Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Forca e çuditshme e një mbreti simbolik
English

Forca e çuditshme e një mbreti simbolik

Nga Mark Marku

Prej kohës kur u shfaq së pari në skenën publike shqiptare, familja mbretërore e përfaqësuar në personin e pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu s’ka reshtur së qeni një qendër e rëndësishme e pushtetit politik në Shqipëri. Arsyet historike e shpjegojnë vetëm pjesërisht këtë fakt jo të pandjeshëm të historisë bashkëkohore shqiptare dhe këtu, padyshim, një vend të dorës së parë luan roli i madh dhe i patjetërsueshëm që mbreti Zog ka luajtur në historinë moderne të vendit tonë që prej Kongresit të Lushnjës e deri në momentin vdekjes së tij në vitin 1961 në Paris. Kjo trashëgimi e pasur, e shumëdiskutuar dhe e përbaltur gjatë, tashmë është e njohur gjerësisht.

Edhe pse e ka përfaqësuar më së miri këtë trashëgimi, është padyshim meritë e Leka Zogut që familja mbretërore ka arritur të ketë një pushtet më tepër sesa simbolik në jetën publike dhe politike shqiptare. Mënyra si ai e ka administruar këtë trashëgimi e ka bërë Oborrin mbretëror pjesë të natyrshme të peizazhit politik republikan shqiptar. Dhe këtë e tregon jo vetëm vdekja e Leka Zogut. Prej momentit kur është shfaqur si alternativë reale politike nëpërmjet referendumit të vitit 1997 (historia e shfaqjes së tij në të vërtetë fillon me shfaqjen e çuditshme dhe dëbimin po aq të çuditshëm të tij nga Shqipëria në vitin 1994), Leka Zogu ka arritur ta imponojë natyrshëm praninë e tij, fillimisht duke befasuar me suksesin e referendumit, i cili ende konsiderohet si i fituar nga monarkistët e më pas duke u instaluar paqësisht në një kënd të jetës politike shqiptare. I vetmi moment i diskutueshëm në gjithë këtë histori është rënia e tij në një provokim tipik majtist, teksa u shfaq i armatosur para mbështetësve të vet, gjë që i krijoi mundësinë qeverisë së atëhershme për ta përzënë nga Shqipëria nën kërcënimin e arrestimit të tij dhe të përkrahësve të tij.

Më vonë Leka Zogu u rikthye, duke fituar në mënyrë graduale një autoritet gjysmë simbolik e gjysmë politik, një autoritet të heshtur gjithnjë në rritje. Ka qenë pikërisht ky autoritet që ka ndryshuar gradualisht edhe qëndrimin e shoqërisë dhe të politikës shqiptare ndaj tij. Fillimisht ndodh një rehabilitim historik i periudhës së mbretit Zog, më pas anëtarët e familjes mbretërore shihen gjithnjë e më shumë si personazhe të dashura: Nëna Mbretëreshë Geraldinë, Mbretëresha Suzanë, Princi trashëgimtar Leka e kështu me radhë. Ky qëndrim i emancipuar i shoqërisë shqiptare ndaj familjes mbretërore ka patur edhe disa etapa të rëndësishme, si zbehja e propagandës komuniste antizogiste, pagëzimi i një prej bulevardeve kryesore të Tiranës me emrin e mbretit Zog nga ana e kryebashkiakut Rama, ndërhyrjen e shkrimtarit Ismail Kadare në favor të një qëndrimi më emancipues ndaj familjes mbretërore, njohjen nëpërmjet një ligji konsensual të majtë dhe të djathtë të statusit të familjes mbretërore në vitin 2003, dhënien e pronave të mbretit Zog nga ana e qeverisë së kryeministrit Berisha, përfshirja e princit Leka në nivelet e larta të administratës shqiptare etj.

Leka Zogu ka ditur që këtë emancipim gradual të ambientit politik shqiptar ta përdorë në mënyrë të përkorë, duke treguar jo vetëm kotësinë dhe absurdin e qëndrimeve të mëparshme, por edhe domosdoshmërinë e rikthimit politik të një institucioni simbolik si mbreti. Pikërisht këtu qëndron edhe forca e fshehtë e institucioneve të tilla: ato rrezatojnë pushtet dhe autoritet edhe pse janë simbolike.

Është pra krejt e natyrshme mënyra dinjitoze sesi po e përcjellim mbretin Leka Zogu për në banesën e fundit. Duke marrë përsipër një përcjellje të tillë dinjitoze, qeveria, strukturat shtetërore, partitë politike dhe gjithë shoqëria shqiptare vendosin në vend një padrejtësi historike: i japin një vend nderi më se të merituar birit të një familjeje që ka kontribuar kaq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

"Mapo"

KOMENTE
  • Ylber Zenuni11:58 - 03 Dhjetor 2011
    ti je realist i vertete,nuk anon ne asnje kra te politikes shqipetare,u dashka me ndejte urte me fitu respektin,apo duhet me vdeke per ta dashte te shofim sa keni me dashte te birin.