Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Jostabiliteti i pabarazisë
English

Jostabiliteti i pabarazisë

Nga Nouriel Roubini

Çfarëdo modeli ekonomik që nuk trajton në mënyrë të duhur jobarazinë do të përballet në fund me krizë legjitimiteti. Po qe se nuk ribalancohen rolet relative ekonomike të tregut dhe të shtetit, protestat e 2011-s do të jenë edhe më të rënda, derisa jostabiliteti social dhe politik në fund do ta dëmtojë rritjen afatgjatë ekonomike, si dhe mirëqenien Këtë vit kemi qenë dëshmitarë të një vale globale të trazirave sociale dhe politike, ashtu si edhe jostabilitetit, me masa njerëzish që janë mbledhur nëpër rrugët e vërteta dhe ato virtuale: Pranvera arabe, trazirat në Londër, protestat e klasës së mesme në Izrael kundër çmimeve të larta të banimit, protestat e studentëve në Kil, shkatërrimi në Gjermani i veturave luksoze, lëvizja e Indisë kundër korrupsionit, rritja e shqetësimeve rreth korrupsionit dhe jobarazisë në Kinë dhe tani lëvizja “Occupy Wall Street” në New York, si dhe në tërë SHBA-në. Derisa këto protesta nuk e kanë një moto të përbashkët, ato në mënyra të ndryshme shprehin shqetësimet serioze të klasave punëtore dhe të mesme të botës rreth perspektivave të tyre përballë përqendrimit të madh të pushtetit tek elitat ekonomike, financiare dhe politike. Shkaqet e shqetësimeve të tyre janë të qarta: papunësia e lartë në ekonomitë e avancuara dhe në ato në lulëzim; mungesa e arsimimit dhe e trajnimit të të rinjve, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të konkurrojnë në botën e globalizuar; neveria kundër korrupsionit, përfshirë format e legalizuara, si lobimi; si dhe ngritja drastike e pabarazisë në ekonomitë e avancuara dhe ato në shpërthim. Natyrisht se pakënaqësia që kanë aq shumë njerëz nuk mund të reduktohet në vetëm një faktor. Për shembull, ngritja e pabarazisë ka aq shumë shkaqe: shtimi i 2.3 miliardë kinezëve dhe indianëve në fuqinë globale punëtore, e cila po ul numrin e vendeve të punës dhe pagat për punëtorët e pakualifikuar nëpër ekonomitë e avancuara; ndryshimet teknologjike, si dhe pabarazia në të ardhura në ekonomitë që po rriten me të shpejtë dhe që më herët kanë qenë në zhvillim. Rritja e leverazhit në sektorin privat dhe publik janë pjesërisht rezultat i jobarazisë. Rritja modeste e të ardhurave për të gjithë, përpos për të pasurit, në dhjetëvjeçarin e kaluar, krijoi një hendek midis të ardhurave dhe synimeve për shpenzime. Në shtetet anglo-saksone, reagimi ishte demokratizimi i kredisë – përmes liberalizimit financiar – duke nxitur në këtë mënyrë ngritjen e borxhit privat, derisa amvisëritë merrnin hua. Në Evropë, hendeku u mbulua përmes shërbimeve publike – arsimim i lirë, shëndetësi, e tjera – të cilat nuk u financuan në tërësi nga tatimet, duke nxitur deficitet buxhetore dhe huanë. Në të dyja rastet, nivelet e borxheve në fund u bënë të paqëndrueshme. Firmat në ekonomitë e avancuara tani janë duke shkurtuar vende të punës, si rezultat i kërkesës joadekuate finale, që ka rezultuar me tepricë kapaciteti dhe paqartësi rreth kërkesave në të ardhmen. Megjithatë, shkurtimi i vendeve të punës e dobëson edhe më tej kërkesën finale; për shkak se ul të ardhurat nga puna dhe rrit jobarazinë. Për shkak se kostot e punës së një firme paraqesin të ardhurat dhe kërkesën e dikujt tjetër, ajo që është racionale për një firmë është destruktive për dikë tjetër. Rezultati është se tregjet e lira nuk janë duke gjeneruar mjaft. Në SHBA, për shembull, ulja e kostove të punës e ka reduktuar në masë të madhe proporcionin e të ardhurave të punëtorëve në GDP. Me mundësi të shterura për kredi, efektet e kërkesës agregate të dekadave të rishpërndarjes së të ardhurave dhe pasurisë – prej punës në kapital, prej pagës në profite, prej të varfërve në të pasur dhe prej amvisërive në korporata – janë bërë të rënda, si rezultat i uljes së prirjeve margjinale të firmave/pronarëve të kapitalit/avisërive të pasura, për të shpenzuar. Ky problem nuk është diçka e re. Karl Marksi glorifikoi socializmin, mirëpo ai kishte të drejtë në pohimet se globalizimi, kapitalizmi financiar dhe rishpërndarja e të ardhurave dhe pasurisë mund ta shpiejnë kapitalizmin drejt vetëshkatërrimit. Siç argumentoi ai, kapitalizmi i parregulluar mund të rezultojë me valë të rregullta të tepricës së kapacitetit, uljes së konsumit dhe ringjalljes së krizave destruktive financiare. Madje, edhe para Depresionit të Madh, klasat “borgjeze” të Evropës e pranonin se, për t’iu shmangur revolucionit, të drejtat e punëtorëve duhej të mbroheshin dhe kushtet e punës dhe pagat duhet të avanconin, krahas krijimit të një shteti që do të merrej me mirëqenien e qytetarëve, duke rishpërndarë pasurinë dhe të mirat publike – arsimimin, mirëqenien shëndetësore dhe rrjetin e sigurisë sociale. Shtytja drejt një shteti të tillë të mirëqenies u intensifikua pas Depresionit të Madh, kur shteti e mori përsipër përgjegjësinë për stabilizimin makroekonomik – një rol që kërkonte mirëmbajtjen e klasës së madhe të mesme, duke rritur kostot për të mirat publike përmes tatimeve progresive mbi të ardhurat dhe përmes rritjes së mundësive ekonomike për të gjithë. Si rrjedhojë, krijimi i një shteti të mirëqenies sociale ishte reagim (shpesh i demokracive liberale të orientuara kah tregu) ndaj kërcënimit të revolucioneve popullore, socializmit dhe komunizmit, derisa frekuenca dhe intensiteti i krizave ekonomike apo financiare u rrit. Tridhjetë vjet të stabilitetit relativ social dhe ekonomik erdhën më pas, prej fundit të viteve katërdhjetë e deri në mesin e viteve shtatëdhjetë, kur jobarazia ra në mënyrë drastike dhe të ardhurat e klasës së mesme u rritën. Disa prej leksioneve rreth domosdoshmërisë për rregullim strikt të sistemit financiar u humbën gjatë periudhës Reagan-Thatcher, kur apetiti për mungesë rregullimi erdhi pjesërisht si rezultat i mangësive në modelin evropian të mirëqenies sociale. Këto mangësi u pasqyruan përmes deficiteve fiskale, rregullimit strikt dhe mungesës së dinamizmit ekonomik që shkaktoi rritje sklerotike e më pas krizë të eurozonës me borxhe të shteteve anëtare. Megjithatë, modeli anglo-sakson “laissez-faire” po ashtu ka dështuar keq. Për stabilizimin e ekonomive të orientuara kah tregu, do të duhet një kthim në balancën e duhur midis tregjeve dhe shpërndarjes së të mirave publike. Një gjë e tillë nënkupton largimin, si nga modeli anglo-sakson, ashtu edhe nga modeli kontinental i shteteve që bazohen në mirëqenie. Madje edhe një model alternativ “aziatik” i rritjes – po qe se ekziston një – nuk e ka parandaluar rritjen e jobarazisë në Kinë, Indi dhe gjetkë. Çfarëdo modeli ekonomik që nuk trajton në mënyrë të duhur jobarazinë do të përballet në fund me krizë legjitimiteti. Po qe se nuk ribalansohen rolet relative ekonomike të tregut dhe të shtetit, protestat e 2011-tës do të jenë edhe më të rënda, derisa jostabiliteti social dhe politik në fund do të dëmtojë rritjen afatgjatë ekonomike si dhe mirëqenien.

Autori është kryetar i “Roubini Global Economics”, profesor i ekonomisë në Shkollën e Biznesit Stern në New York, si dhe bashkëautor i librit “Ekonomia e krizave”. Shkrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë “Project Sindycate” NOA

KOMENTE