English

Ndikimi i Katarit në “pranverat arabe”

Nga Khaled Hroub “Al Jazeera” ka sfiduar kufijtë e informimit, duke ofruar pamje të drejtpërdrejta nga zhvillimet më të mëdha në botën arabe dhe në vende të tjera. Është kjo një platformë për grupet opozitare politike dhe fetare në shtetet arabe. Mirëpret zëdhënës izraelitë dhe përqafon teknika artistike transmetimi. Me pak fjalë, është shndërruar në një markë globale dhe në një model të qartë për mediet e tjera arabe. Regjimet e rrëzuara vazhdimisht pretendojnë se “Al Jazeera” ishte neutrale. Dhe kishin të drejtë

Cambridge – Një shaka po bën xhiro gjatë këtyre ditëve në Lindjen e Mesme: tre ish-presidentë të Egjiptit, Gamal Abdel Nasser, Anwar el-Sadat dhe Hosni Mubarak, takohen në ferr dhe e pyesin njëri-tjetrin se si janë rrëzuar. Nasseri përgjigjet “helm”; Sadati thotë “vrasje”, ndërsa Mubaraku përgjigjet “Al-Jazeera”.

Gjatë 15 vjetëve të transmetimit nga Katari, shërbimi i “Al-Jazeeras” ka qenë shumë më i madh sesa i një stacioni tradicional televiziv. Me përfshirjen pa iu trembur syri në skenat politike arabe, televizioni ka krijuar një vend të ri për lirinë politike, e cila ka kulmuar me mbështetjen e tij të parezervë në revolucionet arabe.

“Al Jazeera” ka sfiduar kufijtë e informimit, duke ofruar pamje të drejtpërdrejta nga zhvillimet më të mëdha në botën arabe dhe në vende të tjera. Është kjo një platformë për grupet opozitare politike dhe fetare në shtetet arabe. Mirëpret zëdhënës izraelitë dhe përqafon teknika artistike transmetimi. Me pak fjalë, është shndërruar në një markë globale dhe në një model të qartë për mediet e tjera arabe.

Suksesi ushqen besimin, por tërheq edhe zili. “Al Jazeera” nuk ka pak armiq, duke filluar nga fundamentalistët më radikalë islamikë e deri te Amerika dhe mbledhësit izraelitë të të dhënave. Dhe, ndërmjet këtyre dy ekstremeve ka shpërthyer një debat i nxehtë nëse “Al Jazeera” është mike apo armike.

Liberalët, të cilët e mirëpresin si një fener të lirisë dhe progresit në botën arabe, përplasen me ata që e akuzojnë atë për radikalizim islamik dhe fetar. Islamikët, të cilët e lavdërojnë si një platformë për qëndrimet e tyre, duhet të përballen me faktin se televizioni ofron po ashtu edhe një zë për izraelitët. Gazetarë të “Al Jazeeras” janë emra familjarë; ata po ashtu edhe pësojnë më shumë ngacmime, arrestohen dhe vriten sesa kolegët e tyre në organizatat e tjera të mëdha të informimit.

“Al Jazeera” nuk është një mjet i CIA-s, Izraelit apo “Al-Qaedas”. Përkundrazi, është një zëdhënës i sofistikuar i shtetit të Katarit dhe emirit të tij ambicioz, Hamad al Thani. Thënë thjesht, rrëfimi i suksesit të “Al Jazeeras” nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Katarit. Për Al Thanin, “Al Jazeera” është sikurse një “markë” kombëtare për Katarin dhe aspiratat e tij në skenën e politikave të jashtme.

Motivimi për aspiratat e tilla nuk është i qartë, por disa mundësi vlen të peshohen. Pas rrëzimit të babait të tij në një puç në pallat më 1995, Al Thani papritmas u përball me armiqësinë e Arabisë Saudite dhe të Egjiptit, elitat e të cilave e përçmuan sunduesin e ri ambicioz dhe e preferuan të atij e tij më të druajtur.

Shumica dyshuan se egjiptianët dhe sauditët po organizonin një puç ushtarak që do të kishte në cak Al Thanin, vitin në vijim. Në përgjigje ndaj kësaj, duke qenë nën duart e vendosura të emirit të ri, “Al Jazeera” sulmoi dy qeveritë për vite me radhë, pothuajse duke i shkëputur tërësisht marrëdhëniet diplomatike të Katarit me këto dy shtete.

Me të marrë dritën jeshile nga lidershipi politik i Katarit për të mbështetur revolucionet arabe, “Al Jazeera” u përfshi në mënyrë të plotë në mbulimet e drejtpërdrejta të ngjarjeve në Tunizi, dhe më pas në Egjipt, duke u mbështetur në rrjetet sociale-mediale larg syve të zyrtarëve lokalë të sigurisë. Pamjet që televizioni transmetoi ishin të mbushura me masat arabe që i deklaronin kërkesat e tyre para botës. Të ndaluar nga mediet lokale dhe duke qenë vazhdimisht në ikje, revolucionarët përdorën “Al Jazeeran” për të depërtuar – dhe mobilizuar – njerëzit e tyre. Kanali anulonte programet e rregullta dhe është transferuar në një transmetues nga minuta në minutë të lajmeve dhe intervistave drejtpërsëdrejti, duke kapërcyer nga një revolucion në tjetrin.

Kështu që, derisa “Pranvera arabe” ishte shndërruar në një kryengritje të vërtetë popullore kundër dekadave të korrupsionit dhe regjimeve shtypëse autoritare, përhapja e shpejtë e saj, e cila kapi pothuajse çdokënd në befasi, ndodhi pjesërisht për shkak të ndikimit të “Al Jazeeras”, që u bë zë i të pazëve nëpër të gjithë Lindjen e Mesme.

Për sa i përket vetë Katarit, Al Thani ofroi mbështetje të formave të ndryshme për të gjitha revolucionet arabe, përveç në Bahrejn, ku sauditët dhe, në mënyrë më të theksuar, amerikanët, tërhoqën në vijë shumë të qartë të kuqe.

Guximi politik i Al Thanit buronte pjesërisht nga rezervat enorme të gazit që kishte Katari, e të cilat i lejuan atij të zhvillonte politika energjike në të gjitha fushat, e veçanërisht marrëdhëniet me jashtë. Duke e mbrojtur veten dhe Katarin me të qenë nikoqir i bazës më të madhe ushtarake amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, strategjia e tij ishte që të rrëmbente kontrollin nga palët e treta rajonale, siç janë sauditët, të cilat përndryshe do të mund të dominonin shtetet më të vogla të Gjirit. Në të njëjtën kohë, Katari ka krijuar lidhje të forta si me Izraelin ashtu edhe me shumë lëvizje islamike, përfshirë “Hamasin” dhe “Hazbollahun”.

Kjo ishte një politikë e jashtme agresive dhe shumë e rrezikshme, por Al Thani qartazi besonte se mund të përmbushte boshllëkun e lidershipit rajonal. Mbështetja e tij, nëpërmjet “Al Jazeeras”, për revolucionet e “Pranverës arabe” – dhe për gjeneratën e re të liderëve që kanë lindur – vetëm sa ka sforcuar pozitën e Katarit. Regjimet e rrëzuara vazhdimisht pretendojnë se “Al Jazeera” ishte neutrale. Dhe kishin të drejtë.

(Khaled Hroub është drejtor i programit për medie në Qendrën e Hulumtimeve të Gjirit, në Universitetin Cambridge) NOA

KOMENTE