English

Zhan Klod Trishe: Kriza e borxheve nuk ka përfunduar

Bruksel, 30 tetor 2011, NOA/ Irma Toptani - Kriza e borxheve në vendet e eurozonës nuk ka përfunduar dhe është ende herët për të parë shenja, që do të tregojnë rikuperimin e ekonomive të goditura nga kjo krizë. Kështu është shprehur presidenti në largim i Bankës Qendrore Europiane, Zhan Klod Trishe. Në një intervistë për revistën gjermane Bild, Trishe tha se qeveritë e vendeve të eurozonës do të arrijnë stabilizimin e ekonomive të tyre, vetëm nëse zbatojnë me rigorozitet detajet e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, ditën e enjte. Duke iu referuar samitit të lartë të Bashkimit Evropian, presidenti i Bankës Qendrore theksoi se përfundimet e marrëveshjes duhet të jenë një udhërrëfyes i domosdoshëm për vendet e prekura nga kriza e borxheve. Madje, Trishe nënvizoi se është vendimtare përmbushja në një kohë të shpejtë dhe të plotë, e vendimeve të marra nga liderët e vendeve evropiane. Ai siguroi se Banka Qendrore Europiane do të monitorojë në mënyrë permanente përmbushjen e këtyre detyrimeve nga qeveritë e vendeve të eurozonës, deri në momentin, që do të shfaqen shenjat e para të rikuperimit të krizës. “Kriza nuk ka përfunduar, por jam i sigurtë se vendet e eurozonës do të rigjejnë stabilitetin financiar dhe ekonomik”, ka deklaruar Trishe. mit/NOA

KOMENTE