English

Peshëngritja ul siparin e 2011-s, nderon figurat ndër vite

Me çmimin “Nderi i Federatës”, janë nderuar 11 prej figurave që kanë shkruar historinë e shtangës shqiptare. Ademi: Kulmi i 2011-s, 4 sportistë meshkuj si të kualifikuar me normë, në Olimpiadën “Londër 2012”

Tiranë, 15 Dhjetor 2011, NOA/ Altin Kodra – Të njohur si 11 figura që kanë shkruar historinë e peshëngritjes ndër vite, ata janë nderuar sot në një ceremoni ku shtanga shqiptare ka ulur siparin e vitit 2011.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, theksoi se, mbi të gjitha, kulmi i 2011-s është sigurimi për herë të parë, i të drejtës për të çuar 4 sportistë meshkuj si të kualifikuar me normë, në Olimpiadën e vitit të ardhshëm, Londër 2012.

Në një ceremoni të thjeshtë, të organizuar në kryeqytet, komuniteti i peshëngritjes shqiptare ka mbyllur vitin 2011, duke nderuar një numër figurash të shquara të këtij sporti ndër vite, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në përshëndetjen e tij, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, e cilësoi 2011-n si një tjetër vit të suksesshëm të shtangës shqiptare, si në arenën kombëtare, ku u thyen një sërë rekordesh, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, ku sportistët kuqezi morën medalje dhe tituj evropianë dhe botërorë, për të rinj dhe të rritur. Mbi të gjitha, theksoi Ademi, është sigurimi për herë të parë, i të drejtës për të çuar 4 sportistë meshkuj si të kualifikuar me normë, në Olimpiadën e vitit të ardhshëm, Londër 2012. Në vijim, me çmimin “Nderi i Federatës”, janë nderuar 11 prej figurave që kanë shkruar historinë e peshëngritjes shqiptare në vite, të tillë si Telat Agolli, Bujar Bodinaku, Nikolin Qyksaqi, Haki Agolli, Shemsi Bala, Asim Belinova, Xhovalin Çuni, Besnik Psatha, Anesti Koplara, Fehmi Telegrafi dhe Vasil Hoxha. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin sportistë, trajnerët, drejtues të Federatës, përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Agjencisë së Shërbimit të Sportit, e të tjerë.

Ja 2011-ta e shtangës shqiptare:

Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes për Të Rritur & Të Rritura (Mars 2011)

Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes për të Rritur, i cili u zhvillua në Durrës, është karakterizuar nga konkurrenca dhe rezultatet e larta. Në këto gara kanë dominuar Romela Begaj, me dy rekorde kombëtare dhe Daniel Godelli, i cili ka thyer pesë rekorde kombëtare. Ekipet e Tiranës dhe Vllaznisë janë shpallur kampionë të vendit në peshëngritje përkatësisht për femra dhe meshkuj.

Ekipet e Tiranës dhe Vllaznisë janë shpallur kampionë të vendit në peshëngritje përkatësisht për femra dhe meshkuj. Në garat që u zhvilluan në Durrës kanë dominuar Romela Begaj, me dy rekorde kombëtare dhe Daniel Godelli, i cili ka thyer pesë rekorde kombëtare. Begaj, e cila konkuroi me fanelën e Tiranës për peshën deri në 69 kg, ka arritur në shkëputje dhe shtytje në 92 dhe 105 kg.

Në të njejtën peshë është dalluar 17-vjeçarja Manjola Karaj e Partizanit, e cila u rendit e dyta. Në peshën deri 53 kg në vendin e parë u klasifikua Shqiponja Brahja e Tiranës, ndërsa në peshën deri 63 kg Sherjana Ruci po e Tiranës. Në përfundim të garave për femra Tirana grumbulloi 193 pikë, ndërsa Partizani 163 pikë.

Në garat e meshkujve Daniel Godelli i Tiranës, i cili konkuroi në peshën deri 69 kg theu tre herë rekordet e shkëputjes, duke arritur në 150 kg dhe dy herë ato të shtytjes me 178 kg. Në peshën deri 62 kg u shpall fitues Arjan Breshanaj i Tiranës; në peshën deri në 77 kg Krenar Shoraj i Flamurtarit, ndërsa Erkand Qerimaj i Vllaznisë fitoi vendin e parë në peshën deri 85 kg.

Në peshën 94 kg fitoi Erind Bregu i Vllaznisë me 315 kg, Marin Prendi po i Vllaznisë u shpall i pari në peshën deri 105 kg, ndërsa në peshën e fundit mbi 105 kg vendin e parë e fitoi Shkëlqim Kumrija i Shtërmenit. Pas konkurrimit të meshkujve vendin e parë e fitoi ekipi i Vllaznisë me 423 pikë, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë u renditën Teuta dhe Tirana.

Në kampionatin e peshëngritjes, që u zhvillua në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, morën pjesë 51 sportistë përfaqësues të 10 ekipeve: Peqini, Flamurtari, Shtermeni, Elbasani, Skenderbeu, Tirana, Vllaznia, Partizani, Teuta dhe Apolonia.

Kampionati Kombëtar U-17 (Mars 2011)

Është zhvilluar në qytetin e Elbasanit kampionati i 7-të kombëtar për U-17. Në një maratonë të vërtetë, 3 sportiste femra dhe 50 meshkuj, konkurrentë të Elbasanit, Shkumbinit, Tiranës, Apolonisë, Flamurtarit, Vllaznisë, Teutës, I.B.Vlora, Partizanit, Mjeshtërisë Sportive Durrës, Skënderbeut dhe Shtërmenit shpallën fituesit e 2011-ës.

Në kategorinë e femrave kampione u shpall Partizani, ndërsa sportistja më e mirë Manjola Karaj e peshës 69 kg, po e klubit kryeqytetas, e cila ngriti në pedanën e pallatit të sportit “Tomorr Sinani” 57 kg në shkëputje, 69 kg në shtytje dhe 126 kg në dygarësh.

Në garën e meshkujve titulli kampion shkoi për Elbasanin, ndërsa sportisti më i mirë u zgjodh Taulant Marina i Shkumbinit në peshën 69 kg me 264 kg të ngritura në dygarësh.

Kampionati Evropian i Të Rriturve & Të Rriturave (Kazan - Prill 2011)

Peshëngritja shqiptare ka korrur një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, pasi Erkand Qerimaj është shpallur nënkampion i Evropës në stilin e shkëputjes në kategorinë e peshës deri në 77 kg. Sportisti i fundit që konkurroi për Shqipërinë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të Rritur, që u zhvillua në Kazan të Rusisë, ishte i pafat në stilin e shtytjes, duke dështuar në të 3 provat dhe duke mos u kualifikuar dot në dygarësh. Në stilin e shtytjes, Qerimaj tentoi pa sukses në të 3 provat, të ngrinte 188 kg, që do t'i kishin dhënë atij medaljen e argjendtë edhe në shtytje edhe dygarësh. Megjithatë, 157 kg e ngritura me sukses në provën e tretë të stilit të shkëputjes, i dhanë atij podiumin dhe medaljen e argjendtë. Kjo medalje ishte e treta për kuqezinjtë në këtë Evropian, pasi Daniel Godelli ka marrë dy medalje bronzi, në stilin e shtytjes dhe në dygarësh, në kategorinë e peshës deri në 69 kg. Ndërkaq, për femra, Romela Begaj ka zhgënjyer me paraqitjen e saj, por ka qenë mjaft më pozitive paraqitja e Fetije Kasajt në rikthimin e saj, pas disa vitesh mungesë, në arenën ndërkombëtare. Kasaj u rendit e 5-ta në Evropë.

Tirana e Teuta, kampionë të të rinjve (Prill 2011)

Katër femra dhe 44 meshkuj, sportistë të Vllaznisë, Tiranës, Partizanit, Mjeshtërisë Sportive Durrës, Teutës, Elbasanit, Shkumbinit, Shtërmenit, Skënderbeut dhe Flamurtarit u ngjitën në pedanë për trofeun e të rinjve.

Kështu, në përfundim të garave të zhvilluara në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” të Elbasanit, kampione për të reja u shpall ekipi i Tiranës, që kurorëzohet njëherësh dhe me sportisten më të mirë, Sherjana Ruçi, në peshën 63 kg.

Ndërkohë për meshkuj Teuta ka dominuar në pjesën më të madhe të peshave, duke zënë vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm. Sa i takon sportistit më të mirë, trofeu u ngrit nga peshëngritësi i Flamurtarit, Krenar Shoraj, i cili u shpall kampion në peshën 77 kg.

Kampionati Botëror Për Të Rinj dhe U-23 (Malajzi - Korrik 2011)

Peshëngritja shqiptare korr një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, pasi Daniel Godelli është shpallur kampion i botës për të rinj, në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për këtë grupmoshë, që u zhvillua në Pineng të Malajzisë. Godelli ka spikatur në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg, duke marrë dy medalje të argjendta, në shkëputje dhe në shtytje, dhe një medalje të artë në dygarësh.

140 kg e ngritura me sukses në provën e parë, i kanë mjaftuar peshëngritësit të vetëm shqiptar në këtë veprimtari botërore, për të marrë medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes. Në fakt, Godelli, i cili i shkoi dëm dy provat e tjera me 141 kg, e ka humbur medaljen e artë në këtë stil vetëm për shkak të peshës trupore. 330 gramët peshë trupore që shqiptari kishte më tepër se kinezi Peijong Huang i kanë dhënë këtij të fundit vendin e parë në podium në kurriz të Godellit, pasi të dy sportistët kishin ngritur nga 140 kg secili.

Ndërkaq, një provë e vetme me 169 kg, i ka mjaftuar Godellit të marrë një tjetër medalje të argjendtë në stilin e shtytjes, ku peshëngritësit shqiptar përsëri i është mohuar medalja e artë për shkak të peshës trupore. Ndryshe nga shkëputja, peshëngritësi kuqezi ka qenë afro 1 kg më i rëndë se iraniani Xhaber Behruzi, i cili ka ngritur gjithashtu 169 kg, po aq sa Godelli. Megjithatë, 309 kg e marra në total i kanë dhënë Daniel Godellit medaljen e artë në dygarësh dhe titullin e kampionit të botës. Duhet theksuar se medaljet e Daniel Godellit, janë medaljet e parë që kontinenti evropian mori në këtë Kampionat Botëror të Peshëngritjes për Të Rinj, që po dominohet nga Azia dhe Afrika.

Shqipëria “fiton” Evropianin e të rriturve më 2014-ën (Shtator 2011)

Mundet kandidatura e Polonisë në bordin ekzekutiv, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, më shumë se i kënaqur me organizimin e këtij evenimenti

Shqipëria është organizatore e Kampionatit Evropian të të rriturve, i cili do të bëhet më 2014-ën në Tiranë.

Ky ka qenë vendimi i bordit ekzekutiv të Federatës Evropiane, që është mbledhur në Bukuresht, anëtar i së cilës është dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi. Madje për shqiptarët kënaqësia është më e madhe, sepse ka sfiduar një kandidaturë të fortë si Polonia, e cila e ka presidentin e saj, ashtu sikurse Esat Ademi, anëtarë të bordit ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes.

Sipas Ademit, transmetimi direkt i Kampionatit Europian të Peshëngritjes për 27 orë nga Eurosporti, e shpërndarë në 24 gjuhë, është më tepër se sa sukses. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, organizimi i këtij aktiviteti, edhe duke patur përvojën e Kampionatin Evropian të të rinjve në Durrës, në shtator 2008, nuk do të jetë i vështirë.

Kësisoj Shqipëria, pasi ka organizuar botërore dhe evropiane moshash në mundje, peshëngritje, boks, tani merr evenimentin e saj më të madh, Kampionatin Evropian të të rriturve në shtangë më 2014. Nuk duhet harruar që më parë, 24 vjet më përpara, pikërisht më 1987-ën, pallati i sportit “Asllan Rusi”, asokohe “Partizani”, ka qenë arena e Kampionatit Ballkanik të të rriturve.

Dhe ky Evropian i të rritueve më 2014-ën është sukses i të gjithëve, por veçanërisht e presidentit të shtangës shqiptare, Esat Ademi, që di të bindë ndërkombëtarët për të marrë aktivitete në Shqipëri

Kampionati Evropian për Të Rinj dhe U-23 (Bukuresht - Shtator 2011)

Shqipëria e ka mbyllur pjesëmarrjen e saj në Evropianin e Peshëngritjes për Të Rinj dhe 23-vjeçarët me 6 medalje të fituara, një ari, dy argjendi dhe tre bronzi. Dhe 3 protagonistët, Daniel Godelli, Hysen Pulaku dhe Briken Calja, kanë premtuar vijimin e traditës së medaljeve në veprimtaritë ndërkombëtare.

Përkrah presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, i cili është ndjerë mirë për medaljen në tokën rumune, peshëngritësit janë ndjerë më krenar për atë që kanë arritur dhe kanë premtuar të tjera medalje.

Peqinasi i Tiranës, Godelli, edhe pse vetëm me një medalje në Bukureshti, që është e artë në stilin e shkëputjes, ndihet plotësisht gati jo vetëm për të konkurruar në Botërorin e Parisit, por dhe për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, gjë që e realizon më vonë.

Kupa e Shqipërisë për Të Rritur dhe Të Rritura (Shtator 2011)

Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet është zhvilluar Kupa e Shqipërisë për Të Rritur në Peshëngritje, e cila është karakterizuar nga rivaliteti i madh. Në këtë veprimtari ka spikatur i riu Hysen Pulaku, i cili, me 197 kg në stilin e shtytjes ka thyer si rekordin e të rinjve, të mbajtur nga Erkand Qerimaj, ashtu edhe atë të të Rriturve, që Qerimaj ia pati thyer vjet legjendarit Ilir Suli.

Në përfundim të garave, për femra, kampione është shpallur Tirana, ndërsa sportistja më e mirë u shpall Romela Begaj po e Tiranës. Kurse për meshkuj, kampion si ekip është shpallur Elbasani, ndërsa sportisti më i mirë Hysen Pulaku, i cili ishte padyshim sportisti më i spikatur i kësaj veprimtarie.

Botërorin i Të Rriturve dhe Të Rriturave (Parisit - Nëntor 2011)

Shqipëria arriti të kualifikojë 4 peshëngritës meshkuj me normë kualifikimi për në Olimpiadën “Londër 2012” dhe mori të parën medalje të femrave në një kampionat botër, falë asaj të bronztë të marrë nga Romela Begaj.

Në këtë botëror, ku shtanga shqiptare u përfaqësua me dhjetë sportistë, rezultatet ishin të tilla; Shqiponja Brahja (pesha 48 kg, vendi shtatë), Romela Begaj (pesha 58 kg, vendi i tetë), Fetije Kasaj (pesha 58 kg, e skualifikuar në dygarësh), Sherjana Ruci (pesha 63 kg, vendi i 24-tër), Briken Calja (pesha 69 kg, vendi i gjashtëmbëdhjetë), Daniel Godelli (pesha 69 kg, vendi i 20-të), Hysen Pulaku (pesha 77 kg, vendi i shtatë), Erkand Qerimaj (pesha 77 kg, vendi i njëmbëdhjetë), Ilir Suli (pesha 85 kg, vendi i pesëmbëdhjetë), Endri Karina (pesha 94 kg, vendi i 20-të).

Në fakt të gjithë kanë grumbulluar pikë për të shkuar në olimpiadë, por e veçanta është fakti i medaljes së bronztë nga Romela Begaj, në stilin e shkëputjes, që është e parë në Botëror për femrat shqiptare.

a.k/NOA

KOMENTE