Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rama, Islami dhe statuti
English

Rama, Islami dhe statuti

"Nnë këto marrëveshje, duket se statuti nuk mund ta mundë për momentin Islamin. Megjithatë, Ramës i duhet të vendosë, pasi vendimi do të jetë i lidhur më pas me mënyrën se si ai ka vendosur të bëjë marrëveshjet me grupet në parti, e më pas edhe me të majtët që vegjetojnë rreth e rrotull kësaj force politike"...

Nga Agim Baci

Pa dyshim që statuti i një partie vlen të zbatohet, për të treguar se ato që shkruhen e thuhen kanë vërtet vlerë, e se nuk janë hedhur e zeza mbi të bardhë thjesht ngase duhen lënë disa gjëra të shkruara për të ardhur në pushtet. Njëkohësisht, serioziteti me të cilën zbatohen disa vendime në parti, është një tregues se si do të matet demokracia në qeverisje, ku qartësimet mes parimeve dhe pragmatizmit vijnë e ngushtohen. Por pse ky vendim i Ramës për të kërkuar largimin nga PS të Kastriot Islamit, vetëm dy javë pasi deklaroi se në PS nuk ka vend për përjashtime? Shumëkush mund ta lexojë vendimin e Ramës si një masë mbrojtëse, si një taktikë, për t’i vënë kufij tolerancës së treguar në mbledhjen e fundit, por edhe për të treguar se, pavarësisht paqes, ai di të vendosë edhe masa ekstreme. Afërmendsh që kërkesa për të larguar Islamin, më shumë sesa një votim kundër, duket se më shumë ka të bëjë me disa analiza të hollësishme që z. Islami u ka bërë dy humbjeve radhazi të PS-së, duke rrëzuar mjaft nga argumentet politike që mbronte në publik vetë kryesocialisti për humbjet në zgjedhje. Por ky i fundit e hodhi këtë hap, vetëm pasi arriti një paqe me anëtarët e tjerë të ish-Lëvizjes së Mendimit Ndryshe, sidomos me Blushin dhe Malajn. Ndërkohë që nëse do t’i referoheshim thyerjes së rregullores së Grupit Parlamentar, duhej të ishte kërkuar edhe largimi i Blushit, që votoi pro guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Fullanit. Megjithatë, duke pasur parasysh historinë në të shkuar të z. Islami në PS, Rama duhet të bëjë mirë llogaritë e përjashtimit, pasi hyrja e një debati përjashtimesh mund ta kthejë debatin në betejë të brendshme, po të kemi parasysh se Islami, apo edhe Meidani që e ka kritikuar, nuk mbeten të vetëm në përplasjen me Ramën, edhe pse ky i fundit ka treguar shenja kthese lidhur me disa prej figurave të rëndësishme të PS-së në vite. Rama ndërkaq duhet të përballet edhe me zërat e rinj, të cilët kërkojnë përjashtimin e Islamit si një argument të rëndësishëm se betejat e tyre publike do të vijojnë të jenë sërish në fokus të qëndrimeve të kryetarit, si në rastin e deputetit Tahiri, i cili nuk fshehu kërkesën publike ndaj kryetarit, që të mos bëjë hapa pas në përjashtimin e Islamit. Në të njëjtën kohë, pavarësisht qëndrimit përsëritës për kundërshtimin e aleancës me LSI-në për zgjedhjet e ardhshme, Rama do ta ketë të vështirë të shmangë nevojën për aleanca të gjera, kjo edhe për shkakun se çdo konflikt i brendshëm në PS dërgon ujë në hullinë e LSI-së, e cila vijon ta ketë “gardhin” me PS-në shumë të ulët, ku figura të ndryshme apo militantë kalojnë nga njëra parti të tjetra, siç kanë bërë rëndom gjatë betejës në pesë vitet e fundit mes dy liderëve PS-LSI. Madje, është pikërisht kjo e vërtetë praktike që e çoi dje kreun socialist në sulmin e parë të hapur ndaj ish-rivalit të tij për të marrë kreun e PS-së, Meidanit, pas ikjes së Nanos nga kreu i socialistëve. Por, përveç detyrës së vështirë të ekuilibrave brenda partisë, përballë Ramës pritet që të majtët e tjerë të krijojnë një minikoalicion, për ta detyruar atë që t’u japë atë që do të kërkojnë, e jo thjesht t’u premtojë. Tre prej aleatëve më natyralë të PS-së, Gjinushi, Milo dhe Koçi, pavarësisht votave që kanë, vendosën të jenë bashkë, duke kërcënuar në një farë mënyre kreun socialist se nuk do ta ketë të lehtë t’i kënaqë me pak, pasi një dalje e tyre më vete në zgjedhje do të thotë një ngastër tjetër votash, që nuk dihet më pas se çfarë çmimi mund të kenë. E duke parë se si janë ndarë votat në dy zgjedhjet e fundit, tashmë çdo lider partie të vogël mund të tregojë se është faktor. Dhe, në këto marrëveshje, duket se statuti nuk mund ta mundë për momentin Islamin. Megjithatë, Ramës i duhet të vendosë, pasi vendimi do të jetë i lidhur më pas me mënyrën se si ai ka vendosur të bëjë marrëveshjet me grupet në parti, e më pas edhe me të majtët që vegjetojnë rreth e rrotull kësaj force politike.

"Panorama"

KOMENTE