English

Dua t’ia kërkoj sot Saliut

Dua t’ia kërkoj sot Saliut edhe me zë e me figurë që të vijë në një debat përpara shqiptarëve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë të dinë si do të dalim nga ky udhëkryq, ku as Europa s’na nxjerr dot, as shqiptarët s’duan të rrinë Nga Edi Rama Dua si fillim të përgëzoj Erjon Braçen për interpelancën e së enjtes së shkuar ku bëri me fakte e prova konkrete një ekspoze ngjethëse të projektit të grabitjes dhe të shkatërrimit të pasurisë kombëtare. Suksesin e interpelancës e vulosi vetë Saliu. I cili në vend që t’u përgjigjej pyetjeve siç do të bënte çdo kryeministër në botë, që nuk vjedh votat, u ngut të zaptojë foltoren dhe të mbajë një fjalim pa lidhje, që e nisi dhe e bitisi me përralla e marrëzira si për të thënë lërmëni rehat të sundoj e të grabis, se fjalët i merr era. Ndërkohë s’kemi asnjë përgjigje serioze nga pala tjetër për ofertën tonë prej 10 pikash për një Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa. U kemi shtrirë dorën për të shmangur një shuplakë tjetër të Europës ndaj Shqipërisë, duke ndërtuar një proces politik e parlamentar europian dhe kemi marrë mbrapsht fraza që s’kanë asnjë lidhje me asnjë nga çështjet që kemi shtruar. Insinuata në media, akuza në foltoren e Kuvendit apo deri shpifje banale dhe fyerje personale mbi asfaltin e një rruge fshati nga vetë Saliu. Po asgjë për vetë paktin. Sidoqoftë, ne këmbëngulim që të kemi publikisht një qëndrim zyrtar të qeverisë për ofertën tonë; E do apo nuk e do kjo qeveri paktin me opozitën për përshpejtimin e integrimit europian? Do apo nuk do kjo qeveri të adresojë bashkë me opozitën në parlament të gjitha kritikat dhe kërkesat e Bashkimit Europian? Do apo s’do kjo shumicë parlamentare të punojë me opozitën parlamentare për të rimëkëmbur shtetin, reformuar drejtësinë, garantuar pavarësinë e institucioneve me një proces politik europian? Të na e thonë qartë. Të na thonë pse nuk e duan këtë pakt, nëse nuk e duan. Të na thonë çfarë duan të rishohin në këtë pakt, nëse duan të rishohin diçka. Të na thonë çfarë duan të shtojnë në këtë pakt, nëse duan të shtojnë diçka apo shumëçka. Vetëm duke sharë opozitën nuk përshpejtohet integrimi. Duke na thënë që qenkemi të detyruar në emër të integrimit të votojmë çfarë duan ata, ndërkohë që refuzojnë të adresojnë bashkë me ne 12 prioritetet e Bashkimit Europian nuk ka asnjë shans të hedhim asnjë hap konkret për integrimin. Duke mos pranuar ndërtimin e një procesi legjislativ për modernizimin e shtetit, për forcimin e institucioneve në emër të së vërtetës së thjeshtë se integrimi s’është një finish ku po s’arritëm na mjafton të fajësojmë njëri tjetrin, po një mënyrë të jetuari e politikës për të bërë më të mirë Shqipërinë dhe jetën e shqiptarëve, nuk ka rrugë dalje nga spiralja e degjenerimit politik, shtetëror dhe institucional ku ka hyrë Shqipëria. Kjo Shqipëri e konfliktit banal me opozitën dhe hajdutërisë qeveritare, që do veç mjegull, tym, sherr nuk i hyn në punë as Europës, që s’është hiç e detyruar të na pranojë siç jemi, as qytetarëve shqiptarë që janë të detyruar të jetojnë këtu se s’kanë ku shkojnë. Dua t’ia kërkoj sot Saliut edhe me zë e me figurë që të vijë në një debat përpara shqiptarëve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë të dinë si do të dalim nga ky udhëkryq, ku as Europa s’na nxjerr dot, as shqiptarët s’duan të rrinë. Meritojnë të dinë çfarë kemi për t’i thënë njëri tjetrit sy më sy dhe në sy të tyre për ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Meritojnë të dinë nga ne, në një debat të hapur çfarë synojmë, ne, opozita, pikë për pikë, me këtë ofertë me një Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa dhe si mund ta bëjë Saliu si gjithë Europa Shqipërinë pa këtë pakt me opozitën. Nëse nuk e pranon ofertën tonë, natyrisht. Nëse Saliu ka një kundërofertë në kërkim të mirëkuptimit me opozitën për të mbushur gropat e thella që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimit, është i ftuar ta paraqesë. Do ta shohim atë me shumë vëmendje dhe do të angazhohemi plotësisht për ta vënë në jetë nëse i adreson më mirë se oferta jonë ekzigjencat e Bashkimit Europian ndaj qeverisë dhe ndaj opozitës. Një gjë është e sigurt, integrimi s’është si vallja e shpatave që mund të hidhet dhe tek pullë duke bërtitur, po është një simfoni ku parlamenti duhet të funksionojë si orkestër. Me daullen mëngjes, drekë, darkë të qeverisë për arritjet historike nën udhëheqjen legjendare të Saliut dhe me fyerjet e shumicës parlamentare që mblidhet në sallën e Kuvendit vetëm për të bërë hosananë e udhëheqjes dhe anatemimin e opozitës, as trokitet në derën e Bashkimit Europian, as mund të pritet që ajo derë të hapet ndonjëherë. Unë kam bindjen, Saliu nuk e do statusin e kandidatit për Shqipërinë. Afrimi i mëtejshëm i vendit tonë me BE bie ndesh me projektin e tij de facto të shpallur të një shteti pa parlament funksional sipas standardeve europiane. Pa asnjë transparencë në qeverisjen e ekonomisë. Pa Bankë të pavarur të Shqipërisë. Pa rend ligjor dhe as gjykata të pavarura. Pa media të lirë publike dhe as media private të çliruara nga presionet mafioze të pushtetit. Pa shërbim civil në administrimin e shtetit. Shkurt, pa shtet demokratik dhe si përfundim pa pengesa për pasurimin e oborrit të vet në dëm të pasurisë kombëtare dhe të qytetarëve që nuk kanë lidhje me atë oborr. Futja e Shqipërisë në lenten zmadhuese të BE mbi një vend që ka statusin e kandidatit e tret edhe ëndrrën e çmendur orientale të bllokimit të rotacionit politik përmes asgjesimit të lirisë së zgjedhjeve që Saliu kërkon ta bëjë fakt të kryer duke folur ditën për Europën dhe punuar natën për mosafrimin e mëtejshëm me të. Megjithatë kundërshtarin nuk e zgjedhim ne. Dhe në respekt të qytetarëve që ai përfaqëson jemi të detyruar të bashkëjetojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve pa dallim. Që do të thotë se pavarësisht cila është bindja jonë për Saliun, pavarësisht rrugës se si Saliu ka marrë në dorë qeverinë, duke vjedhur votat, pavarësisht qëndrimeve vulgare të tij dhe të pushtetit të tij ndaj opozitës, ne do të vazhdojmë të këmbëngulim në rrugën tonë drejt Europës, duke vënë interesin kombëtar e publik në krye të çdo nisme politike dhe parlamentare si opozitë dhe të çdo fjalie që do të këmbejmë me shqiptarët si e vetmja alternativë europiane e qeverisjes së këtij vendi. Nuk na intereson fare si na gjykon Saliu. Na intereson vetëm që shqiptarët të na gjykojnë duke bërë dallimin e qartë mes palëve. Në secilën nga pikat e paktit që kemi ofruar dhe në të gjitha hapat që do të hedhim javë pas jave e muaj pas muaji deri në ditën e gjykimit të të dyja palëve me votë. Kërkesat, propozime, nismat tona, njerëzit duhet t’i lexojnë jo si një iluzion se Saliu do bëjë ç’kërkojmë ne sot, sepse nuk kemi asnjë iluzion. Ato janë dhe do jenë thjesht shtjellimi hap pas hapi i vizionit tonë të së ardhmes. Kemi diskutuar, bashkarisht, gjerë e gjatë me kryesinë e grupit dhe me kryetarët tanë të të gjitha grupeve të opozitës në komisionet parlamentare, dhe kemi rënë në një mendje që për paktin e ofruar të publikojmë një vizion të zgjeruar dhe të hapur për publikun. Saliu tha javën e shkuar mbi asfaltin ku kishte vënë podiumin, që qe sa gjysma e rrugës që inauguroi dhe që gati sa nuk e quajti arterie historike se ne nuk e duam reformën zgjedhore, dhe madje po e bllokojmë atë. Gënjeshtër që ka dhe një bisht. Saliu po refuzon të pranojë marrëveshjen e propozuar nga negociatorët tanë, ku është shkruar ajo që ka premtuar mbi 100 herë për dy vjet rresht. E kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët sesa shpesh e ka përsëritur që është gati të miratojë çdo propozim të opozitës për Kodin Zgjedhor, që merr dritën jeshile nga ODIHR dhe/ose Komisioni i Venecias. Nuk po pranon nënshkrimin e këtij stërpremtimi dhe prandaj nuk po ecën më tutje. Ne i kërkojmë ta nënshkruajë marrëveshjen për metodologjinë e punës së komisionit të reformës zgjedhore, që e ka në tryezë prej më shumë se 10 ditësh. Ose, të dalë publikisht dhe të thotë kam ndërruar mendim. Nuk do të pranoj çdo propozim të opozitës që merr dritën jeshile nga ODIHR dhe/ose nga Komisioni i Venecias. Domethënë, i kam gënjyer pa dashje 2 vjet rresht shqiptarët dhe ndërkombëtarët, sepse kam menduar që opozita do jetë në bojkot gjithë jetën dhe kam dashur të dalë burrë i mirë. Tani që opozita pret që unë ta mbaj premtimin e stërdhënë, më vjen keq, por e kam të pamundur. E, për ne, s’ka problem, ta thotë e mos ta mbajë bllokuar duke shpifur nëpër katunde, se ne po bllokojmë reformën. Ndërkohë, ne do të organizojmë disa tryeza publike, ku do të shpalosim vizionin tonë për Paktin për Shqipërinë si gjithë Europa, e do hapim me transparencë e përgjegjësi kombëtare dialogun e domosdoshëm për problematikën e këtij pakti, me të gjithë aktorët dhe faktorët, drejtpërdrejtë të lidhur ose të interesuar për këtë proces. Ta fillojmë me një tryezë publike e cila të japë një vizion më të gjerë sesa paragrafët e 10 pikave të paktit. Të ndajmë me njerëzit sipas fushave dhe interesave vizionin tonë mbi çështjet dhe të dëgjojmë e të shënojmë çdo sugjerim bindës të tyre lidhur me çdo çështje në fjalë. Të ndajmë me publikun vizonin për Bankën e Shqipërisë, për procesin parlamentar që propozojmë në Paktin për Shqipërinë si gjithë Europa, lidhur me reformat e shtetit që kërkojnë 3/5 e votës së Kuvendit, për vetë reformën parlamentare dhe mënyrën sesi ne e shohim dhe sesi do ta vëmë në jetë, pa asnjë dyshim, nesër kur të jemi në qeveri, një parlament funksional sipas standardeve europiane. Për kufizimin me Kushtetutë të imunitetit dhe hapjen e një debati më tërësor për Kushtetutën e Republikës, si dhe për Televizionin Publik Shqiptar, Këshillim Kombëtar të Radio dhe Televizioneve dhe gjendjen e mediave në tërësi. Të presim, ndërkohë, një prononcim të qartë për vazhdimin e reformës zgjedhore, ku e përsëris, nuk jemi ne po Saliu që po nguron. S’po them sot po bllokon, se nuk dëshiroj të them fjalën e fundit të parën. Dua të risqaroj këtu qëndrimin tonë lidhur me pikën 9, ku kemi përfshirë faktet apo akuzat e dala në dritë nga kabllogramet. Është kapur si i mbyturi pas fijes së barit qeveria në këtë pikë, për ta shpërfillur paktin dhe për të vazhduar të shpërfillë tërë llumëtirën e dal prej kabllogrameve lidhur me pushtetin e sotëm dhe figurat e tij. Madje duke yshtur altoparlantët e vet në ekranet dhe gazetat që ushqehen në oborrin e pushtetit, që të shkojnë deri në çmendurinë që ta quajnë përfshirjen e kabllogrameve në këtë pakt, si një kërcënim të opozitës për Amerikën, apo të thonë se ne dashkemi të hetohen ambasadorët e vendit më të madh mik. Të jemi shumë të qartë! Kërkesa jonë s’ka lidhje gjëkundi me Amerikën, apo me miqtë e çmuar amerikanë që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në Shqipëri në mbështetje të popullit shqiptar! Pikë! Kërkesa jonë ka lidhje me domosdoshmërinë që publiku shqiptar të dijë të vërtetën për tërë ato tmerre që dëgjoi dhe lexoi, javë të tëra, lidhur me përfaqësuesit e vet politik dhe personazhe kyçe të shtetit të tij. Saliu thotë kabllogramet janë thashetheme, duke ngatërruar diplomacinë më të fuqishme të botës me diplomacinë shqiptare, që e ka kthyer në çerdhe dhëndurësh, nipash, mbesash, kunetërish dhe kushërinj të oborrit të pushtetit. Ne themi, thjesht, që i gjithë Kuvendi të kërkojë me një gjest publik që Prokuroria të dëgjojë çdo deputet të përfshirë me emër në ato kabllograme për çështje të njohura penale apo gjëra të rënda, që tashmë pasi kanë dal në shtyp s’mund të mbeten në ajër dhe as të merren të gjitha për thashetheme totale apo për të vërteta absolute. E nëse prokuroria gjen arsye, jo mbi tekstet e kabllogrameve, po mbi prova e fakte të lidhura me to, të cilat në ndonjë rast konkret mund të gjenden pa vështirësi në dokumente zyrtarë të këtij shteti, si për shembull shembja e tunelit të Kalimashit, si pasojë e ngutjes së dokumentuar të Saliut që ta inaugurojë jashtë kushteve teknike për fushatë elektorale, atëherë të nisë me patjetër hetimet. Si ka mundësi që një klasë e tërë politike të pranojë të shihet nga publiku, i shokuar prej atyre publikimeve, si një bandë kanosëse për shtetin dhe të mos bëjë asgjë për t’u ndarë, me një proces të vetëkërkuar, nga cilido që ka vërtet gisht në punë të zeza?! Kjo është pyetja që na shqetëson dhe s’duam të bëhemi të gjithë njësoj, të zhytur në batak, siç i intereson vetëm Saliut dhe pushtetit të tij, që nuk tregon dot më duart e pastra, por mundohet të bind popullin se këtu të gjitha duart janë të pista, prandaj le ta mbajmë Saliun se nuk ia vlen të kërkojmë ndonjë gjë më të mirë. Së fundmi, por jo për nga rëndësia, pas depozitimit sot në parlament të nismës sonë për heqjen e TVSH-së së bukës, qumështit, vezëve, ilaçeve dhe përgjysmimin e TVSH-së mbi ushqimet bazë, i falënderoj anëtarët tanë të komisionit parlamentar të ekonomisë dhe ekspertët që kontribuuan për formulimin e nismës, drafti i së cilës duhet të bëhet publik menjëherë dhe në pritje të reagimit të qeverisë, sipas procedurës, duhet të përgatisim dhe depozitojmë pa humbur kohë nismën për reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike. Ashtu sikundër duhet të përparojmë shpejt dhe me nismat e tjera që kemi planifikuar në mbledhjen e kryesisë së grupit dhe të kryetarëve të grupeve tona të deputetëve për çdo komision parlamentar. Muaji shtator ishte një muaj pozitiv në punën e grupit parlamentar. Këtë muaj të vazhdojmë të rrisim cilësinë e performancës në komisione dhe në sallën e Kuvendit, duke treguar përditë e më qartë kush jemi, si duam të funksionojë ky parlament, ky shtet, ky vend dhe si do ta qeverisim ne këtë vend nesër. Sepse, kush është Saliu dhe sa mbrapsht qeveriset sot Shqipëria, pa institucione, pa gjykata, pa shtet, pa rend ligjor, e pa pengesa për pasurimin marramendës të oborrit të pushtetit të tij, e kanë marrë vesh të gjithë. E kanë marrë vesh me siguri edhe peshqit e mbetur në Liqenin Artificial.

KOMENTE