English

Durrës, kapen 2 të rinj me drogë e armë

Durrës, 6 nëntor 2011, NOA- Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi iu gjet një sasi e konsiderueshme lënde narkotike.

Droga u gjet në makinën në të cilën udhëtonin Jetmir Hallunaj 28 vjeç dhe Klodian Shllaku 27 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Sipas policisë thuhet se gjate një kontrolli të ushtruar në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë në automjetin tip Benz me targa AA 381 të drejtuar nga Hallunaj dhe me pasagjer Shllakun, në një kuti kartoni të vendosur pas sediles së shoferit u gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy pako të mbështjella me natriban, njëra nga të cilat dyshohet se përmbante lëndë narkotike të llojit kokainë, me peshë 527.45 gramë, ndërsa tjetra lëndë narkotike të llojit heroinë, me peshë 632.75 gramë.

Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 27 vjeçarit Shllaku u gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 pistoletë Mini Blou me një krehër me 3 fishekë, 1 pistoletë Ecol Special 99 me një krehër me 3 fishekë dhe 1 automatik model 56 me dy krehëra me 18 fishekë.

Ndërkaq në banesën e Hallunajt u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 123 fishekësh model 54 të kalibrit 7.62 mm.

Lidhur me këtë rast Prokuroria e Durrësit po vijon hetimet për veprat penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike e mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake.

a.y/NOA

KOMENTE