English

Papadimos, kryeministër i Greqisë: Nuk jam politikan, kemi përgjegjësi për vendin

Kush është Lukas Papadimos, kryeministri i qeverisë greke të koalicionit

Athinë, 10 nëntor 2011, NOA/ Update/ Irma Toptani - Lukas Papadimos, këshilltari ekonomik i kryeministrit Jorgos Papandreu gjatë vitit 2010, do të betohet nesër në mesditë, si kryeministër, bashkë me ministrat e qeverisë së re greke të koalicionit.

Në ditën e katërt të negociatave, krerët e partive politike kanë rënë dakord për emërimin e tij si kryeministër, dhe drejtimin e vendit deri në zgjedhjet e parakohshme.

Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të presidencës greke thuhet se qëllimi qeverisë së re do të jete zbatimi i detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshja e 27 Tetorit në Bruksel, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Menjëherë pasi ka marrë detyrën Papadimos u shpreh i vendosur për të kontribuar në daljen e vendit nga kriza.

“Pranova detyrën për të formuar qeverinë e re, sepse besoj se të gjithë duhet të kontribuojmë në përballimin e krizës dhe rigjallërimin e ekonomisë. Ky është një nder i madh, por akoma më e madhe është përgjegjësia, që kemi mbi shpinë. Nuk jam politikan, por ia kam kushtuar pjesën më të madhe të karrierës sime zbatimit të politikave ekonomike në Greqi dhe Europë”, theksoi Lukas Papadimos në deklaratën e tij të parë, si kryeministër i Greqisë.

Kush është Lukas Papadimos

Lukas Papadimos ka lindur më 11 tetor të vitit 1947 në Athinë. U diplomua në Kolegjin e Athinës dhe vijoi studimet për Fizikë në Institutin teknologjik të MasaçusetsShtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 1978 përfundoi studimet pasuniversitare për shkencat ekonomike dhe nisi punë pranë Institutit të Kërkimeve në Universitetin e Masaçusets.

Në vitin 1980 punësohet si këshilltar ekonomik në Bankën Federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kthehet në Greqi në vitin 1985 dhe emërohet këshilltar pranë Bankës Kombëtare të Greqisë (1985-1993).

Në vitin 1993 merr postin e zv/drejtorit të BKG-së, detyrë, që e mban deri në vitin 2002. Po këtë vit, Papadimos emërohet si zv/president i Bankës Qendrore Europiane, post që e mbajti deri në vitin 2010.

Paralelisht me karrierën e tij si ekonomist. Lukas Papadimos bëri karrierë edhe si akademik.

Gjatë viteve 1975-1984 punoi si lektor dhe pedagog i Shkencave EkonomikeUniversitetin e Kolumbias të Shteteve të Bashkuara, ndërsa prej vitit 2006 është anëtar i Akademisë së Shkencave në Athinë.

Në vitin 2010 ai u emërua si këshilltar ekonomik pa pagesë, i kryeministrit Jorgos Papandreu.

mit/NOA

Në foto: Kryeministri i ri i Greqisë, Lukas Papadimos, duke dalë nga presidenca greke.

Në foto: Tre liderët kryesorë të politikës greke, në zyrën e presidentit Papulias.

KOMENTE