English

Sinqeriteti-çelësi i proçesit të legalizimeve

Lidhur me proçesin e legalizimeve në një sondazh online të realizuar nga Top Channel doli se nuk ekziston një zgjidhje, ndërsa ekspertët e Bankës Botërore besojnë se në fakt, zgjidhja ekziston, por ajo mund të jetë e dhimbshme për klasën politike që shpesh e ka gjetur më të lehtë të gënjejë se sa të thotë të vërtetën.
Ekspertët e BB sugjerojnë rritje të çmimit të tokës për subjektet në proces legalizimi si dhe ulje të çmimit të kompensimit për ish-pronarët.
Por ndërkohë, është e qartë se në shumicën dërrmuese të ndërtimeve pa leje problemi nuk qëndron te çmimi i lartë i tokës se sa te paaftësia dhe korrupsioni në qeverisje.
Për sa kohë një e treta e ndërtimeve pa leje janë në tokë të vet, nuk është e arsyeshme që këto 90 mijë ndërtime të vuajnë procedurat e pafundme të legalizimit përmes ALUIZNI-t, pasi mund të aplikojnë për legalizim te bashkitë apo komunat ku janë ndërtuar.
Te pjesa e mbetur e objekteve, mundet që çmimi i tokës të përcaktohet sa gjysma e vlerës reale, në mënyrë që të ardhurat e krijuara nga shitja e tokës nën pronësi publike të zënë, të përdoren për kompensimin e tokës private të zënë.
Ndërkohë, shkaku se pse shqiptarët kanë ndërtuar dhe vijojnë të ndërtojnë pa leje, si në tokë të vet ashtu edhe në tokë të huaj, mbetet i pazgjidhur.
Problemi lidhet sa me mungesën e shtetit në garantimin e pronës kundër grabitësve, aq edhe në sistemin e shpërndarjes së lejeve të ndërtimit, një proces tërësisht jofunksional në të gjithë vendin.
"Qeveria, ashtu edhe shoqëria civile do të duhet ta ndjekin nga afër zbatimin e efektshëm dhe të njëtrajtshëm të ligjit të ri të urbanistikës, si dhe të praktikave të pushtetit vendor për dhënien e lejeve të ndërtimit, të cilat deri tani janë karakterizuar nga paqartësi dhe mundësi për korrupsion”, thotë raporti i Bankës Botërore.

KOMENTE