English

Diskriminohet pse është shqiptare

Brescia, 26 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një vajzë shqiptare e cila jeton në Itali prej më se 10 vitesh, gjendet në vështirësi pasi i mohohen një sërë vendesh pune edhe kur ato janë për ti shërbyer shtetit fqinj. Është kjo historia e hidhur e një vajze shqiptare e cila edhe pse ka lindur në Shqipëri ka zgjedhur Italinë si vendin e saj, aq sa ka arritur në atë pikë sa që dëshiron të punojë si vullnetare për të ndihmuar njerëzit në vështirësi. Vajza në fjalë ka aplikuar për shërbimin civil, por u refuzua sepse pavarësisht se jeton prej 10 vitesh në Itali nuk ka shtetësinë italiane. Ajo është 28 vjeç dhe është diplomuar për drejtësi në Brescia ndërsa banon në Lombardi. Tashmë ka vendosur të ankohet në gjykatë në Brescia dhe Milano, pasi sipas saj i mohohet e drejta e shërbimit civil, çka në ankesën e saj para trupës së gjyqtarëve do argumentohet si diskriminim sepse nuk ka shtetësinë dhe dokumentet e duhura. “E kuptoj “jo-në” për të huajt, kur ishte shërbimi ushtarak i detyruar, por në këtë rast kur bëhet fjalë për të marrë pjesë në një program për ndihmë sociale ose për mirëmbajtjen e pasurisë kulturore dhe natyrale ligji bëhet i padrejtë”, shprehet avokati i 28 vjeçares, Alberto Guariso për Corriere della Sera. Ndërkaq sipas një punonjësi të shoqatës ku vajza dëshiron të punësohet thuhet se ajo ka shumë miqësi dhe ka aplikuar për të punuar në një shoqatë që ndihmon të moshuarit, por i mohohet për shkak të shërbimit civil italian, që sipas avokatit të saj me pagesën që vajza do të merrte nga ky vend di 435 euro në muaj nëse do të kishte qenë në Francë ose Gjermani do ti kishte dyert e hapura. a.y/NOA

KOMENTE