English

Raporti i Progresit, Kuvendi i Kosovës nuk fut në votim rekomandimet e LDK

Prishtinë, 9 nëntor 2011, NOA - Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk i ka futur në votim rekomandimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat do ta detyronin Qeverinë, që në çdo tre muaj të raportonte në Kuvend, për arritjet në aspektin e plotësimit të kritereve për përafrimin me BE-në, citon agjencia NOA.al.

Me këtë rast Kuvendi nuk ka arritur ta detyrojë Qeverinë, që të marrë masa në sigurimin dhe sundimin e ligjit dhe të së drejtës në të tërë territorin e vendit; të zbatojë reformat ekonomike, të cilat do të mundësonin një zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri buxhetore, si dhe krahas këtyre të reformojë administratën publike duke e rritur efikasitetin e saj, shkruan agjencia kosovare Koha.net

LDK-ja, ka kërkuar intensifikimin e reformave në të gjitha fushat e shoqërisë, duke insistuar që rekomandimet e saj të hidhen në votim qysh në seancën e parë të radhës, mirëpo kryetari i Kuvendit ka sugjeruar, që rekomandimet e kësaj partie të bëhen pjesë e Planit të Veprimit të Kuvendit mbi gjetjet e Raportit të Progresit për vitin 2011, i cili pritet të miratohet së shpejti në Kuvend.

Pavarësisht nga kjo, një pjesë e deputetëve të PDK-së kanë tërhequr vërejtjen se ato rekomandime, nuk do të votohen nga grupi i tyre parlamentar, në rast se nga ato nuk hiqen pjesët, ku kërkohet që Qeveria, ta ndërpresë retorikën boshe për plotësimin e kritereve për integrimin e Kosovës në BE.

Knet/NOA

KOMENTE