English

Nuk duam panik, por...

Deputeti i PS në takimin Shqipëri – BE u shpreh kryesisht për një optimizëm të tepruar të qeverisë sa i takon hartimit të buxhetit dhe parashikimeve të saj që janë tërësisht larg atyre çka thonë institucione ndërkombëtare lidhur me rritjen ekonomike të Shqipërisë

Nga Arben Malaj

“Shenjat e para të impaktit të krizës mbi ekonominë shqiptare kanë të bëjnë me rënien ekonomike, këtë vitin e fundit FMN parashikon që ka një rënie të të ardhurave dhe ngrirje të tyre deri vitin 2015, çka do të thotë se do të jemi përpara presioneve të rritjes së deficitit dhe rritjes së borxhit.

Më konkretisht në vitin e kaluar situata ka qenë e përkeqësuar. Në vitin 2011 qeveria dështoi të mbledh rreth 33 milionë dollarë në buxhet dhe për të ruajtur deficitin ajo në mënyrë administrative dhe pastaj ligjore ose shkurton buxhetin, ose shkurton shpenzimet në fushat prioritare, arsim e shëndetësi, që janë sektor shumë jetik, ose përkeqëson marrëdhëniet me biznesin duke mos u kryer në kohë pagesat që atyre ju takojnë për punët e kryera.

Rritja e deficitit dhe rritja e borxhit na kanë çuar në momente ku ka shumë pak hapësira në kushtet kur përkeqësimi ekonomik rajonal dhe evropian mund të vazhdojë edhe vitet e ardhshme.

Pra në qoftë se vendet e Europës Juglindore kanë një borxh publik prej 35%, Shqipëria e ka rreth 60%. Në qoftë se vendet e Europës Juglindore kanë një kosto borxhi rreth 1.1%, në Shqipëri është rreth 2 % më shumë, ose përafërsisht 3.4%.

Këndvështrimi i opozitës nuk është për të krijuar panik, por për t’i kërkuar publikisht qeverisë që të marrë masa për ta ndalur tani dhe jo më vonë përkeqësimin e financave publike.

Sigurisht që rruga më e mirë do të jetë që të rritet bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare.

Pra, të shihet nga afër mundësia që skanimi që ka bërë FMN, për problemet që ka ekonomia shqiptare, shqetësimet që ngre Banka Botërore për ngadalësimin e rritjes ekonomike jo si pasojë e krizës globale, por për shkak të qeverisjes së vendit, për shkak të korrupsionit, duhet të jenë elementë prioritar për t’u menaxhuar situata të ardhshme ekonomike.

Njëkohësisht ne mendojmë që BE ka një rol të rëndësishëm me politikat dhe fondet e tij që të asistojë nga afër vendin tonë.

Duke patur parasysh të gjitha analizat që bëhen nuk duhet të jemi optimistë të tepruar, nuk mund të parashikojmë edhe në vitin 2012 një rritje ekonomike prej 4.3% kur organe më të specializuar si FMN, Banka Botërore parashikojnë një rritje prej 2.8 deri në 1.5 %. Buxhetet që bazohen mbi parashikime tepër optimiste kanë treguar se janë cenuar keq me implementimin e tyre.

* Dërguar nga autori, ekspert ekonomik, ish-ministër i Ekonomisë

KOMENTE