së, Idriz Sinani, tha se habitet me neglizhencën e institucioneve vendore, e sidomos të atyre që udhëhiqen nga shqiptarët, të cilët deri më tani nuk e kanë ngritur zërin askund për këto padrejtësi. ‘Ndoshta e presin ditën të vijnë të na shohin kufoma dhe të na varrosin, por atëherë më nuk kanë se çka vijnë fare’, u shpreh Sinani. Sipas tij, grevistët janë të vendosur që deri në fund të shkojnë me vetësakrificën e tyre, ndërsa nëse nuk ndërmerret asgjë sa më shpejtë, parashihet që protesta të organizohen në mbarë vendin, kurse greva e urisë të vazhdojë në zyrat e partisë në pushtet, gjyqit, kuvendit republikan ose qeverisë. Grevës kanë paralajmëruar se do t’i bashkëngjiten edhe familjarë të tjerë të të dënuarve të pafajshëm. Grevistët për çdo ditë po vizitohen nga shoqata të ndryshme vendore dhe aktivistë, të cilët po solidarizohen me grevistët. ICHR-IGFM-FNDNJ u bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që sa më shpejtë të ndërmarrin hapa konkret në drejtim lirimit të këtyre të burgosurve të dënuar pa kurrfarë dëshmi relevante, ose më së paku të kthehen këto lëndë në rigjykim. Greva e urisë do të vazhdojë deri në realizmin e qëllimeve të vëna, e ajo është dalja e drejtësisë në shesh. e.t/NOA

KOMENTE