English

Prokuroria: 10 në pranga për kontrabandë karburanti në Porto Romano

Durrës, 14 nëntor 2011, NOA – Pas afro shtatë muajsh hetimesh Prokuroria e Durrësit ka vënë në pranga me akuzën e lejimit të kontrabandës së karburanteve pa akcizë, plot dhjetë persona, që punonin si doganierë e kontrollorë në pikën doganore të Porto Romanos, në Durrës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Nën akuzat e “kontrabandës me mallra që paguhet akcizë” dhe “kontrabandës nga punonjës të doganës”, Prokuroria e Durrësit arrestoi dhjetë vetë:

1- Laurent Bega, magazinier, arrest me burg.

2- Klodian Çullai, punonjës i agjensisë doganore Ferries, arrest me burg

3- Afrim Meçe, shofer, arrest me burg.

4- Pëllumb Malollari, shofer, arrest me burg.

5- Kadri Rrapaj, doganier, arrest me burg.

6- Dashamir Kabaj, doganier, pezullim nga detyra shtetërore.

7- Artur Mustafaj, doganier, arrest me burg me afat.

8- Selman Doçi, doganier, shef turni, arrest në burg me afat.

9- Lavdi Rraklli, doganier, pezullim nga kryerja e funksionit apo shërbimit publik.

10- Ylli Troplini, doganier, arrest në burg me afat.

Prokuroria bën me dije se hetimi në fjalë, nisi para afro 7 muajsh, dhe u mbështet në bazë të raporteve të vëzhgimit dhe bisedave telefonike nën përgjim, që përfshinin aktivitetin e zyrës doganore të Porto-Romanos në Durrës, ku shtetasit e sipërpërmendur me detyrë doganierë, magazinierë, kontrollorë, punonjës i agjencisë doganore Ferries sh.p.k, shoferë të transportit, etj.

Të arrestuarit dyshohen se kanë favorizuar subjektin Europetrol Durrës Albania sh.a. në mosdoganimin e një sasie të konsiderueshme karburanti dhe kalimin e saj kontrabandë në treg.

Më konkretisht, shtetasit e sipërpërmendur, në bashkëpunim, kanë bërë të mundur kalimin e autoboteve të ngarkuar me sasi karburanti, të cilat e kishin tejkaluar sasinë e deklaruar nga subjekti, pa kryer asnjë procedurë zhdoganimi apo njoftim në autoritetet doganore, të cilat janë lejuar të drejtohen në treg.

Në bazë të ligjit për akzicat, lëndët djegëse u nënshtrohen ndër të tjera detyrimeve doganore të: akcizës dhe të TVSH-së, ndërkohë që sipas procesverbalit të dt. 03.11.2011, pas evadimit të një sasie të caktuar lënde djegëse të zhdoganuar, për llogari të subjektit Europetrol, është lejuar të evadohet sasia prej rreth 52.000 litra naftë e pazhdoganuar nëpërmjet dy autoboteve.

Sipas fletës së përllogaritjeve në rastin konkret janë shmangur detyrimet doganore të importit në shumën 2.625.588 Lekë.

Prokuroria e Durrësit vijon hetimin për mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në kryerjen e kësaj vepre penale.

mit/NOA

KOMENTE