Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Paradoksi Withers
English

Paradoksi Withers

Nga Artan Hoxha

1. Gjysma e dytë 10-ditore e jetës 20-ditore të paktit opozitar “Për Shqipërinë si gjithë Europa” filloi e mbaroi me WikiLeaks. Periudha u shënua nga letra e hapur e ish-ambasadorit amerikan John L. Withers II, përçuar publikut, ekskluzivisht nga Top Channel, të mërkurën e kaluar. Withers, tashmë në pension, iu përgjigj, nga Amerika e largët, me nismën e tij, akuzës së Berishës, përsëritur për të n-tën herë, mbi axhendën personale të ish-ambasadorit. Withers, në letër, thotë, për të n-tën herë, se ai nuk ka pasur axhendë të këtillë.

2. Akuza për axhendë personale të Withers ka më shumë se tri vite në qarkullim të pandërprerë. Kundërpërgjigjet dhe kundërargumentet po ashtu. Publiku shqiptar ka pasur të gjitha mundësitë të krijojë bindjet e veta. Një pjesë mendon se s’ka pasur axhendë personale, një pjesë se ka pasur dhe një pjesë- o nuk kanë opinion, o nuk e vrasin mendjen. Letra Withers nuk sjell asnjë argument të pathënë, që të ndryshojë shpërndarjen e opinionit të publikut para saj. Vetë Withers përdor WikiLeaks si argument mbrojtës. Edhe Berisha po këtë përdor si argument akuze. 3. Ndaj, letra Withers është pa efekt. Ajo nuk i shërben qëllimit të vet, rrëzimit të akuzës. As edhe ndonjë modifikimi, qoftë edhe të lehtë, të shpërndarjes së opinioneve. Punë pa bukë. Po kështu edhe riakuza Berisha. As ajo nuk ndryshon shpërndarjen e opinionit të publikut. Ç’fitoi se e ritha? Në fillimet e demokracisë kemi pas bërë kësi ankimesh për ndonjë ambasador. Naivitet! S’ka ndodhur ndonjëherë që të na jepnin të drejtë autoritetet e shtetit përkatës. Ç’kuptim ka të vazhdojë kjo edhe sot?! Veçse, Berisha këtë radhë foli pasi u pyet nga Blendi Fevziu në “Opinion”. Withers e mori vetë nismën të dërgojë letër. 4. Ambasadori Arvizu s’ka reshtur së thëni e s’argumentuari se një ambasador amerikan nuk ka axhendë personale e se ata përfaqësojnë Presidentin e ShBA. A plotëson letra Withers ndonjë boshllëk a dobësi në përpjekjet e Arvizu-së? Nëse po, letra merr kuptim, por shpreh, indirekt, edhe një pakënaqësi ndaj Arvizu-së për boshllëkun e lënë a dobësinë e shfaqur! Nëse nuk ka boshllëk a dobësi, letra s’ka kuptim. “Nuk komentoj. Letra flet vetë”, tha Arvizu. Kështu tha edhe për WikiLeaks: “Ne nuk komentojmë, njerëzit le të gjykojnë vetë”. 5. Në letrën e tij, Withers thotë me bindje se “mund t’i besoni Ambasadës Amerikane”. Por letra duket se nuk ndihmon për ndonjë unifikim të mendimit të publikut rreth cilësive të veprimtarisë së ambasadës, pavarësisht se cili është ambasadori. Shkrimet në media dhe komentet në blogje, para dhe pas letrës Withers, tregojnë se ata që i besojnë Withers-it, nuk besojnë Arvizu-në dhe anasjelltas. Për më tepër, secili grup e ka forcuar perceptimin e kontrastit apo ndryshimit mes të dyve. Letra ngurtëson polarizimin. Nuk e zbut atë. Shkrimi i Ilir Yzeirit në gazetën “Shqip” të premten, është veç një nga shembujt. 6. Që Withers në letër konfirmon se ç’kemi parë e lexuar në internet e në medie nga WikiLeaks janë kabllogramet amerikane, ka rënë në sy të gjithkujt. Sokol Balla në “Top Story” përdori shprehjen “WikiLeaks apo WithersLeak”. Ish-ambasadori kontraston me qëndrimin stoik të diplomacisë amerikane, së cilës i ka shërbyer me devotshmëri deri para një viti, që “Ne nuk komentojmë as që ato janë kabllogramet tona, as që ato s’janë”. Mundet që diplomacisë amerikane të mos i vijë ndonjë qeder, kush e di se çfarë, nga ky pohim i ish-ambasadorit. Mundet që po. Një përfundim është i padiskutueshëm ama. Qejfi nuk i bëhet. 7. Më e rëndësishme është- nëse letra Withers ndihmon përpjekjet e Ambasadës Amerikane në misionin e vështirë të afrimit të dy kampeve të politikës. Nëse po, ajo do kish shumë vlerë. Përkundrazi. Jo vetëm që nuk e ndihmon, por ia vështirëson, qoftë dhe disi, kryerjen e këtij roli. Reagimi i segmenteve politike e mediatike të majta, të dalluara për prirje konfliktuale, ekstremizëm a radikalizëm, tregon se gjetën në letrën Withers argumentin për vazhdim dhe thellimin e konfliktit. Mero Baze shprehet fare qartë në editorialin e tij në gazetën “Tema”, të mërkurën në mbrëmje, fill pas publikimit të letrës. Lexuesit e tij të shumtë e besnikë, si një sekt, e mbështesin plotësisht. 8. Më 2 tetor, Arvizu, për pikën 9 të paktit, pika për letrën e çuditshme drejtuar Kryeprokurores që të hetojë nën dritën e publikimeve të kabllogrameve nga WikiLeaks, tha se “nuk është një pikënisje e mirë”. Edhe Shpëtim Nazarko ndau te njëjtin mendim. Arvizu nuk shihte ndonjë dobi nga debati publik Rama-Berisha dhe se i ftonte në rezidencën e tij për takim privat, larg medieve dhe retorikës politike. Rama vazhdoi t’i qëndrojë qoftë pikës 9 të paktit e qoftë debatit publik. S’pranoi këshillat e ambasadës. Ndonëse miku i tij Withers i sugjeron t’i besojë asaj. Pra, Arvizu-së. Të njëjtën gjë bëri Rama edhe në 21 janar. Nuk dëgjoi sugjerimin e fortë, thuajse urdhërues të Arvizu-së, më 20 janar, kundër thirrjeve për dhunë. Po kështu para këtij janari. Vazhdon njësoj edhe sot. As në editorialin e së dielës, 9 tetor, Rama nuk heq dorë nga pika 9 e paktit. Bën të kundërtën. Përforcon qëndrimin. 9. Nëse pranon se Withers ka të drejtë, Rama duhet të pranojë që Ambasada Amerikane thotë gjithnjë të vërtetën. Pra, të vërtetën ka thënë Arvizu, kur u shpreh për “grupin që arriti me axhendë tjetër” në 21 janar dhe që “ishin këta demonstrues që filluan të parët dhunën mbi policinë”. Rama nuk e ka pranuar ende këtë të vërtetë. Shkurt, Withers nuk bind dot as Ramën që t’i besojë ambasadës, pra Arvizu-së kur jep këshilla dhe as të pranojë të vërtetat e kësaj ambasade. Rama pranon e beson vetëm këshillat dhe të vërtetat e ambasadës Withers. Edhe nga këto, vetëm ato që ia ka qejfi. Jo të tjerat. Për shembull, votimin e ligjit për gjykatën administrative nuk e bëri as kur ia kërkoi Withers në shkurt-mars 2009, as kur ia kërkuan në shtator 2010 dhe as sot e kësaj dite. Interesant fakti që asnjë politikan i majtë nuk e përdori letrën Withers në diskutimet politike në Kuvend. Janë politikanë. Kanë eksperiencë. Pavarësisht dalldisjes dyvjeçare, i njohin kufijtë e arsyes. Veç Rama e përdori. Në një editorial lamtumire melankolike për të shkuarën e ndritur Withers, nga e sotmja e zymtë Arvizu. 10. Për gjithçka më sipër, letra Withers jo vetëm që s’krijon ndonjë efekt pozitiv por, më keq akoma, nxit pështjellimin shqiptar. Si e këtillë, ajo s’ka se si të jetë produkt i mendjes së ftohtë të një ish-diplomati me përvojë dhe njohje të thellë të Shqipërisë, cilësi që Withers i ka. Unë nuk besoj as se ajo është produkt i ndonjë interesi material. Në të majtë u hodh, pa fakte, siç ndodh shpesh, akuza se regjimi Berisha ka dërguar valixhe me para në ShBA për të hequr qafe Withers. Me po këtë papërgjegjshmëri, disa në të djathtë mendojnë se Rama ka paguar Withers të dërgojë letrën. Ndonëse e pashpallur, kjo pëshpëritet. Kësi lloj akuzash qesin, janë bërë në plot raste më parë, për këtë dhe/ose çështje të tjera. Neveri! Bie motivi material. 11. Njerëzit veprojnë ose mbështetur në logjikën e mendjes së ftohtë, ose nën pështjellimin e zbrazëtisë së xhepit, ose nga emocionet e shpirtit të zjarrtë. Dy të parat duket që s’janë nxitësit. Mbetet, për diferencë, që emocionet të jenë nxitësit e letrës. Njeri si gjithë të tjerët ka qenë, është e do të jetë Withers. Tashmë në pension, i çliruar edhe nga kufizimet e detyrës së vështirë e të komplikuar të ambasadorit. Dëgjoi që u riakuzua nga Berisha. Nisi letrën. Kaq. Alla shqiptarçe i themi ne këndej. S’qenka vetëm huq shqiptar! Ngushëllim! 12. Se si ka vepruar mekanizimi emocional nuk është çështje e analizës politike. Analiza përfundon me gjetjen e emocionit si shkak dhe jo se si është krijuar dhe zhvilluar emocioni. Këto të tjerat janë çështje të psikanalizës, kombinuar me biokiminë. Ndaj nuk merrem me to. Por një pyetje ngre krye. Ndërsa Withers në pension është i lirë t’i shprehë emocionet e veta, a ka arritur ai t’i miradministrojë ato gjatë kryerjes së detyrës?! Vetë Withers na thotë se këtë mund ta kuptojmë përmes WikiLeaks. Kështu foli edhe Arvizu. Pra, secili t’i kuptojë sipas midesë. Edhe kabllogramet. Edhe letrën. Këtë e ka thënë edhe i lashti: “Kush leu, mendjen e vet pëlqeu”. Pra, rifillojmë aty ku e lamë. E rilëmë pa e nisur. Si gjithnjë.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE