English

Thaçi: Menaxhimi i kufirit, model europian

Prishtinë, 16 nëntor 2011, NOA- Në mbledhjen e sotme të Qeverisë Kryeministri Hashim Thaçi duke komentuar dialogun me Serbinë u shpreh se për të kuptuar drejt temën e diskutimit për menaxhimin e integruar të kufirit, do të ishte shumë me rëndësi që të lexohet mirë Ligji për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, sepse komentet e ditëve të fundit në lidhje me këtë çështje nuk përkojnë me realitetin.

Menaxhimi i integruar i kufirit nuk nënkupton bisedimet për kufirin. Këto janë dy çështje të ndara, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

“Menaxhimi i integruar i kufirit është model europian, i standardeve dhe kritereve të njëjta me të gjitha vendet fqinje, me Maqedoninë, me Shqipërinë, me Malin e Zi edhe me Serbinë. Prandaj, edhe njëherë e theksoj, duhet të jemi shumë të qartë, të gjithë njerëzit që kanë pasur dhe kanë përgjegjësi institucionale,shtetërore dhe politike, në asnjë rrethanë mos të kenë ngatërrim të termave, apo të pretendimit për të shtrembëruar angazhimet tona, pra të mos ngatërrohet menaxhimi i integruar i kufijve me çështjen e kufijve”, deklaroi Thaçi

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka informuar për procesin e dialogut teknik me Beogradin në Bruksel. Ajo theksoi se pas presionit të Bashkimit Europian ndaj Serbisë, pritet vazhdimi i dialogut pa kushte. Në bisedimet e ardhshme pritet që të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin regjional, telekomunikacionin, energjinë dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

Në kuadër të zhvillimeve diplomatike për Kosovën, ministri Hoxhaj ka theksuar gjatë mbledhjes së qeverisë edhe zhvillimin e një konference para investitorëve në Romë, në të cilën ministrat kosovarë do të prezantojnë mundësitë dhe potencialet që ofron Kosova për investime në fusha të ndryshme të ekonomisë.

Me propozim të ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qeveria ka aprovuar krijimin e grupit punues ndërministror, i cili do të përcaktojë e metodologjinë, hartimin e analizës së thellë të politikave dhe vlerësimin e implikimit financiar për pesë vitet e ardhshme për projektligjin për njohjen e statusit dhe të drejtave të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Në vijim të mbledhjes janë miratuar edhe disa projektligje të rëndësishme për funksionimin e institucioneve në vend.

a.y/NOA

KOMENTE