Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Historia si shkencë… dhe si lojë fjalësh
English

Historia si shkencë… dhe si lojë fjalësh

Një intervistë e historianit amerikan Bernd Fischer, më shtyn t’i rikthehem edhe një herë çështjes së riinterpretimit dhe të rivlerësimit të periudhës së sundimit otoman në Shqipëri. Jo si historian, pasi historia nuk është vokacioni im, por si një njohës i sociologjisë historike të krahasuar dhe si studiues i politikës

Nga Fatos Tarifa

Fischer, ashtu si historiani Ferid Duka pak kohë më parë, ka zgjedhur rrugën e intervistës, pra rrugën më të shkurtër dhe më të lehtë, për të parashtruar në fare pak rrjeshta, të njëjtën tezë, e cila përbën një revizionim të historisë së periudhës gati 500-vjeçare të popullit shqiptar. Ashtu si edhe kolegu im i nderuar Duka, Fischer mendon se “nuk ka një kontradiktë mes termave pushtues dhe administrues”. Dhe, po ashtu si Duka, Fischer na jep një “mësim” të thjeshtë në logjikën formale, duke thënë se turqit “në fillim ishin pushtues, pastaj administratorë”! A mundet vallë të kishte ndodhur e kundërta? Pra, që turqit osmanë të kishin qenë në fillim administratorë të trojeve shqiptare dhe pastaj pushtuesit e tyre?

Nga pikëpamja sociologjike do të ishte me interes të vlerësoje nëse Duka dhe Fischer, në interpretimin e tyre të ri (por aspak të argumentuar), nisen nga, ose mbështeten në tezën e formuluar nga Michel Foucault në veprën e tij Les Mots et les choses (1966), përkthyer dhe botuar në anglisht nën titullin The Order of Things: An Archaeology of the Human Sciences (Rendi i gjërave: Arkeologjia e shkencave humane). Në këtë vepër, Foucault zhvillon një ndër temat e tij qendrore, atë se të gjitha periudhat historike janë karakterizuar nga një sërë kushtesh esenciale, të cilat bëjnë të mundur interpretimin me vërtetësi të ngjarjeve historike, pra i bëjnë ato pranueshme, ose që të merren si të mirëqena. Foucault argumenton se, me kalimin e kohës, këto kushte ndryshojnë dhe kjo bën që një epistemë e një periudhe të caktuar historike, që do të thotë njohja shkencore e saj, të zëvendësohet nga një epistemë tjetër. Këtë nocion fukojam, Jean Piaget e krahason me nocionin “paradigmë”, të formuluar nga Thomas Kuhn në veprën e tij të njohur Struktura e revolucionave shkencore.

Do të kishte qenë një rast fatlum për historiografinë shqiptare dhe për shkencat sociale shqiptare në përgjithësi, nëse këta dy autorë, Ferit Duka dhe Bernd Fischer, do të kishin ndërtuar më tej mbi argumentin e mësipërm fukojam, për të shtjelluar dhe argumentuar një epistemë apo një paradigmë të re, duke hedhur dritë mbi një periudhë shumë të gjatë dhe, në pjesën më të madhe të saj, thuajse krejtësisht të panjohur, të historisë së popullit shqiptar. Por, nuk është kjo ajo që shohim në intervistat e tyre. Në këto intervista mungojnë madje krejtësisht argumentet. Ajo që thuhet prej tyre është thjesht se historia duhet “rivlerësuar”. Por mbi ç’baza duhet bërë ky rivlerësim? Ne dimë sot shumë pak (kryesisht përmes disa studimeve të historianëve Selami Pulaha, Injac Zamputi dhe Petrika Thëngjilli), se çfarë ka ndodhur në trojet shqiptare në dekadat dhe në dy-tre shekujt e parë të pushtimit osman. Periudha midis shekujve XVI dhe XVIII në historinë e trojeve të banuara nga shqiptarët mbetet ende shumë e errët, madje një shkretëtirë e vërtetë në kohë, nëse përdorim një shprehje të Frensis Bekonit. Ç’dokumente dhe fakte të reja historike na sjellin zotërinjtë Duka dhe Fischer për të mbushur këtë vakum historik dhe për të argumentuar se turqit osmanë erdhën në territoret që sot janë pjesë e Shqipërisë (dhe në të tjera territore jashtë saj që banohen nga shqiptarë), si pushtues, por pastaj u bënë thjesht administratorë të tyre?

Vetë argumenti që përpiqen të legjitimojnë këta dy autorë tingëllon si një lojë fjalësh dhe nuk i qendron mendimit racional kritik. Nëse një shtet, ose një perandori pushton territore të huaja, këto territore nuk mund t’i lerë të paadministruara. Turqit osmanë administruan territoret e pushtuara prej tyre. Me fjalë të tjera, ata administruan si pushtues dhe, për hir të së vërtetës, administruan shumë keq dhe me ligje të këqia. Ata nuk i pushtuan trojet shqiptare në kalim e sipër, si vizitorë apo për t’u mrekulluar me bukuritë e tyre, por për të sunduar me forcën e armëve dhe përmes përçarjes me fetare, për t’i administruar këto troje (aty ku mundën) sipas ligjeve të veta dhe në përputhje me interesat e Portës së Lartë. Sundimi osman dhe çdo sundim tjetër i huaj mbi territoret e një vendi është bërë i mundur vetëm përmes administrimit të territoreve të pushtuara. Kështu ka ndodhur me të gjitha perandoritë dhe shtetet e mëdha, në të gjitha kohët. Ajo çka ka qenë e ndryshme ka pasur të bëjë me mënyrat dhe format e administrimit, si edhe me ligjet mbi të cilat ky administrim është mbështetur. E Drejta Romake, Ligji Britanik apo Kodi i Napoleonit nuk janë e njëjta gjë me Shariatin. Po kështu, Turqit nuk u larguan nga trojet shqiptare as menjëherë pas pushtimitn të tyre, as njëqind vjet më vonë dhe as pas pesë shekujsh. Ata mbetën deri në fund, deri ditën që Shqipëria u krijua si një shtet i pavarur, pushtuesit e këtij vendi, ose, për të mos e mohuar rolin e tyre si administratorë, administratorët pushtues të të gjitha vilajeteve shqiptare.

Krahasimi i periudhës së sundimit osman në Shqipëri, në Ballkan dhe në rajonin e Lindjes së Mesme me periudhat e sundimit kolonialist në territoret e pushtuara nga perandoritë britanike, franceze apo spanjolle në të katër anët e globit, një apo dy shekuj më vonë se ekspansioni osman, mund të mos jetë krejt i saktë. Çdo krahasim çalon, por krahasimi, si metodë, është shumë i dobishëm në shkencë. Vetëm përmes krahasimit mund të kuptojmë tiparet e përgjithshme të dukurive sociale dhe të periudhave historike për të arritur në përfundime që u afrohen të vërtetave shkencore. Dhe nëse mbështetemi në këtë metodë, e cila është esenciale në shkencat sociale, atëherë mund të themi se administratorët otomanë mbetën pushtues të territoreve shqiptare deri në pavarësinë e Shqipërisë, ashtu sikurse administratorët britanikë mbetën pushtues të Indisë deri ditën e fundit të sundimit kolonialist britanik, apo të atij çka njihet si “British Raj”, apo sundimi britanik në nënkontinentin Indian, nga viti 1858 deri më 1947, kur territoret e këtij rajoni, të pushtuara dhe të administruara nga Mbretëria e Bashkuar, iu shkëputën sundimit brinatik për të krijuar dy shtete të pavaruara: Unionin e Indisë (më vonë Republika e Indisë) dhe Dominionin e Pakistanit (më vonë Republika Islamike e Pakistanit). E njëjta gjë mund të thuhet për pushtimin dhe administrimin kolonialist britanik të shumë territoreve të huaja, që sot janë shtete të pavarura, si Sri Lanka, Burma, Singapore, Belize, Trinidad and Tobago etj, ose për pushtimin dhe administrimin kolonialist të shumë territoreve të tjera nga Spanja, Franca, Portugalia dhe fuqi të tjera kolonialiste deri në mes të shekullit të 20-të.

Edhe pse termi “kolonializëm” nuk do të ishte fort i përshtatshëm për të karakterizuar sundimin osman në territoret shqiptare, në thelb, administrimi otoman i këtyre territoreve, ashtu si administrimi britanik, spanjoll apo francez i territoreve të kolonizuara nga këto fuqi të mëdha europiane, ka qenë administrim prej pushtuesve të huaj dhe në shërbim të interesave të tyre. Pushtimi osman i territoreve shqiptare, ashtu si edhe pushtimet e territoreve të huaja në Afrikë, në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut, në Azi e gjetkë prej britanikëve, spanjollëve, francezëve etj, ka qenë barbar dhe mbeti deri në fund pushtim i administratorëve të huaj, ose, çka në thelb është e njëjta gjë, administrim i pushtuesve të huaj. Në këtë kuptim, po, unë u jap të drejtë historianëve Duka dhe Fischer kur thonë se, mes termave pushtues dhe administratorë nuk ka një kontradiktë. Sepse, në fund të fundit, a nuk janë pushtimi i një vendi dhe adminstrimi i tij prej pushtuesve të huaj e njëjta gjë?

Mua më habit zelli i disa historianëve për të revizionuar sot historinë e periudhës së sundimit otoman në trojet shqiptare. Nuk them se pas kësaj fshihet një agjendë e caktuar e disa prej historianëve shqiptarë apo, e ndonjë historiani të huaj. Ky do të ishte një pretendim i pabazuar. Por nuk ka se si të mos habitem kur shoh që një historian i huaj, studiues i një periudhe të caktuar (dhe shumë të shkurtër) të historisë moderne së popullit shqiptar, i cili ndoshta nuk ka pasur kurrë mundësinë të shqyrtojë një dokument historik të periudhës së sundimit osman në Shqipëri, t’u thotë shqiptarëve të sotëm se turqit osmanë vërtet i pushtuan territoret shqiptare por, pas kësaj, vetëm i administruan ato. Dhe kjo nuk përbëkërka një kontradiktë! Lolua, një personazh i dramave të Shekspirit, do të thoshte: “Çudi për t’u çuditur!”. /MAPO/

KOMENTE