English

Demokristianët në aleancë me Berishën, sistem elektronik në zgjedhje

Tiranë, 18 dhjetor 2011, NOA – Ndërsa mazhoranca dhe opozita kanë nisur prej dy javësh diskutimet për reformën zgjedhore, për të cilën është ngritur edhe Komisioni parlamentar përkatës, Kryetari i partisë “Aleanca Demokristiane”, Zef Bushati deklaroi se ADK, mbështet sistemin zgjedhor elektronik "e-voting" ku qytetarët mund të hedhin votën e tyre me kartë identiteti, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

ADK pas konsultimeve me ekspertë të fushës dhe duke iu referuar faktit se kjo mënyrë votimi aplikohet në vendet më të zhvilluara si SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Belgjika, Norvegjia etj., propozon krijimin e sistemit zgjedhor elektronik.

“Kemi arritur në konkluzionin se zgjidhja më e mirë do të ishte ky sistem elektronik, funksionimi i të cilit është shumë i thjeshtë për çdo qytetar që është i pajisur me kartë identiteti. Kjo eleminon pritjen për muaj të tërë, debate të pafundta për të ditur rezultatin e zgjedhjeve dhe do të ishte menjëhershëm, eleminon korrupsionin tek komisionerët, fletët e pavlefshme apo të falsifikuara, proceset gjyqësore për rezultatin përfundimtar”, deklaroi Kryetari i ADK-së Zef Bushati.

Sipas Bushatit kjo metodë votimi nuk toleron vjedhjen e votës së lirë të qytetarëve.

Gjatë një takimi me degën e ADK-së në Lezhë, kreu i kësaj partie bëri me dije se demokristianët e vërtetë nuk pajtohen dhe nuk do të tolerojnë kurrë ideologjinë komuniste, e cila e shkatërroi shtetin shqiptar për 50 vite rresht.

Fjalimin e tij, Bushati e vijoi me vlerësimet për punën e madhe të kryeministrit Sali Berisha në luftën për çmontimin dhe shkatërrimin e klaneve komuniste ende të pranishme në politikën shqiptare.

E ndërsa demokristianët e Nard Ndokës janë aleatë të PS-së në “Opozitën e Bashkuar”, Kryetari i ADK-së Zef Bushati konfirmoi se ADK-ja nuk do të bashkohet me spektrin e majtë politik, i cili sipas tij, po bëhet pengesë më keq se kriza ekonomike botërore për zhvillimin e Shqipërise dhe integrimin e saj në familjen evropiane.

"Zhvillimet e fundit në politikën tonë nuk janë aspak mbresëlenese. Në sytë e popullit politika është kthyer në një biznes për interesa personale, ku ndërrohen idealet politike sipas dëshirës dhe interesit të "liderit", duke shitur dhe blerë deputetë, duke ndërruar koalicione, duke bërë pazare për një karrige në parlament apo qeveri etj. Partisë sonë nuk i përket ky "moral politik". Ne kemi ndërtuar dhe vazhdojmë të zhvillojmë një parti të bazuar mbi ideale, ku punohet ekskluzivisht për të ardhmen e popullit shqiptar dhe zhvillimin e Shqipërisë. ADK nuk toleron paqëndrushmërinë e partive të tjera”, deklaroi Zef Bushati, duke preçizuar se në qeveri apo në opozitë ADK do të mbetet në pozicionin e saj të qendrës së djathtë edhe një aleate e PD-së së Kryeministrit Berisha.

Kreu i ADK-së i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga makinacionet e shëmtuara që përdor në dëm të shqiptarëve.

“Na vjen keq, që kundërshtaret tanë politikë po bëhen pengesë e zhvillimit të Shqiperise. Duhet gjetur kompromisi dhe bashkëpunimi në rrugë institucionale dhe paqësore. Ata duhet të distancohen nga dhuna. Shpresojmë që tragjedia e 21 janarit të ketë qene një shembull për ta”, nënvizoi Zef Bushati, duke shtuar se socialistët e kryesuara nga Edi Rama nuk duhet të destabilizojnë vendin e të kundërshtojnë padrejtësisht çdo propozim të qeverisë, me qëllimin e vetëm, marrjen e pushtetit për interesat personale.

mit/NOA

KOMENTE