English

Spahiu dhe gjeneralmajor Gjunkshi inspektojnë zonën e Gërdecit

Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, inspektuan zbatimin e detyrave të lëna nga Bordi i Demontimit të Municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes, që në fillim të muajit shkurt 2012, për ecurinë e punës për pastrimin dhe rehabilitimin e zonës së Gërdecit. Sipas raportimit të komandantit të Brigadës Logjistike kolonel Bardhyl Hoxha dhe përfaqësuesit të kontraktorit të Departamentit Amerikan të Shtetit, John Napolitano, detyrat e lëna ishin zbatuar, ndërsa vazhdon puna për pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të zonës, me synim që ky operacion të përfundojë brenda vitit 2012.

Më konkretisht zëvendësministri Spahiu dhe gjeneramajor Gjunkshi ndoqën nga afër procesin e shkatërrimit të gëzhojave dhe në mënyrë simbolike realizuan shkatërrimin e një gëzhoje në pajisjen e demilitarizimit. Më tej ata inspektuan edhe procese të tjera që kryheshin në këtë zonë, si dhe masat e mëtejshme që janë marrë për vijueshmërinë normale të këtij operacioni.

Është për t’u theksuar se, në zbatim të marrëveshjes midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, të nënshkruar më 22 shkurt 2008, qeveria amerikane po kontribuon në procesin e asgjësimit të municioneve të tepërta në vendin tonë. Me amendimin e kësaj marrëveshje, në maj të vitit 2008, mbështetja e qeverisë amerikane përfshiu edhe pastrimin dhe rehabilitimin e zonës së Gërdecit, pas tragjedisë që ndodhi në këtë zonë më 15 mars 2008. Nga maji i vitit 2008 dhe deri tani kontraktori i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Forcat e Armatosura Shqiptare kanë kryer pastrimin dhe rehabilitimin e mbi 70 % të zonës së infektuar me municione të paplasura në Gërdec. Aktualisht Kompania EOD Salition dhe struktura të Brigadës Logjistike janë të angazhuara në procesin e demilitarizimit të gëzhojave të paplasura të grumbulluara në këtë zonë, pastrimin e zonës nga diegoret dhe asgjësimin e tyre, si dhe pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të kësaj zone. Ndërkohë në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, në Tiranë (UNDP), zyra për Koordinim dhe Veprim ndaj Minave dhe Municioneve (AMMCO) pranë UNDP, do të kontrollojë cilësinë e pastrimit të zonës sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe në fund do të certifikohet e gjithë zona për t’iu dorëzuar komunitetit.

Në përfundim të këtij inspektimi zëvendësministri i Mbrojtjes Spahiu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Gjunkshi falënderuan komandën e Brigadës Logjistike dhe përfaqësuesin e kontraktorit të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të gjithë efektivat e angazhuara në këtë operacion për punën e bërë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer midis tyre, si dhe i garantuan ata për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së për realizimin me sukses të plotë të këtij operacioni dhe kthimin sa më shpejt në normalitet të krejt zonës. Zëvendësministri Spahiu dhe gjeneralmajor Gjunkshi lanë detyra për pastrimin e rrugëve të kalimit nëpër zonë, kufizimin e tyre me shirita, si dhe për krijimin e të gjitha kushteve për familjarët që priten të bëjnë homazhe në obeliskun e ngritur në nderim të viktimave të tragjedisë së Gërdecit.

KOMENTE