English

Dhjetori i njërit e tjetrit

Nga Alfred Lela

Të gjithë kanë Dhjetorin e tyre. Ndoshta kjo bota jonë post-komuniste e mbushur cit me dhjetoristë, e ka shtyrë Mehmet Elezin, një ish-funksionar të organizatës së rinisë komuniste, shkrimtar, që një prej librave ta titullojëNuk isha student i Dhjetorit.

Përtej asaj se kush ka qenë Dhjetorist e kush nëntorist, një inflacion kozmik ka marrë dhjetori në diskursin e politikës kur vjen…dhjetori. Ka njëzet e një vjet që shkojmë nga një dhjetor në tjetrin me të njëjtin patos kalendariko-historik ku për nja dy javë të mira ndodh shenjtërimi i ditëve: mbi dokumentet hidhet temjani i radhës dhe temjanin e fryn një erë që bëhet mjegull dhe, si në atë baladën e vjetër, naltohet mbi Bunë e mbi gjithë Shqipërinë.

Është nevoja e të gjithëve për ta mjelë Dhjetorin, siç bëhet zakonisht me lopën e heshtur të historisë: të njëjtat kujtime të stërtreguara vijnë varg e stërvarg e mblidhen nyjë në fytin e kujtesës së përbashkët të shqiptarëve: atyre që kanë qenë ose shumë të vjetër, ose shumë të vegjël për të marrë pjesë në Dhjetorin e të gjithë dhjetorëve.

Dhjetori ’90 nuk ka jubile. Jubiletë janë për ngjarje të tjera, siç ta zëmë, shembja e Murit të Berlinit, a të tjera. Dhjetori ynë nuk ka jubile, sepse politika e ditës është, epo, e ditës dhe ajo për çdo ditë kërkon t’i fusë gojës së madhe të kombajnës së saj egjrën që kthehet në propagandë të egër.

Por, prit: për mos t’u harruar është kjo; Dhjetori ynë është i ndarë më dysh. Dhjetori i njërës anë dhe dhjetori i anës tjetër. Ana ndryshon në varësi të kush është në pozitë e kush në opozitë. Për opozitën (e të gjitha kohërave) idealet e Dhjetorit nuk u realizuan, për pozitën (e të gjitha kohërave) Dhjetori duhet kthyer në Shën Dhjetor. Madje për të duhet paguar e dhjeta.

Pjesën e kësaj takse të sheshtë, e paguajmë të gjithë edhe pse nuk e përdorim dhjetorin ashtu si TVSH-në, është parada televizive e dhjetoristëve. Ata janë të vjetër tashmë; thinjat u përhijnë tëmthat; kockat u dhembin me motin; janë nostalgjikë vend e pa vend; të pamundur siç janë, të mbytur nga detyrat e larta qeveritare apo opozitare, nuk mënojnë, studio më studio, të na rrëfejnë dhjetorin super të jetëve të tyre. Ata janë, oh well, The Decemberists.

Asgjë kundër dhjetorit. Aq më pak kundër dhjetoristëve. Ka qenë fat i madh për ta dhe për ne të tjerët që ato ditë të ftohta u mblodhën në një nga erërat e historisë me apasionatat e lirisë në gjokset e 20-vjeçarëve të kohës. Por pompa e madhe për ngjarjet e mëdha të 21 viteve të shkuara shoqërohet me drojën se zjarri në gjoks është shuar dhe rrahjet e gjoksit nuk e ndezin dhe as e zëvendësojnë.

Ka humbur sensi i masës. Por edhe i cilësisë. Bashkë me të edhe ai që njerëzit e medias quajnë ekskluzivitet. Të gjitha këto bashkë bëjnë etikën, por edhe estetikën e historisë. Historia nuk mund të jetë as e bukur dhe as e lavdishme kur tam-tamet për të, më shumë se certifikime, vijnë e ngjajnë si dyshime.

*Ky profil është i bazuar në ngjarje reale. Çdo përkim me persona konkretë nuk është rastësor.

"Mapo"

KOMENTE