English

UISH: I rëndësishëm komunikimi mes infermierëve de pacientëve

Korçë, 13 dhjetor, NOA - Komunikimi i duhur me pacientin, është një ndër pjesët e rëndësishme të kujdesit infermieror, të cilit i duhet kushtuar një rëndësi e madhe prej profesionistëve të tij. Dhe jo vetëm ai verbal, por komunikimi si i tillë në gjithë aspektet. Infermierët gjithmonë duhet të dinë të gjejnë fjalët e duhura kundrejt pacientëve të tyre.

Një fakt i tillë ishte tema kryesore e Konferencës së Infermieristikës që u zhvillua në spitalin rajonal të Korçës, ku merrnin pjesë infermierë, mami, fizio-terapistë si edhe profesionistë të tjerë të institucioneve shëndetësore në rajonin juglindor të vendit.

Zv/ministri i Shëndetësisë, Albert Gajo, i cili përshëndeti në emër të ministrit Vasili punimet e kësaj konference, vlerësoi punën e bërë nga punonjësit e këtij spitali për reformimin e kujdeseve infermierore. Ai theksoi edhe rëndësinë për rritjen e cilësisë së këtyre kujdeseve, përmes edukimit profesional në vazhdim, e cila sipas tij është një detyrë e rëndësishme, si pjesë e reformës në shëndetësi. Ndërkaq, punimet e kësaj konference janë përshëndetur edhe nga drejtori i këtij spitali rajonal, Riza Hashimi, i cili vlerësoi punën e mirë të infermierëve të tij.

Nga ana e tij, presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi, në fjalën e tij, një rëndësi të veçantë i dha përmirësimit të sjelljeve etiko-profesionale nga të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor.

Por ai vlerësoi edhe temën e rëndësishme që ishte zgjedhur për këtë takim, e cila kishte të bënte me komunikimin në procesin e infermieristikës.

Duke theksuar se komunikimi është mjaft i rëndësishëm. Dhe jo vetëm ai i folur, por më i rëndësishëm është ai me veprime nga profesionistët e kujdesit infemieror.

Ndërsa kryeinfermieri i përgjithshëm i spitalit rajonal të Korçës, Mihallaq Kondi, përmendi arritjet në kujdeset infermierore të këtij spitali dhe vlerësoi sfidat në reformimin e mëtejshëm të tyre. Tematika e këtij aktiviteti, i kushtohej komunikimit si një art, në zhvillimin shumë të rëndësishëm të marrdhënieve infermier-pacient.

Në Foto: Spitali i Korçës

KOMENTE