Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Studimet universitare, koha për koncept të ri
English

Studimet universitare, koha për koncept të ri

A mund ta quajmë një institut “universitet”, nëse në degët e tij nuk përfshihen p.sh. fizika, filozofia - apo gjuhët e huaja moderne? Çfarë është pra, një universitet në vitin 2011?

Nga Paul Gubbins

Vjeshta, të paktën në hemisferën veriore, shënoi fillimin e vitit akademik për studentët e shkollave të larta. Pas pushimeve verore, shumë syresh lënë, mbase për herë të parë, mjedisin e njohur familjar dhe hyjnë në një botë të re, më të gjerë për ta, në prag të moshës së rritur. Në këtë kohë ata mësojnë diçka shumë të rëndësishme, mësojnë që “peshku i madh bëhet shumë shpejt peshk i vogël”. D.m.th. maturanti i dikurshëm me vetëbesim dhe arrogancë, në majë të shkollës së mesme, kur hyn në universitet shndërrohet në “asgjë” para qindra të tjerëve po ashtu “asgjë”. Në përgjithësi, ky “peshk i vogël” mbijeton, rritet, bëhet sërish në fund të viteve të studimit “peshk i madh”, deri sa fillon jeta profesionale dhe “peshku i madh” i dikurshëm universitar bëhet tanimë një “peshk i vogël” në ndërmarrje.

Politikanët dhe edukatorët e vlerësojnë pozitivisht studimin universitar. Ata thonë që njerëz të edukuar mirë e me mendje të stërvitura ndihmojnë më shumë, më lakueshëm në ekonomi. Janë të domosdoshëm inxhinierët, kimistët, financierët, të cilët “i vajisin” rrotat e industrisë dhe shoqërisë duke ndihmuar në prodhimin kombëtar bruto.

Nga ana tjetër ata shtojnë se të diplomuarit në universitete statistikisht jetojnë më gjatë, janë më të kënaqur dhe më të shëndetshëm. Ajo që nuk shtojnë ata është se ata që studiojnë nuk llogariten në radhët që zgjaten gjithnjë e më shumë të të papunëve.

Të paktën, jo deri pas studimit, kur në ekonomitë perëndimore të sotme në krizë, mungojnë vendet e duhura. Studentët, të joshur nga premtimet që diploma do i shoqërojë ata drejt një pune të paguar më mirë, ndeshen me faktin që po bëhet gjithnjë e më i vështirë sigurimi i një vendi pune.

Si rezultat, studentët po kërkojnë nota më të mira për “të shkëlqyer” midis të tjerëve që kërkojnë punë. Nga një herë vinë tek unë në universitet studentë që më thonë: “Dua një diplomë të klasit të parë. Ju lutem lexojeni këtë sprovë timen dhe më thoni qysh ta përmirësoj atë që të marr notën më të lartë”.

Vini re: nuk bëhet fjalë që unë të diskutoj apo ta këshilloj, por që kërkuesi të mësojë vetë të hulumtojë rreth tematikës. Bëhet fjalë për një përparësi të papastër, tregtare në tregun e punës.

Ndershmërinë e adhuroj, por ama sharlatanizmin intelektual, jo. Një student vërtet i shkëlqyer nuk duhet të përkulet kështu, sepse ai zotëron aftësinë mendore në mënyrë origjinale, pavarësisht nga sprova. Vetëm një i rangut të dytë, të tretë, mund të kërkojë kështu pa drojë dhe të tillë ka shumë në universitetet e sotme.

A duhen kaq shumë studentë universitarë? Shtrohet pyetja, a ia vlen t’u japësh mësim në nivel universitar kaq shumë studentëve? Në të kaluarën kishte mundësi të bëheshe avokat, gazetar, arkitekt -të paktën në Britani- për të mos folur për infermierët, aktorët apo fotografët edhe pa diplomë universitare: mjaftonte një stërvitje shumëvjeçare “në vendin e punës”, me disa provime përfundimtare në përgjithësi.

Sigurisht, ndër qindra mijëra studentë që nisën tani vitin mësimor, ka dhjetëra mijë për të cilët do qe më e përshtatshme stërvitja praktike “në vendin e punës’, ose madje një kurs dyvjeçar pranë një shkolle të lartë teknike, pranë një instituti profesional, në vend të studimeve tre apo katërvjeçare në universitet.

Inflacion notash. Patjetër që duhet të pyesim, a mbetet i kënaqshëm niveli i studimeve universitare. Në Britani gjithnjë e më shumë studentë sesa në të kaluarën, arrijnë të marrin diploma të klasit të parë. Para disa vitesh, në një universitet, më shumë se 50% e studentëve në një degë ishin të klasifikuar të shkallës së parë. Ky inflacion notash ka infektuar shumë universitete që po e kuptojnë se kur një përqindje e dukshme e studentëve nuk marrin gradët më të larta, klientët -më fal, studentët- do i çojnë paratë e veta te një universitet tjetër konkurrent, ku rekrutojnë me premtime për korrje të larta të diplomave të klasit të parë.

Është e qartë, se është vështirë të krahasosh universitetet e sotme që u japin mundësi një mase të madhe me shkollat e larta në të kaluarën, ku mësonte vetëm një pakicë elitare, që kishte para dhe ishte e privilegjuar e që studionte pothuaj në një atmosferë klubi. Të kthehesh në ato kohëra natyrisht nuk është e dëshirueshme.

A duhet rishqyrtuar vetë koncepti “universitet”? Megjithatë, është e domosdoshme ta riekzaminojmë konceptin “universitet”. A kështu do t’i edukojmë kaq shumë njerëz? A është e mundur të garantojmë cilësinë? A ka profesione, që për arsye të theksimit praktik thelbësor, nuk meritojnë studime universitare?

Më në fund, a mundet ta quajmë një institut “universitet”, nëse në degët e tij nuk përfshihen p.sh. fizika, filozofia - apo gjuhët e huaja moderne? Çfarë është pra, një universitet në vitin 2011?

KOMENTE