English

Kardinali Xhanfranko Ravazi: “Oborri i paganëve”, së shpejti në Tiranë

Tiranë, 3 nëntor, NOA - Nisma e re e “Oborrit të paganëve”, struktura e dialogut ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve, organizuar nga Këshilli i Papnor i Kulturës, do të zhvillohet në Tiranë. Siç bën me dije “Radio Vatikani”, pikërisht në datat 14 e 15 nëntor në Tiranë, kardinali Xhanfranko Ravazi do të takojë intelektualë të ndryshëm të botës akademike e kulturore të Shqipërisë, me të cilët do të bisedojë mbi përmasën shpirtërore, pra për fenë në realitetin shoqëror të një vendi siç është Shqipëria, ku diktatura komuniste e ateiste bëri përpjekje të mëdha për ta çrrënjosur besimin e njerëzve në Zotin, duke e ndaluar me ligj dëshminë e fesë e çdo praktikë kulti si në jetën publike e po kështu edhe atë private të qytetarëve. Tema kryesore e takimit në Tiranë është :“Në çfarë beson, ai që nuk beson”, në oborrin e Katedrales së Shën-Palit, do të vijojë me leximin e mesazhit të Papa Benedikti XVI drejtuar Takimit të dialogut e më pas do të fillojnë lutjet, udhëhequr nga grupi i Teizesë dhe Bashkësia e Shën Egjidit. Kurse më 15 nëntor, sipas programit, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në orën 10.00-11.30, do të mbahet një takim, me temë. “Besimtarë e jo besimtarë përballë sfidave të shoqërisë postmoderne”. Takimi do të bashkëkryesohet nga profesor Dhori Kule, rektor i Universitetit dhe nga Kardinali Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën, që do të mbajë edhe fjalën e hapjes. Takimi do të vijojë me ligjëratat “Përmasat shpirtërore të mbijetesës së identitetit shqiptar” (Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm) dhe “Feja në kushtet e mungesës së institucioneve fetare. Reflektim mbi rastin shqiptar” (Doktor Mark Marku).

Flet për “Radio Vatikanin”, kardinali Xhanfranko Ravazi:

Një bilanc të shkurtër të takimeve të para të “Oborrit të paganëve” mbajtur në qytete të ndryshme të Evropës. ”Nëse duam të bëjmë një bilanc, mund të themi se nga rrënja fillestare, nga burimi i Parisit, patëm një lloj rritjeje, të cilën as ne vetë nuk arrijmë ta kontrollojmë, sepse jemi të ftuar vazhdimisht nga institucione të ndryshme, e duhet thënë se është kuptimplote që pjesa më e madhe janë institucione të ashtuquajtura laike, jo drejtpërdrejtë kishtare. Na ftojnë të ndërhyjmë për ta rikrijuar këtë ngjarje të madhe, edhe në forma të ndryshme. Ftohemi të flasim, sipas temave, që ndryshojnë vazhdimisht. Për shembull, flitet për artin, por edhe për shkencën. Pastaj për drejtësinë, shoqërinë, ekonominë e deri për bioetikën, mjekësinë e përshpirtërinë. Kemi, prandaj, një spektër të vërtetë shumëngjyrësh, një ylber tematik, që na propozohet nga këto qendra e institucione të ndryshme, të cilat përfshijnë mbarë Evropën. Mjafton të kujtojmë se javën e kaluar ishim në Rumani, në Bukuresht; do të shkojmë, pastaj, në Barcelonë, në Stokholm, në Tiranë, në Palermo e në Marsejë. E më pas, si t’i kemi mbuluar këto horizonte evropiane, kjo pemë do të vijojë ta zgjerojë gjethimin e sigurisht do të përfshijë nën hijen e saj edhe SHBA, Kanadanë, Amerikën Latine”.

Kardinali Ravazi, si organizohen takimet e “Oborrit të paganëve”? E a mund të na flisni në mënyrë të posaçme për ndonjërin prej tyre?

”Do të thosha se nisin para së gjithash me organizimin e një dite nga ana e institucioneve – Universitete, Akademi, nganjëherë edhe nga vetë Kisha lokale – e, në një çast të dytë, hyjmë ne, e hyjmë me dijen tonë, me pyetjet e propozimet tona, me përzgjedhjen e me sugjerimet për kandidatët, ndërsa unë nuk ndërhyj, përveçse me një lloj hyrjeje nga ana ime, edhe në mjediset krejtësisht laike. Ky është pak a shumë mekanizmi. Pastaj punohet për botimin e akteve. Përsa i përket Italisë, kemi tashmë një kolanë me dy vëllime, një kolanë të shtypur nga Donzelli Editore. Sipas meje, ishte domethënës qyteti i Firences, sepse vend arti, vend estetike e një nga vendet, ku ballafaqimi ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve qe shumë i lehtë, e edhe i frytshëm, në një botë ku ka shumë shëmtim e, edhe shëmtim moral. Prej këndej, do të shërbejë për t’u rikthyer tek dinjiteti, tek fisnikëria e reflektimit të lartë edhe tek kërkimi në horizontin e artit. Dëshiroj të kujtoj edhe përvojën e Tiranës, praninë tonë në një shtet, i cili qe shpallur me Kushtetutë ateist – i vetmi shtet i tillë në botë. Nga ana tjetër, është Barcelona, që po mobilizon të gjitha energjitë e dhe të gjitha universitetet, rrjetin e gjashtë universiteteve të veta: të gjitha do të përfshihen në këtë ngjarje e në çastet e larmishme të saj, me akademitë e ndryshme”.

A nuk keni frikë se, duke proceduar në këtë mënyrë, diskutimi, ballafaqimi ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve, do të mbetet i kufizuar, domethënë do të përfshijë, në rastin më të mirë, vetëm ajkën e shoqërisë? ”Po i përgjigjem kësaj pyetjeje sipas dy trajektoreve. Nga njëra anë, sigurisht, duhet të kem parasysh, me të gjithë bashkëpunëtorët e mi, se duhet të bëjmë vazhdimisht një reflektim sistematik e metodologjik, për t’ia dalë mbanesh ta kuptojmë ateizmin nacionalpopullor, që nganjëherë ka doza të ndjeshme ironie e sarkazmi. Të kujton stilin e Oddifreddi-t e Humphrey-t, në Francë; të Hitchens-in e Daëkins-it e kështu me radhë, që tallen me besimin, me atë të krishterë sidomos – të cilin e shikojnë gati gati si të ishte objekt, që i përket i paleolitikut intelektual. Prej këndej, duhet ta kemi mirë parasysh edhe këtë lloj qëndrimi, e njëkohësisht edhe një lloj ateizmi praktik. Ky ateizëm gjen shprehjen e vet në indiferencën, cektësinë, banalitetin, vulgaritetin, që ndeshen nga pak kudo në shoqërinë tonë. E kjo, më duket, do të jetë përpjekja kryesore e impenjimi i dorës së parë, për të cilin punojmë, duke pasur parasysh mirë edhe vërejtjet, si kjo që na bëtë edhe ju. Përgjigjja e dytë, që i jap kësaj vërejtjeje me vend, është se nuk duhet të harrojmë që ndryshimet e mëdha kulturore e shoqërore, janë gjithnjë vepër e elitës, e ajkës së shoqërisë”.

Përshtati:n.e/NOA

KOMENTE
  • Stermolli Albert23:35 - 03 Nëntor 2011
    Besimi i Shqiptarit eshte i fsheht,FEJA E SHQIPTARIT ESHTE SHQIPTARIA.