English

Bamir Topi homazhe për aktorin dhe regjisorin Sheri Mita

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, nderoi sot me respekt e dhembshuri kujtimin e aktorit dhe regjisorit të shquar të skenës shqiptare, Sheri Mita, i cili u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare.

Në homazhet e zhvilluara në Teatrin Kombëtar, pasi u përshëndet me familjarët e të ndjerit Sheri Mita, duke u shprehur ngushëllimet më të thella për humbjen e njeriut të tyre të dashur, Kryetari i Shtetit vendosi një kurorë me lule duke u përulur me respekt përpara trupit të pajetë të artistit të njohur, i cili me përkushtim dhe aktrim dinjitoz, me shumë dëshirë e punë të palodhshme edhe në profesionin e regjisorit e të shkrimtarit, i dhuroi publikut shqiptar një pasuri të madhe personazhesh e ngjarjesh filmike të pashlyeshme në memorien e artdashësve shqiptarë, por dhe një kontribut të paçmuar në artin e bukur e të vështirë të kinematografisë sonë.

Duke shprehur për mediat e pranishme me këtë rast vlerësimin e një prej figurave më të rëndësishme e më të spikatura të kinematografisë e teatrit shqiptar, Presidenti Topi theksoi: “Sot erdha të zhvilloj homazhe për një figurë shumë të nderuar, për një qytetar dhe për një artist, si i ndjeri Sheri Mita, i cili do të mbesë në kujtesën e qytetarëve shqiptarë, por dhe në kujtesën e kombit, së pari, si një qytetar i mirë, si një intelektual, por pastaj si një aktor, si një regjisor, i cili solli një fizionomi të re në art.

Unë me këtë rast, ngushëlloj familjen e tij, ngushëlloj të gjithë trupën e Teatrit, por dhe të gjithë njerëzit që kanë kontribuar në vite për t’i dhënë jetë një arti, sikurse është kinematografia. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”

KOMENTE