English

Viti ’90-të ose Annus Mirabilis

Viti ’90-të është dhe do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë kombëtare si Annus Mirabilis, viti i mrekullive të vërteta të shqiptarëve dhe Shqipërisë

Lexoni gjithashtu: Berisha, debolesë pas dite të lodhshme (FOTOT & VIDEO)

Nga Sali Berisha

Sot jemi mbledhur për të nderuar e festuar së bashku, me të gjithë shqiptarët, 21 vjetorin e themelimit të pluralizmit politik dhe njëherazi të partisë së parë opozitare në tërë historinë e vendit, Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë së lirive dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve, shpresave të tyre të pashuara, interesit të tyre kombëtar e çështjes shqiptare, partisë së vokacionit të tyre perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian.

Viti ’90-të është dhe do mbetët gjithmonë në kujtesën tonë kombëtare si annus mirabilis, viti i mrekullive të vërteta të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ne shqiptarët erdhëm në dhjetor të viti ’90-të si qenit njerëzore ndër më të shtypura, më të skllavëruara, më të dëshpëruara, më të mjeruara, më të harruara e vetëharruara, më të izoluara të planeti. 21 vjet më parë, ne ishim njerëzit e vetëm mbi tokë me liritë, të drejtat themelore e besimet fetare të ndaluara me Kushtetutë. Ne ishim vendi, në të cilin, 21 vjet më parë, liritë e të drejtat e njeriut ndëshkoheshin me dënim kapital. Diktatura e Enver Hoxhës kishte persekutuar, burgosur, internuar e pushkatuar për lirinë e fjalës e të besimit, dinjitetit njerëzor e vokacionit perëndimor, me mekanizmin barbar të luftës së klasave, dy herë më shumë qytetarë të pafajshëm shqiptarë, sesa të gjitha regjimet komuniste diktatoriale të marra së bashku, përveç Bashkimit Sovjetik. Dhe me gjithë këtë, në dhjetor të vitit ’90-të, me ne ndodhi një mrekulli e vërtetë. Studente e studentë të universitetit të Tiranës, me në krye tribunin e lirisë Azem Hajdari, të mbështetur nga intelektualë e qytetarë të kryeqytetit, befas do të ngriheshin të pamposhtur, me kurajë e vendosmëri të pashoqe, në një betejë që kronikanët e kohës do ta krahasonin me betejën e Davidit kundër Golias dhe do të gjunjëzonin në rrugët, sheshet e sokakët e kryeqytetit diktaturën komuniste më të egër në Europë, do të themelonin pluralizmin politik, Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Por viti ’90-të është viti i mrekullisë së madhe individuale për çdo qytetar të lirë të këtij vendi, sepse çdo shqiptar ka në dhjetorin e vitit ’90-të, në themelimin e pluralizmit politik dhe Partisë Demokratike, ditëlindjen e lirive dhe dinjitetit të tij. Kështu që sot, ne nuk festojmë thjeshtë datën e themelimit të një partie, por të gjithë kemi në 11 dhjetor të viti ’90-të ditëlindjen tonë të dytë, ditëlindjen e lirive e të dinjitetit njerëzor individual, ndërsa kombi ynë, shqiptarët kudo në botë festojnë në këtë ditë, ngjarjen më të madhe në historinë e tyre nga 28 nëntori i vitit ’12-të, themelimin e pluralizmit politik, lokomotivës së demokracisë në botën e lirë. Ne shqiptarët, më shumë se çdo komb tjetër, e provuam se pavarësia pa demokraci de facto nuk është pavarësi, por shtypje e egër, skllavëri, mjerim, poshtërim individual e kombëtar. Për ne e për çdo shoqëri tjetër të lirë, pluralizmi e pavarësia janë dy faqe të ndritura të lirisë së çdo individi, çdo kombi e vendi të lirë. Ndaj ne festojmë sot, vitin e mrekullisë së lirive tona si qytetarë të një vendi me liri e të drejta të garantuara në Kushtetutë, si një vend që ka në kurorën e pluralizmit të tij politik me dhjetëra e dhjetëra parti parlamentare e jashtëparlamentare, festojmë si vend i fjalës së lirë, i votës së lirë, i besimeve të lira fetare, i tolerancës së shkëlqyer fetare, festojmë si vend i respektimit të plotë të lirive dhe të drejtave të minoriteteve, si vend, në të cilin funksionon shteti ligjor e rendi kushtetues.

Këto 21 vite, Partia Demokratike provoi se programi i saj ka në themel liritë e të drejtat e qytetarëve, se pasioni shpirtëror i demokratëve ka qenë dhe do të mbetet liria. Unë jam sot këtu, për të garantuar shqiptarët se liritë e të drejtat e tyre, zgjerimi e garantimi i tyre është dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive të Partisë Demokratike e mazhorancës së saj, është arritja e madhe e jetës sonë. Shqipëria i bën 100 vitet e pavarësisë së saj si vend i lirë, vend i pavarur, vend i shqiptarëve të lirë. Zoti e bekoftë Shqipërinë!

***

Në Shqipëri, diktatura hoxhiste, në dallim nga të gjitha klikat e tjera komuniste në Europë, mori nëpërmjet hiperkolektivizmit, urisë dhe sëmundjeve që e shoqëruan atë në 43 vite, qindra e mijëra jetë. Shqiptarët erdhën në vitin ’90-të si i vetmi komb në Europë i uritur e i rraskapitur gjer në palcë, me vetëm 204 dollarë të ardhura për frymë, si vendi i pronës private dhe iniciativës së lirë të ndaluar me Kushtetutë, vendi i një ekonomie hiperkolektiviste tërësisht të falimentuar.

Viti ’90-të do të mbetet në analet e historisë si viti i mrekullisë tjetër të Shqipërisë e shqiptarëve, viti i rilindjes së ekonomisë së lirë të tregut. Partia Demokratike, me programin ekonomik të saj, do të shpallte para shqiptarëve se ajo është parti e iniciativës së tyre të lirë, e pronës private dhe ekonomisë së lirë të tregut.

Sot, pas 21 vitesh, sërish ne nuk jemi ndër vendet e pasura, por falë lumenjve të djersës që derdhën shqiptarët, reformave të thella të programit të qeverisë së Partisë Demokratike dhe koalicioneve të saj, solidaritetit, bujarisë e mbështetjes së jashtëzakonshme të miqve tanë në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo në botë, ne shqiptarët dhe Shqipëria jemi njerëzit e vendi i një quantum leap të vërtetë e të pashembullt në Europën e 21 viteve të fundit.

Në 21 vjet, si në asnjë vend tjetër, të ardhurat për frymë në Shqipëri janë rritur rreth 40 herë, Shqipëria renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta me mbi 8 mijë dollarë për frymë. Ajo është vendi, në të cilin mbi 80 për qind e prodhimit vjen nga sektori privat, vendi, në të cilin në një hark kohor 5-6 vjeçar, të ardhurat buxhetore u rritën 8 miliardë dollarë, eksportet janë dyfishuar çdo dy vjet e janë rritur me 300 për qind, investimet e huaja direkte janë rritur me 316 për qind, potencialet e mëdha natyrore të vendit, energjetike, turistike e minerare kanë tërhequr investitorë të mëdhenj nga mbarë Europa e bota e po kthehen dora-dorës në vlera për qytetarët shqiptarë. Papunësia ka njohur rënie të ndjeshme, rrogat e pensionet e ulëta janë rritur me mbi 120 për qind, varfëria është ulur me 33 për qind, është trefishuar numri i studentëve, është dhjetëfishuar përdorimi i internetit dhe Shqipëria pret 100 vjetorin si një vend në moshën dixhitale. Nga viti 2006 e gjer më sot, Shqipëria ka ndërtuar dhe rindërtuar rreth 9 mijë kilometra korridore rrugore, autostrada, rrugë kombëtare, rajonale e lokale. Ajo ka këtë vit vdekshmërinë foshnjore një shifrore, si dhe vdekshmërinë më të ulët në të rritur në të gjitha vendet e tjera ish komuniste. Jetëgjatësia e qytetarëve të saj është pothuajse e njëjtë me atë të disa vendeve të zhvilluara. Shqipëria ka njohur në 6 vite dhjetëfishimin e turizmit dhe u shpall këtë vit destinacioni kryesor turistik në botë. Vendi, që 20 vite më parë kishte ekonominë më të falimentuar të planetit, ka kryesuar në kulmin e krizës, me rritjen ekonomike, ekonomitë europiane. Vende të reja pune për shqiptarët në tërësi dhe të rinjtë shqiptarë në veçanti është dhe do të mbetet motoja jonë.

Ne qëndrojmë të vendosur që me reforma të thella, në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm jeshil, ta shndërrojmë Shqipërinë, një vend të zhvilluar e të begatë për qytetarët e saj.

***

Viti ’90-të është viti i një mrekullie të vërtetë, të madhe, shqiptare sepse është viti i përmbysjes me mjete paqësore të regjimit më barbar, diktaturës më të egër, policisë sekrete më mizore të Evropës.

Sot, pas 21 vitesh dhe dritëhijeve të pranverës arabe, veprën e atyre mijëra studenteve dhe studentëve, intelektualëve, punonjësve dhe qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që me lëvizjen e tyre për liri dhe dinjitet, më të fuqishmen në historinë e kombit gjunjëzuan brenda disa ditëve regjimin e Hitlerit të pas Luftës së Dytë Botërore dhe me kurajë, gjakftohtësi mençuri të pashoqë, shmangën konfliktin civil, në vendin, që mjerisht, jo të paktë ishin ata që nuk besonin se do të ndryshonte, madje haptas kishin parashikuar se Shqipëria do të mbetej “Kuba e Adriatikut”, por të këtij mendimi nuk ishin studentet dhe intelektualët e universiteteve të Tiranës, punonjësit dhe qytetarët e vendit, kënga e pa kënduar e lirisë ushtonte fuqishëm në shpirtrat dhe ne zemrat e tyre.

Regjimi diktatorial hoxhist i Ramiz Alis, policia sekrete hoxhiste pritën rënien e murit të Berlinit, me varjen e disidentëve në sheshet e qyteteve të vendit. Ata ishin klika e vetme komuniste ne Evropë që në korrik të vitit ’90-të ia dolën të ringrenë murin e Berlinit në Tiranë, që shemben me gjoksin e tyre të rinjtë, luanë, që hynë në ambasada. Kjo klikë vetëm gjatë vitit ’90-të kishte ekzekutuar në kufijtë e vendit mbi 83 të rinj dhe te reja, madje, në jo pak raste kishte zvarritur trupat e tyre të pajetë, në mes të ditës, në qytetet e vendit për të mbjelle kudo frikën e vdekjes dhe terror tek ata. Por, pa mëdyshje kjo dëshmonte se ata erdhën ne vitin 90-të të gatshëm që me zjarr dhe hekur të lanin hesapet me armiqtë e vjetër dhe te rinj të klasës. Ata i dëshmonin shqiptarëve dhe botës se kishin mprehur hanxharët ndaj çdo lëvizje apo përpjekje që kërcënonte pushtetin e tyre, por uragani i fuqishëm së lëvizjes së shqiptarëve për liri, guximi dhe vendosmëria e rinisë shqiptare, diviza jonë “opozitare por vëllezër” që pushtoi me shpejtësi mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, zhvillimet në Bukuresht bënë që klika hoxhiste, policia e saj sekrete të strukeshin në bunkerin e historisë dhe shqiptarët të këndonin në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit dhe të qyteteve të tyre, këngën e lirisë dhe te realizonin me rrugë paqësore ëndrrën e tyre të lirisë.

Në 21 vite, Partia Demokratike e Shqipërisë e dëshmoi veten si parti e vlerave të paqes, tolerancës, mirëkuptimit. Në këto 21 vite të jetës së saj politike, Partia e idealeve te dhjetorit dhe në kohërat më të vështira të saj, kur anëtarët, simpatizantët e saj u ekzekutuan nga falangat e krimit shtetëror, qëndroi e pamposhtur në vlerat ne paqes, mirëkuptimit, tolerancës.

Unë jam sot këtu për të garantuar shqiptarët se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet parti e hapur e dialogut, debatit, mirëkuptimit, e respektit dhe e gatshme për kompromis në interesin më të mirë të vendit dhe të kombit.

***

Viti ’90-të nuk ishte vetëm viti i themelimit të një partie, por viti i një mrekullie të vërtetë të Shqipërisë. Diktatura hoxhiste kishte zhytur Shqipërinë në izolimin më të thellë, kishte rrethuar atë me tela me gjemba, kishte ngujuar kombin dhe vendin në bunkerin e harresës njerëzore.

Ne shqiptarët erdhëm në dhjetorin e vitit ’90-të si kombi dhe vendi i një izolimi që nuk ishte njohur kurrë më parë në historinë tonë, si vendi dhe kombi që sipas diktatorit paranojak nuk ishte as lindje, as perëndim, por të gjitha këto nuk kishin arritur kurrë të shuanin në shpirtin e shqiptarëve vokacionin e tyre perëndimor, vetëdijen më të thelle të identitetit dhe të përkatësisë së tyre kulturore, perëndimore.

Ndaj dhe 21 vjet me parë, studentët , intelektualët, punonjësit e Tiranës mbushën sheshet e vendit nën moton “ E duam Shqipërinë si Evropa”, duke faktuar kështu se as izolimi më i thellë, as klonet dhe as telat me gjemba, as diktatura totalitare më barbare, nuk mund të ndanin nga trungu i familjes së vendeve perëndimore, kombin tonë, në djepin e së cilës, ne lindëm dhe u rritëm ndofta ndër më të parët.

Partia Demokratike e Shqipërisë shpalli para shqiptarëve se hapja e vendit, miqësia me vendin e madh të lirisë SHBA-të dhe vendet e tjera të lira të Evropës dhe të botës, integrimi vendit në BE ishin objektiva madhore të programit të saj.

Partia Demokratike e Shqipërisë do të ishte forca e parë politike opozitare në Evropën ish komuniste që do të shpallte anëtarësimin e vendit në NATO, si një nga objektivat më madhore të saj. Këto 21 vite janë vitet, në të cilat ne u dëshmuam shqiptarëve dhe botës se kjo forcë politike është promotori i vërtetë i proceseve integruese evropiane, euroatlantike dhe botërore. Të gjitha aktet madhore të integrimit, këto dy dekada, janë direk të lidhura me qeverisjen e PD dhe koalicionin e saj. Kështu, gjatë viteve 92-96-të u arrit anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Këshillin e Evropës, nënshkrimi i marrëveshjes të tregtisë së lirë me BE, nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit për Paqe me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe me rikthimin tonë në pushtet dhe në vazhdim ëndrra evropiane dhe euroatlantike e shqiptarëve po bëhen dhe u bë realitet. Kështu nga viti 2006 dhe ne vazhdim u firmos Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE. Shqipëria, në vitin 2008 mori ftesën për anëtarësim në NATO. Në vitin 2009 Shqipëria u bë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në vitin 2009 u pranua kërkesa e saj për tu shqyrtuar dokumentet për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ne vitin 2010 u pranuan përgjigjet e pyetësorit, u realizua heqja e vizave, lëvizja e lirë e shqiptarëve në mbarë Evropën.

Partia Demokratike e Shqipërisë vjen në këtë përvjetor më e vendosur se kurrë për të bërë gjithçka për integrimin e vendit në BE. Ne besojmë se ky proces i bën shqiptarët më të lirë, më të begatë, më të sigurt, është i parikthyeshëm, është dhe do mbetet projekti i këtij shekulli për çdo shqiptar.

***

Viti 90-të është viti i mrekullisë së madhe për të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë dhe kudo në botë, sepse ky vit, ky dhjetor i bardhë shënoi themelimin për herë të parë të forcës politike të interesit kombëtar dhe çështjes kombëtare shqiptare.

Ne shqiptarët erdhëm në vitin ’90-të si një komb i rrënuar nga skamja dhe mjerimi, shtypja dhe izolimi dhe një komb i copëtuar nga padrejtësitë më të mëdha. Sot ne jemi të lirë në mbarë Evropën dhe kudo që jemi. Sot ne jemi të vendosur të ecim në rrugën e integrimit për tu bashkuar me Evropën.

Ndaj dhe le të shprehim ne nderimin më të madh për ta që sollën dhjetorin ’90-të, për miqtë tanë kudo në botë.

* Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Demokratike mbajtur në ceremoninë festive për 21 vjetorin e themelimit të PD-së

KOMENTE
  • Ylber Zenuni03:31 - 13 Dhjetor 2011
    nuk e di pse flitet vetem per dhjetorin apo sepse atehere disa politikan komunist ndruan emrin dhe i vune emrin vetes demokrat per ti prire vendit edhe 45 vjete te tjera.per tu permendur eshte gjithe viti 90 kur shqipetaret filluan te shprehin pakenaqesit e tyre kunder regjimit diktatorialne menyra te ndryshme ne demostrata te heshtura a mbani mend 2 korikun qe shqipetaret nga gjithe vendi shperthyen portat e ambasadave te huhaja per te kerkuar strehim politik dhe ne vazhdim pas ambasadave aratisjet ne kufi ne te gjithe drejtimet ne juge e ne veri, te gjitha keto levizje e bene qeverin komuniste te japi doreheqje,po jo te gjithe qeveritaret komunist dhane doreheqje sepse ndermjet tyre kishte njerez te etur per pushtet ,ato njerez ndruan emrin po thelle ne shpirt i kane akoma idete komuniste dhe deshiren e maslle per te qene diktatore.eshte per te arthur keq se shqipetaret edhe pas gjithe ketyre viteve kerkojne strehim politik neper bote ndersa shume te tjere te lollur nga vitet e gjata ne emigrim kane deshire te kthehn ne atdhe por atehere kur ne shqiperi te vendoset demokraci e vertet,po sipas eres qe fryn ajo dite ska me qene e afert,eshte per te ardhur keq se pas disa dekadash 1 miljone shqipetar te emigruar mund te humbasin identitetin e tyre plotesisht sepse shume femije emigrantesh tani po flasin shume pak shqip ndersa femijet e tyre skane me fole ic.prandaj zoterinj politikan mos beni lufte per karige po beni ceshte e mundur te ndertoni nje shqiperi demokratike,te lire qe populli te shikoje te arllmen e vete ne shqiperi dhe jo gjetiu.