English

Telemjekësia përmes rrjetit celular. Rrjeti 3G i Vodafone në shërbim të kujdesit shëndetësor

Telemjekësia përmes rrjetit celular: Rrjeti 3G i Vodafone në shërbim të kujdesit shëndetësor të njerëzve në zonat më të thella të vendit.

Vodafone Albania dhe Fondacioni Vodafone në partneritet strategjik me Ministrinë e Shëndetësisë shpallën sot iniciativën “ Telemjekësia përmes rrjetit celular” – një përgjigje novatore, e thjeshtë, e shpejtë dhe e qëndrueshme në funksion të kujdesit shëndetësor parësor në zonat më të thella të vendit, përmes përdorimit të teknologjisë së shpejtë 3G të Vodafone. Ky projekt do të zbatohet përmes ekspertizës profesionale të Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Spitalit Hygeia.
Ky projekt i Telemjekësisë përmes rrjetit celular është i pari që zbatohet në Shqipëri dhe përfaqëson një sistem të pakufizuar në kohë që mundëson kryerjen e një numri testimesh të parametrave shëndetësorë të lidhura me problemet shëndetësore që janë përgjegjëse për një përqindje të lartë fatalitetesh, përfshirë testet për hipertensionin, indikatorët kardiovaskularë, sëmundjet respiratore dhe diabetin. Iniciativa sjell një ndikim të prekshëm pasi ajo i adresohet një numri prej minimalisht 400 fshatrash të zonave nga më të thellat e vendit, gjithashtu të konsideruara si zonat më të varfëra. Lista e gjatë e fshatrave të përfshirë në projekt përmban ato të zonave të Malësisë së Madhe, Tropojës, Kukësit, Shkodrës, Pukës, Dibrës, Mirditës, Matit, Librazhdit, Gramshit, Pogradecit, Korçës, Vlorës, Beratit, Përmetit, Gjirokastrës dhe shumë zonave të tjera.
Kjo iniciativë novatore e bazuar në teknologjinë më të fundit 3G mundëson që të dhënat nga testimet mjekësore të kryera tek pacientët prej një ekipi të Kryqit të Kuq kalojnë tek një aparat smartphone dhe më tej përmes rrjetit të shpejtë 3G të Vodafone transferohen në kohë reale tek spitali Hygeia në Tiranë ku një mjek i specializuar i ofron pacientit dhe mjekut të familjes të zonës opinionin e tij brenda 24 orëve.
Përmes një monitorimi të saktë të zbatimit të projektit dhe vlerësimit përkatës të impaktit, ekipi kontribues i ekspertëve prej Ministrisë së Shëndetësisë do të shqyrtojë dhe ofrojë ekspertizë për zhvillimin e projektit hap pas hapi. ‘Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin me një biznes të përgjegjshëm si Vodafone, që ka krijuar këtë iniciativë unike në përfitim të shëndetit të njerëzve’ – theksoi Ministri i Shëndetësisë Z. Petrit Vasili gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar me rastin e fillimit të këtij projekti.
Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Z. Haris Broumidis tha se iniciativa për Telemjekësinë përmes rrjetit celular është pjesë e angazhimit të kompanisë së tij ndaj Përgjegjshmërisë së Biznesit - një premtim që vetë Z. Broumidis e pati bërë një muaj më parë kur Vodafone Albania u nderua me çmimin “Biznesi i Vitit për Filantropinë 2011”. "Në kuadër të zbatimit të rolit tonë si një biznes i përgjegjshëm reflektuam për kapacitetet dhe mundësitë tona. Përtej donacioneve bamirëse që ne realizojmë përmes programeve të Fondacionit ne hodhëm një vështrim në mundësitë që ne ofrojmë me teknologjinë tonë dhe thjesht i bëmë pyetjen vetes nëse po japim maksimumin e kapaciteteve dhe avantazheve tona teknologjike– dhe ky ishte frymëzimi për të sjellë projektin e Telemjekësoisë çka po i’u ofrojmë shqiptarëve sot” – tha Z. Broumidis.
Për më shumë pyetje për këtë inciativë kontaktoni Fondacionin Vodafone Albania fundation.al@vodafone.com.

KOMENTE