Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Angela Merkel mbërrin në Kosovë, mikpritje madhështore në aeroport
English

Angela Merkel mbërrin në Kosovë, mikpritje madhështore në aeroport

Prishtinë, 19 dhjetor 2011, NOA Update – Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, që mban emrin e heroit legjendar “Adem Jashari”, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Avioni, me të cilin udhëton kancelaria u ul në aeroport, dhe pas zbritjes në shkallën e avionit zonja Merkel, është pritur nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Në një ceremoni mirëseardhjeje madhështore, garda e ceremonialit zyrtar të Kosovës sapo ka luajtur himnin gjerman për t’i uruar mbërritjen në Kosovë zonjës Merkel, ndërsa menjëherë pas tij u luajt himni i Kosovës.

Aeroporti i Prishtinës është i tëri në këmbë për të pritur lideren e fuqishme evropiane që pritet të sjellë mesazhe të fuqishme për mbështetjen e Kosovës.

E shoqëruar nga shefi i qeverisë së Kosovës, kancelaria Merkel sapo ka kaluar në revistë në tapetin e kuq, që ishte shtruar për nder të saj në tërë korridorin e ecjes ceremoniale.

Vizita e zonjës Merkel është një vizitë historike për Kosovën, pasi Gjermania është një nga mbrojtëset më të flakta të Pavarësisë dhe integritetit të Kosovës në kufijtë e saj me Serbinë, aq më shumë kur, ishte vetë kancelaria gjermane, ajo që i bëri thirrje Serbisë të distancohet nga dhuna në veri të Kosovës dhe të heqë sa më parë strukturat paralele në Kosovë, duke u bërë edhe zëri më i fuqishëm në BE kundër dhënies së statusit të kandidatit në BE, Serbisë, pasi nuk i ka përmbushur kriteret për t’u anëtarësuar.

Aeroporti i Prishtinës dhe tërë kryeqyteti i Kosovës është zbukuruar me flamujt gjermanë dhe kosovarë që valëviten në qiellin e Kosovës së Pavarur, ndërkohë bilbordet e panumërta me imazhin e Angela Merkel i urojnë asaj në gjermanisht mirëseardhjen në Kosovë.

Kancelarja gjermane pas ceremonisë në aeroport, ndodhet tani në një takim kokë më kokë me kryeministrin Hashim Thaçi në mjediset e aeroportit, nga ku të dy më pas do të flasin në një konferencë për shtyp.

Axhenda e diskutimeve me Thaçin nuk është bërë e ditur, por vizita e lideres europiane është historike për Kosovësn, e cila aspiron të integrohet në strukturat e BE-së dhe ato euroatlantike si shtet i Pavarur.

Vizita e Merkel përcjell mesazhe të forta mbështetjeje edhe sa i përket dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë.

Kancelarja Merkel në këtë vizitë disa orëshe në Kosovë, më pas do të takohet me ushtarët gjermanë të KFOR-it, komandantin e KFOR-it, Erhard Drews, shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac si dhe përfaqësuesin e BE-së, në Kosovë, Fernando Gentilini.

mit/NOA

KOMENTE