English

8 Dhjetori, si “annus mirabilis”

Fjala e mbajtur nga Kryeministri sot në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit "Aleksandër Moisiu" zhvilluar në një lokal privat në Plazhin e Durrësit

Nga Sali Berisha

Në pragun e një ngjarje ndër më të mëdhatë në historinë tonë kombëtare, 8 dhjetorit, ditës së demonstratës të rinisë studentore në Tiranë, që sot është edhe dita Kombëtare e Rinisë. 8 Dhjetori është një datë që meriton nderimin më të madh, pasi, në vlerësimin dhe memorien time, duke e menduar dhe rimenduar shumë herë, pas vitit të pavarësisë së Shqipërisë, viti ’90 është viti më përcaktues në historinë e shqiptarëve. Në këtë kontekst, viti që solli rinia studentore e vendit mund të konsiderohet pa asnjë hezitim si “annus mirabilis”, si viti i mrekullive. Kjo për ju, për moshën tuaj, nuk është kaq e lehtë të realizohet, por për gjithë të tjerët që kanë lindur para jush e që kanë kaluar vite rinie nën regjimin më të egër që Europa kishte njohur pas luftës, siç ishte regjimi hoxhist, ka kuptimin e vet. Dhe këtu unë dua të ndalem pak, përse viti ’90 ishte dhe do të mbetet për shqiptarët “annus mirabilis”, viti i mrekullive.

Së pari, lëvizja studentore gjunjëzoi në Tiranë, regjimin më të egër, diktaturën më të egër, më të pamëshirë, që Europa kishte njohur. Unë do t’ju jap vetëm dy të dhëna për këtë. E para, në Shqipëri, lufta e klasave dhe makineria e saj ekzekutoi, persekutoi, burgosi, internoi dy herë më shumë qytetarë, se në të gjitha vendet ish-komuniste të marra sëbashku, përveç Bashkimit Sovjetik, të cilit nuk ia di statistikat, por, pak ditë më pare, gjatë një dreke me Mikhail Gorbaçov, një nga ata 2-3 personalitetet më të mëdha të shekullit që shkoi, i cili me rolin e qëndrimin e tij kontribuoi në mënyrën më të jashtëzakonshme në shembjen e murit komunist, kur unë i dhashë statistikën zyrtare, - duke i thënë: Zoti President, vetëm gra, sipas statistikave dhe regjistrit zyrtar, në Shqipëri janë pushkatuar 800 gra, prej të cilave edhe nëna shtatzëna, - ai u trondit jashtë mase.

Së dyti, regjimi që përjetonim ne dhe për fat të keq, kjo është ana e panjohur për shqiptarët, në dallim nga të gjitha regjimet ish-komuniste, ka vrarë, ka ekzekutuar shumë herë më tepër mes urisë dhe sëmundjes, sesa me burgjet dhe skuadrat e pushkatimit. Kjo nuk njihej, sepse në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ishim të privilegjuar, pasi kishim një tollon dhe tolloni - juve ju duket çudi sot - përcaktonte se do të merrje një pako gjalp, një kilogram mish, pra, këtë lloj marrëdhënieje, ndërsa ata qytetarë shqiptare, që shtriheshin nga Vermoshi në Delvinë, në mënyrë absolute merrnin për vite të tëra vetëm kripën, sheqerin, vajin dhe këtë nga një kilogram dhe bukën e misrit. Këta krijonin sëmundje të tmerrshme dhe sëmundje të tjera. Sot, të tregosh sesi familjet shqiptare filluan t’i përshtaten ose të reagojnë ndaj këtij mjerimi, është legjendë, madje shkuar me dhjetëra herë legjendës së Migjenit. Migjeni përshkruan familjet dhe laren që ushqenin pranë vatrës. Por në Kolonjë, në Tropojë e në shumë e shumë rrethe të tjera, aq sa e pabesueshme duket sot, familjet, pavarësisht nga besimi i tyre fetar, rrisnin derrin në dhomën e miqve, duke u kujdesur të mos i ndihej zhurma, sepse regjimi i çoi ato në kufijtë e shuarjes.

Mortaliteti infantil ishte ndër më të lartit në botë, si edhe shumë tregues të tjerë.

Mjerimi, të dashur të rinj dhe të reja, është një mekanizëm i tmerrshëm topitjeje për njeriun dhe qytetarin. Por, aq sa mund të duket paradoksale, ai ishte një mekanizëm i stërfuqishëm shtypjeje dhe indoktrinimi. Për ata, të cilët e njihnin Shqipërinë, sistemi në Shqipëri ishte një sistem skllavërues, në kuptimin absolut të fjalës. Por ishin të paktë ata që jetonin në qytete, të cilët kishin njerëz dhe e dinin se çfarë ndodhte në periferinë e vendit. Ndaj edhe Shqipëria u katandis në vitin 1992, si viti me 204 dollarë të ardhura për frymë. Ky ishte regjimi. Ndaj edhe unë them se për shqiptarët, ky është “annus mirabilis”, një vit mrekullie.

E vërteta është se shqiptarët pothuajse ishin projektuar të qëndronin në fatin e tyre. Nuk kishte komb që hyri në vitin ’90 më fatkeq se kombi ynë: brenda në një varfëri, mjerim dhe shtypje ekstreme, jashtë i shtypur. Këta ishin shqiptarët në vitin ’90, të shtypur në Kosovë, të shtypur në Maqedoni, të shtypur në Malin e Zi dhe po kaq të mjeruar dhe të shtypur në Shqipëri. Në këto rrethana, unë dua t’ju rrëfej një të vërtetë profesionale. Ndonëse i vendosur t’i kundërvihem atij regjimi me çdo çmim dhe me çdo kusht dhe kisha filluar shkrimet dhe qëndrimet e mia, nuk kisha besuar kurrë se një ditë do të shihja ndonjë ditë të lirë. Ne ishim në izolim të plotë. Dhe këtë terr të madh, këtë perde të rëndë, e çorrën të rinjtë e universiteteve të Tiranës, të cilët u ngritën me 8 dhjetor. Përballja ishte ndër më të egrat. Ndaj dhe unë e quaj këtë “annus mirabilis” të tyre.

Moshatarët tuaj, në atë dhjetor të ’90-s, përballeshin me një regjim, i cili, edhe pasi kishte hequr dënimin për tradhti ndaj atdheut për kalimin e kufirit, ekzekutoi 83 bashkëmoshatarë tuaj, sipas regjistrave, të cilët u nisën për në botën e lirë, duke besuar se tashmë, përderisa ligji i tradhtisë ndaj atdheut u anulua, u hoq nga parlamenti, do të mund të kalonin kufirin dhe të dilnin në botën e lirë. Dhe jo vetëm që u ekzekutuan, por, si në asnjë vend tjetër, në Sarandë, në Shkodër, trupat e tyre të vdekur u zvarriten në rrugët e qytetit, në aktin më makabër, në krimin më të shëmtuar kundër njeriut dhe njerëzimit. E gjitha kjo, për të terrorizuar të tjerët, që ata të mos mund të dilnin.

Ky vit ishte “annus mirabilis”, sepse kjo lëvizje studentore, e cila u përball me regjimin, disa herë më mizor se regjimi i Gedafit, ia doli që me një kurajë të jashtëzakonshme të shmangë një luftë civile, një konflikt civil. Unë ju them këtu, se ata studentë, ata pedagogë, ata intelektualë, që nisën këtë lëvizje dhe e udhëhiqnin atë, dinin shumë, shumë pak për sistemin që do të ndërtohej më vonë. Por ata kishin si qëllimin më madhor, një lëvizje paqësore, të fitonin me një lëvizje paqësore. Këtë, ata e kishin qëllim në vetvete. Gjatë kësaj pranvere dhe vere, duke ndjekur zhvillimet në Libi, jam ndier me dhjetëra, me qindra herë vlerësues ndaj atyre studentëve dhe intelektualeve, që në vitet ’90, ia dolën të shmangnin një konflikt civil brenda vendit.

A ishte regjimi i gatshëm për një konflikt civil? Regjimi ishte ambig. Ambiguiteti ishte evident në çdo gjë. Ish diktatori i fundit, i cili vdiq pak muaj më parë, deklaroi shumë vite më vonë se nuk ishte dakord me pluralizmin, por e pranoj, nuk solli tanket në Qytetin Studenti. E bëri këtë që të mos pësonte fatin e Çausheskut? Cila është arsyeja, ne e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë se tanket nuk erdhën në Qytetin Studenti. Por ministri i tij i Brendshme, më 20 shkurt, kur qytetarët dhe rinia studentore e Tiranës përmbysën bustin e diktatorit Hoxha, deklaroi: më dha urdhër të qëlloja mbi njerëzit dhe unë nuk qëllova. Ai kurrë nuk përgënjeshtroi se nuk kishte dhënë urdhër. Çka do të thotë se kishte dhënë urdhër. Dhe kjo akuzë nuk vinte nga opozita, por vinte direkt nga njeriu që merrte urdhra nga Presidenti i vendit.

Momente të tjera jashtëzakonisht kritike të një konfliktit të hapur u shmangën me vendosmërinë më të madhe nga opozita shqiptare. Një opozitë, e cila në atë kohë dinte pak për mekanizmat e tregut të lirë dhe kjo, sot, mund t’ju duket çudi juve. Sërish më duhet t’ju tregoj një histori, me një pedagoge të re në vitin ’90, e cila erdhi tek unë, në Fakultet, për t’i vizituar nipin, të cilin unë e vizitova. Gjatë bisedës me të i them: shoqja pedagoge, a mund të më thuash nëse ka ndonjë element tregu në fjalimin që Ramiz Alia kishte mbajtur në plenum. Ajo më thotë: doktor, unë tezën e kam anti-treg. Këto ishin njohuritë për tregun, në vendin më hiperkolektivist të Europës.

Përse ishte tjetër viti ’90 viti i “annus mirabilis”? Ky ishte viti, në të cilin u krijuan forcat e para politike të interesit kombëtar. Interesi kombëtar, sado që të na duket i largët, sado që të na duket eterik, për njeriun e qytetëruar është absolutisht interesi i tij i parë personal. Një komb, gjysma e të cilit ishte i robëruar nga pushtues shekullorë, nuk kishte asnjë zë, për shtypjen e egër të bashkëkombësve të vet, sepse regjimi i shtypte brenda shqiptarët, shumë më tepër së pushtuesi ata.

Unë jam një nga ata që kam udhëtuar, kam qenë studiues, kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, në Kongrese të ndryshme dhe sapo unë hapja me kolegët e mi çështjen e shqiptarëve në Kosovë, përgjigja e parë, automatike, që më dilte përpara ishte: ju jeni shumë me keq se ata, se ata të paktën i luten Zotit, ndërsa ju nuk i luteni dot Zotit. Pra, në Shqipëri interesi kombëtar ishte shndërruar, kishte marrë drejtim të kundër. E vërteta është nuk ju intereson shumë historia, por, kur dikush i ankohet njëherë Josif Bros Titos se propaganda e Tiranës po e shante, ai thotë lëre, nuk e kanë me ty, e kanë me mua, se atij i leverdiste ajo punë, Tirana i leverdiste atij, se Tirana shtypte shqiptarët dhe askush në botë nuk ngrinte çështjen e shtypjes dhe lirive e të drejtave të Kosovës, në një kohë kur shqiptarët ishin në hapësirat më minimale të ekzistencës së tyre.

Lëvizja që ju [rinia] themeluat është lëvizja e parë në historinë e vendit që lindi nga shpirti dhe zemra e shqiptarëve, pa ndikim, pa manipulime nga të tjerët. Ajo synonte shkëputjen përfundimtare të politikës shqiptare nga interesat antishqiptare. Unë ju garantoj juve se kam respekt të palëkundur dhe e konsideroj një faqe të ndritur Luftën Nacional-Çlirimtare, por e vërteta është siç faktojnë të gjithë dokumentet, se ajo luftë u manipulua për qëllime tërësisht antishqiptare, nga përfaqësuesit e Partisë Komuniste Jugosllave, të cilët themeluan në Tiranë, Partinë Komuniste Shqiptare, si një forcë politike që luftoi me gjak forcat nacionaliste të vendit dhe i luftoi me arsyen e vetme, sepse e dinin se forcat nacionaliste nuk do të pajtoheshin kurrë me shtypjen e egër të shqiptarëve në Kosovë, nuk do të pajtoheshin kurrë me diktatin e Beogradit. Ndaj, viti ’90 është “annus mirabilis” për shqiptarët, sepse solli në skenë studentë, punonjës, intelektualë, të cilët përfaqësonin më shumë se çdo gjë tjetër, interesin kombëtar të shqiptarëve. Në mitingun themelues u deklarua se ylli polar i forcës së re politike është çështja shqiptare.

Sot, pas 20 vitesh, ju, natyrisht, keni pasione të shumanshme dhe një copë e këtij pasioni mund të jetë edhe historia. Ju duhet të dini se në tërë historinë tonë kombëtare, mijëravjeçare, faqja më e ndritur që ne shqiptarët kemi shkruar është pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës, sepse ajo ishte më e vështira. Ajo zhbëri ato padrejtësi të tmerrshme, që na u bënë në fillimin e shekullit që shkoi. Ajo zhbëri në kundër rrymë, ato padrejtësi dhe ndëshkime që ju bënë shqiptarëve në fillim të shekullit që shkoi. Kjo pavarësi është tërësisht atribut i rezistencës totale paqësore, nën udhëheqjen e Presidentit Rugova, të qytetarëve të Kosovës. Dhe kjo nuk mjaftonte. Kjo pavarësi është rezultat i luftës së pamposhtur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një formacion luftarak i ri, i cili nuk vinte nga fushë-betejat, por një formacion luftarak i pamposhtur. Një gazetar amerikan që ka shkruajtur një libër dhe ka ndjekur ushtarët e UÇK në Kosovë shkruan se ata ishin njerëz të betuar që të mos pranonin fatin e etërve të tyre. Në fushëbeteje, thotë ai, ata vriteshin. Sot vriteshin 7, 10, 15. Pasdite shkonin dhe visheshin si fshatarë, nuk gjendeshin. Të nesërmen dilnin prapë në fushëbetejë dhe deklaronin se dje kemi fituar, ndonëse nuk kishin fituar dhe me këtë dëshmonin se ishin të pamposhtur. E vërteta është se ata u shndërrua në një tmerr dhe ferr për Beogradin. Ata ia dolën të tërheqin mendjen e zemrën e shtetarëve, të qytetarëve të SHBA, Presidentit Klinton, i cili vendosi angazhimin e Aleancës më të fuqishme ushtarake në mbrojtje të tyre dhe ata u çliruan. Për të gjitha këto, ne duhet të jemi shumë të hapur se Shqipëria luajti rolin e saj jashtëzakonisht të rëndësishëm. Kosova fitoi se ajo pati një prapavijë diplomatike, politike të gjithanshme tek Shqipëria e lirë. Shqipëria e vendosi çështjen e saj në të gjitha samitet dhe tryezat e mëdha të botës dhe i dha çdo mbështetje. Ka dhe kombe të tjera, të cilët janë të ndarë dhe të copëtuar, por vetëm shqiptarët në Kosovë zgjidhën problemin dhe këtu, një faktor tjetër kardinal ishte edhe Shqipëria - vend i lirë, rezultat i “annus mirabilis”, i vitit ’90.

Sot, pas 20 vitesh, ne kemi arritje shumë të mëdha. Së pari, ne ecim të sigurt drejt grupit të vendeve të zhvilluara. Vendi, që 20 vjet më parë kishte 204 dollarë të ardhura për frymë, sot i ka ato mbi 8000 mijë dollarë. Shqipëria ka sot, një projekt të qartë zhvillimi, është anëtare e NATO-s, është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, ka një ekonomi dinamike që në rrebeshin më të madh ekonomik të Europës dhe të botës qëndroi pa rënë në recesion. Shqipëria ka një projekt të qartë dhe të sigurt për integrimin në Bashkimin Europian, proces që u pengua me qëllim, absolutisht, me qëllim të pastër politik personal nga kreu i opozitës, i cili nuk është anti-europian. - Nuk mund të them se Partia Socialiste është parti anti-europiane, absolutisht, ajo nuk është anti-europiane dhe po të ishte dhe të kisha bindjen do t’jua thosha se është anti-europiane, por jo, nuk është. Ka qenë dikur, ka qenë anti -NATO, bënë rezoluta në parlament kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO etj., etj., por nuk janë më, kanë ndryshuar. - Këtë e bën vetëm e vetëm se beson se duke bllokuar qeverinë dhe vendin, ai do të mund të vijë më shpejt në pushtet. Mori verdiktin më 8 maj, deri tani thotë se nuk do të bllokojë më, por, prapë se prapë, duhet të jemi të durueshëm dhe e rëndësishme është se problemet që lindin në Shqipëri, i zgjidhin shqiptarët me mekanizmat që ata kanë krijuar, me institucionet që ata kanë vendosur, institucione të shtetit ligjor. Viti që shkoi vërtet ka pasur probleme serioze, por edhe ka faktuar në mënyrën më të qartë funksionimin e shtetit ligjor dhe forcën e tij, në këtë vend.

KOMENTE
  • Enco Grimaldi20:51 - 04 Dhjetor 2011
    Ju lumte zoti Berisha!Pergezime te larta meritoni edhe juve personalisht.Asgje tjeter s me lidh me ju vec dashurise per Atdheun,demoktacine dhe lumturine dhe mireqenjen e larte te shqiptareve.Ju vleresoj dhe ju respektoj per vrullin, kembenguljen dhe punen tuaj si i pa lodhur.Nuk shikoj asnje devijim nga ato qe keni thene qe ne ditet e para te demokracise.