Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kryeministri më akuzoi personalisht se i shërbej Serbisë, shprehet Edi Rama. Përgjigje
English

Kryeministri më akuzoi personalisht se i shërbej Serbisë, shprehet Edi Rama. Përgjigje

Editorial nga Edi Rama.

Dje kryeministri më akuzoi personalisht se i shërbej Serbisë. Akuzoi edhe opozitën shqiptare se është më zi se opozita serbe.

I bëri të dyja për të vijuar me fajësimin e opozitës në përpjekjen për të mbuluar dështimin e qeverisjes në procesin e integrimit. Shpifi se gjoja ne bllokuam Kodin Penal. Në fakt e votuam atë përpikmërisht në seancën e caktuar pasi i bëmë një përmirësim të ndjeshëm. E donte si qorri sytë një alibi që nuk ia dhamë, bllokimin e kodit. E tani s'ka ç'bën tjetër përveçse të shpifë.

E vërteta është se asnjë lloj lidhje nuk ka mes sjelljes e qëndrimeve të opozitës dhe mosreagimit pozitiv të Komisionit Europian. Përkundrazi jemi përgëzuar në më shumë se në një rast nga partnerët europianë për kryerjen deri këtu me përgjegjësi të lartë, të të gjitha detyrave tona të shtëpisë si opozitë në raport me procesin e integrimit. Praktikisht janë miratuar të gjitha kodet që kërkojnë 3/5 e votave. E jo thjesht janë miratuar, po janë përmirësuar në elementë të rëndësishëm të tyre falë kontributit të deputetëve socialistë. Por kjo qasje e qartë proeuropiane e opozitës sigurisht nuk i volet kryeministrit të mbetur zbuluar para Bashkimit Europian dhe opinionit publik shqiptar. E nëse BE-së nuk ia hedh dot me pallavra antiopozitare, ai kërkon medoemos t'ua hedhë shqiptarëve duke fajësuar deri në marrëzi opozitën.

Shpif shpif se diçka mbetet është tanimë i vetmi program që i ka mbetur Sali Berishës për t'i bindur shqiptarët se ai është ai që nuk është dhe anasjelltas, se edhe opozita është ajo që nuk është. I ka ecur në të shkuarën duke përfituar nga përçarja shoqërore që ka ushqyer 22 vjet me radhë si një antikomunist sherrnxitës, pasi është formuar 22 vjet të tjera më parë si një komunist luftënxitës. Shpreson se do të vazhdojë t'i ecë duke i mëshuar përçarjes e duke kultivuar urrejtje ndaj opozitës, për të mbijetuar falë hendekut që mban hapur mes shqiptarëve. Por le të pyesim pak historinë se ajo në këtë rast ndihmon këdo që dëshiron të gjykojë mbi bazën e të vërtetave historike dhe jo të shpifjeve e të baltës së shtresëzuar në vite nga Sali Berisha në mendjen e shumë shqiptarëve.

Historia tregon se kur ishte President i Republikës në vitet e luftës në ish-Jugosllavi, kryeministri i sotëm theu embargon ndërkombëtare për t'i çuar naftë regjimit kriminal e thellësisht antishqiptar të Sllobodan Millosheviçit. Partia Socialiste atë kohë foli fort kundër kësaj tradhëtie të interesave kombëtare megjithë terrin mediatik që kishte imponuar Sali Berisha si President i Republikës. A ia çoi naftën Kasapit të Beogradit sepse siç thonë disa gojë të liga, ka ngrënë në të shkuarën komuniste ndonjë lugë në çorbën serbe, apo sepse siç thonë faktet e këtyre 7 viteve të pushtetit të tij të korruptuar, është një makut i dhënë pas parasë kudo ku ajo i shfaqet, këtë nuk e dimë. Mund të jenë të dyja bashkë, po sidoqoftë s'ka si mos të jetë njëra nga të dyja, sepse nuk gjendet dot një arsye e tretë që kreu i shtetit shqiptar të bëjë apo të lejojë të bëhet biznes me një regjim armik të shqiptarëve siç ishte ai i Sllobodan Millosheviçit. Për më tepër kur ky i fundit rrinte kruspull në strofullën e tij, krejt i izoluar nga bota që e kishte vënë nën embargo.

Më pas erdhi koha e luftës frontale të shqiptarëve të Kosovës me Kasapin e Beogradit, kur në horizontin e përpjekjeve për liri të tyre u shfaqën sigla dhe komunikatat e para të një force të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Se ç'kanë hequr protagonistët kryesorë të krijimit të asaj force heroike në Shqipërinë e qeverisur nga Sali Berisha e të mbajtur nën hijen e dhunshme të SHIK-ut të tij famëkeq, këtë e dinë jo vetëm ata. E di edhe kushdo tjetër që në atë kohë ose më vonë, ka pasur mundësinë të mësojë mbi peripecitë e tyre brenda territorit të vendit tonë. Në vend se të liheshin të paktën në punën e tyre si në vendin amë, ata përndiqeshin këmba-këmbës si shtrigat në kohën e inkuizicionit. Por ajo që dihet botërisht tanimë është se si u soll publikisht Saliu, kur ishte shef i opozitës, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ua rrokanisi kokën shqiptarëve me kërdisjet për UÇK-në, me zërin e figurën e tij dhe përmes gazetave që i bënin jehonë qëndrimeve të tij të ngjashme si dy pika uji me ato të të gjithë armiqve të Kosovës e të të gjithë atyre që nuk e imagjinonin dot Kosovën as të lirë e as të pavarur nga Serbia. Nuk la sharje e shpifje pa lëshuar ndaj "marksistë-leninistëve", "terroristëve ndërkombëtarë", "narkotrafikantëve", "banditëve" e "kriminelëve" të UÇK-së.

Ndërsa më anë tjetër, dihet botërisht po ashtu se ç'bëri edhe qeveria socialiste e Fatos Nanos para shpërthimit të luftës çlirimtare në Kosovë, edhe qeveria socialiste e Pandeli Majkos gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, për të lehtësuar barrën e rëndë që morën përsipër themeluesit e UÇK-së dhe për ta mbështetur UÇK-në në realizimin e misionit të saj historik. A iu kundërvu Sali Berisha UÇK-së pikërisht sepse UÇK-ja gjeti mbështetje tek armiqtë e tij socialistë në pushtet apo iu kundërvu në vazhdën e një politike të karakterizuar nga lakeizmi ndaj Beogradit(?), për arsye që disa thonë se i dinë po që mbeten sidoqoftë të paditura zyrtarisht, këtë nuk e dimë. Por historia e kësaj periudhe së paku tregon qartë se kush ishte dhe kush nuk ishte në krahun e duhur të historisë këtu në Shqipëri, deri kur lufta i uli palët në tryezën e kështjellës së Rambujesë. Dhe s'ka dyshim se në krahun e duhur të historisë së shqiptarëve mungonte deri aty Sali Berisha, ashtu siç mungoi edhe në momentin kulmor të Rambujesë kur doli e bëri një thirrje që kasapit të Beogradit i ra si dhuratë nga qielli nëse nuk e ka ditur më parë. Doli çakërrdisht hapur kundër marrëveshjes që e dëshironin të gjithë aleatët ndërkombëtarë të Kosovës dhe për të cilën luajti rolin e vet të dokumentuar historik edhe qeveria socialiste e Shqipërisë.

Më pas, mu ashtu siç u përvodh duke i ikur duarsh tutorit të tij Ramiz Alia për të hipur në anijen e fitimtarëve të Dhjetorit '90 falë aftësive të tij të njohura prej manipulatori publik, kryeministri i sotëm u përvodh edhe për t'u ngjitur me fitimtarët e luftës së Kosovës për të cilën tanimë i ka mbetur pa thënë vetëm që e udhëhoqi ai atë luftë. Sidoqoftë, politikisht Shqipëria e Kosova kanë shpëtuar më në fund nga rrengjet e mëtejshme që ky përçarës i madh i shqiptarëve mesveti, mund t'u bënte në sinkronin e disaherë provuar me interesat e Beogradit. Zor ta thuash të njëjtën gjë kur vjen puna tek ca afera ekonomike me leverdi të madhe në Shqipëri për njerëz të lidhur me mafian serbe mes Beogradit e Tiranës. Por kjo është një temë tjetër, ku dua vetëm të theksoj një gjë: Me Serbinë e sotme pa asnjë dyshim duhet të ndërtojmë marrëdhënie sa më dobishme me interes reciprok, në kuadrin e zhvillimit dhe integrimit të të gjithë rajonit në Bashkimin Europian.

Pra, se sa mund të jetë Partia Socialiste e dyshueshme për çfarëdo lidhje të errët me Serbinë apo e fajësueshme për çfarëdo qëndrimi gjatë këtyre njëzet vjetëve, që të ketë ndihmuar Serbinë e Sllobodan Millosheviçit apo të mos ketë mbështetur pa asnjë rezervë në mënyrën më konstante Kosovën e lirë, demokratike e të pavarur, këtë e thotë historia. E thotë përmes fakteve që zmbrapsin jehohën e shpifjeve e të përbaltjeve njëzetvjeçare të Sali Berishës dhe isove të mediapolifonisë së tij në Shqipëri apo edhe në Kosovë. Ndërsa unë vetë s'mund të jem veçse krenar që sot kam privilegjin ta udhëheq Partinë Socialiste, si një forcë që në njëzet vjet mund të ketë bërë gabime, po në asnjë rast nuk e ka bërë fajin e tradhëtisë kombëtare apo të lajthitjes politike me çështjet madhore të kombit e të këtij vendi. E pikërisht sepse në vitin 1999 Shqipëria ishte në majën e respektit ndërkombëtar, falë kontributit historik të qeverisë socialiste e të popullit shqiptar për menaxhimin e një krize humanitare të jashtëzakonshme si ajo e shkaktuar me qindramijëra shqiptarë të përzënë barbarisht nga trojet e Kosovës në një kohë kur Serbia ishte delja e zezë në sytë e botës demokratike, sot nuk mund të mos e them açik se është turpëruese për Shqipërinë që Serbia të hyjë përpara nesh në derën e radhës së integrimit europian.
Eshtë turpëruese jo pse hyn Serbia, po pse nuk hyn Shqipëria dhe këtë turp Shqipërisë nuk po ia le as Komisioni Europian, as opozita, as shqiptarët e zakonshëm jo e jo. Por po ia le pikërisht qeveria dhe kryeministri i saj, i cili thjesht rëndon barrën e turpit të vet kur kërkon t'u ikë dallgëve të përgjegjësisë duke u hedhur mbi kamerdaren e turbofolkut pseudonacionalist për të fajësuar opozitën si shërbëtore të Serbisë(!).

Në fund një nënvizim për të gjithë lexuesit e këtyre radhëve: Unë kam bërë e do të bëj çdo gjë që mundem, bashkë me gjithë deputetët socialistë e me opozitën si e tërë, që Shqipëria të mos mbetet edhe në vjeshtën e ardhshme për të tretën herë rresht në provimin e Komisionit Europian. Nëse kryeministrit i mjafton të fajësojë opozitën e mua personalisht, mua vetë nuk më mjafton të them të vërtetën e fakteve që flasin për përgjegjësinë e pashmangshme të tij e të qeverisë së tij në mospërmbushjen e detyrave të integrimit. Sepse deri këtu mund të fitojmë argumentin, po jo sfidën e integrimit. Prandaj nuk do të rresht së ftuari palën tjetër dhe së ofruari kontributin tonë që Shqipëria të mos vazhdojë të turpërohet në pragun ende të pakapërcyeshëm të paradhomës së anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sikur kryeministri të bënte të njëjtën gjë në muajt e mbetur, ajo paradhomë mund të mos mbetet një mirazh.

KOMENTE