English

Ditët e Bajramit janë kohët shpresëdhënëse

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ing. Haxhi Selim Muça uron besimtarët myslimanë shqiptarë me rastin e Kurban Bajramit

Nga Selim Muça

Me emrin e Allahut Fuqiplotë, Mëshirues, Mëshirëbërës!

Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë, të nderuar bashkëqytetarë dhe vëllezër shqiptarë të kudondodhur në botë.

Paqja, mëshira dhe begatitë e Krijuesit të Gjithëmëshirshëm qofshin për ju, për familjet tuaja, për atdheun tonë të dashur, Shqipërinë.

Ditët e Bajramit janë kohët shpresëdhënëse që përcjellin për në përjetësi përkushtimin tonë ndaj besimit, ndaj adhurimit të Mëshiruesit, janë momentet ngazëlluese që skaliten në faqen e historisë së çdo shoqërie, duke treguar aq me paqë dhe plot vetëdije, bindjen tonë ndaj Krijuesit Mëshirëplotë.

Në harkun kohor të çdo viti, Bajramet janë ripërtëritja e vetëdijes sonë të besimit, vetëdijes sonë myslimane, të mbajtjes vitale të vullnetit tonë kombëtar, të unitetit dhe vëllazërimit, si edhe janë ditët e veçanta të mëshirës dhe begative që dërgon Allahu Dhurues i pashoq.

Kurban Bajrami nuk është vetëm domethënia e ajeteve, fjalëve të Zotit Mëshirëplotë që kalojnë në Librin Fisnik, në Kur'an, por është vetë gjallëria, dinamika e qytetërimeve që ka njohur shoqëria njerëzore në rrjedhën e shekujve të cilët ishin të përkushtuar për tjetrin, për të tjerët, për të pamundurit dhe të gjitha kategoritë social-shoqërore deri në flijim, sikurse e përcjell Kur'ani Famëlartë: " Ata që në zemrat e tyre nuk ndjejnë aspak rëndim për atë që u është dhënë, por duan që t'u bëjnë mirë të tjerëve më tepër sesa vetes, edhe pse janë vetë nevojtarë." El-Hashr 9

Kurban Bajrami është vazhdimësi dhe pjesë e ritualit të Haxhit, ritual në të cilin pjesë e miliona myslimanëve nga e gjithë bota, janë edhe qindra besimtarë shqiptarë që në Arafat i luten Mëshiruesit për më shumë dashuri, dhembshuri, falje, afrimitet tek Zoti i Madhëruar dhe për një të nesërme më të begatë.

Kurbani është sihariq i një bote të re që ka për kufi sublimitetin për Krijuesin Mëshirëplotë, është dëshmia e një bote profetike, dëshmia e një bote prindërore Ibrahim dhe Ismail, babë e bir, ku dashuria dhe sakrifica ngrihen në piedestal përjetësisht dhe i përcjellin njerëzimit lidhjen, bindjen ndaj të Madhit Zot (xh.sh.), ku Kur'ani Fisnik e përcjell: "Pasi iu nënshtruan që të dy urdhërit" Es-Saffat 103 dhe "I lamë kujtim të mirë për brezat e mëvonshëm" Es-Saffat 108.

Kurban Bajrami është korniza e artë dhe më e plotë e përkushtimit deri në flijim për atë që urdhëron Zoti Mëshirues, për atë që reflekton shembulli profetik i Mëshirës së Botërave Hz. Muhamedi (a.s.), dashuria aq e thellë e ngritur në qiejt e lartë për të gëzuar zemrat e të privuarve nga jeta, nga liria, nga prindërit, nga familja, nga atdheu e nga paqja me vetveten. Ditët e Kurban Bajramit janë koha kur në sytë e jetimëve përcillet dhembshuri e dashuri, kur në sytë e prindërve përcillet respekt e vlerësim, kur në sytë e brezave përcillet mirënjohje e falënderim, kur në sytë e fqinjëve përcillet siguri e qetësi, kur në sytë e drejtuesve tanë përcillet urtësi e largpamësi, kur në sytë e të udhëhequrve tanë përcillet përkushtim e besnikëri, kur në sytë e atdheut tonë të dashur përcillet unitet, shërbim e sakrificë dhe kur në sytë e njerëzimit përcillet paqe e shpresë për të nesërmen e begatë. Kurban Bajrami është jehona e thirrjes sa fetare po aq dhe qytetare, sa humane po aq dhe dashamire, sublime që vjen nga thellësia e para 14 shekujve, nga brendia e zemrës Profetike së: "Nuk mund të jetë prej të drejtëve, prej nesh ai, fqinji i të cilit e kalon natën në skamje, në mjerim e dhimbje varfërie."

Në atmosferën e këtyre ditëve të sakrificës, të sublimit, të përkushtimit deri në lartësim të njeriut për Krijuesin Mëshirëplotë, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, qytetarëve shqiptarë, vëllezërve tanë shqiptarë kudo në Evropë e botë më shumë përzemërsi gëzuar festën e Kurban Bajramit, festë në të cilën i lutem Mëshiruesit dhe Dhuruesit të pakufi t'ju japë edhe më shumë mirësi, begati, harmoni, vëllazëri, unitet, përkushtim e shërbim ndaj atdheut tonë të dashur, shpresën e madhe për të nesërmen e begatë për popullin shqiptar, Shqipërinë, shqiptarët kudo që jetojnë dhe për mbarë njerëzimin.

I Madhi Zot (xh.sh) e begatoftë dhe e lartësoftë Shqipërinë tonë në radhën e kombeve ku liria, drejtësia dhe shërbimi ndaj popullit është shërbim ndaj Zotit Mëshirëplotë.

KOMENTE